Regjisori nga Kosova ftohet që të jetë pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit
Regjisori, antropologu dhe drejtuesi i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Lum Çitaku, është ftuar të bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit.
Kjo u bë e ditur nga faqja zyrtare e QKK-së, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
“Jam i gëzuar dhe i nderuar t’i bashkohem Akademisë Evropiane të Filmit, me të cilën po bashkëpunojmë ngushtë në projekte të përbashkëta që kontribuojnë në zhvillimin artit e kulturës së filmit, mbrojtjen dhe festimin e trashëgimisë kinematografike, si dhe edukimin e audiencave në vend dhe Evropë”, ka thënë ai.
Çitaku i është bashkuar QKK-së në janar të vitit 2019 dhe nga korriku 2021 e udhëheq institucionin qendror të filmit.
"Lum Çitaku ka përfunduar studimet e nivelit Master në Antropologji Vizuele dhe të Mediave (Departamenti i Shkencave Politike dhe Sociale - Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Sociale në Universitetin Freie në Berlin). Paraprakisht ka përfunduar studimet Bachelor në Arte dhe Shkenca të Aplikuara nga Instituti i Teknologjisë i Roçesterit. Si bursist programit YCS të EU-së - që ka për qëllim ndërtimin e një shërbimi civil profesional dhe apolitik në Kosovë, Lumi i është bashkuar Qendrës Kinematografike të Kosovës në janar 2019, për të vazhduar kontributin në fushën e filmit edhe nga përbrenda institucioneve, dhe nga korriku 2021 e udhëheqë institucionin qëndror të filmit".