Qysh u 'dridh' Prizreni ditën e xhumasë?
Prizreni është ‘dridhur’ parmbrëmë nga një paraqitje mbresëlënëse në Dokufest. Dhe këto ‘dridhje’ – fatkeqësisht – po jehojnë edhe në skenën politike. Cilat ishin reagimet në fjalë?
Më 4 gusht, ditë e xhuma, nisi edicioni i 22 i Dokufestit. Përsëri në Prizren, një prej qyteteve më konservatore në Kosovë. Por kësaj here, me një ‘piskamë’ edhe më të fortë liberale që provokon ata me prirje për të shtypur pakicat seksuale.
Kjo ‘piskamë’ liberale u bë e ditur menjëherë me anë të një performance nga Peaches, Stefi dhe Ivana Dragshiq. Fotografitë e saj do të skandalizonin ata që... s’ishin mësuar me gjëra të tilla.
E para që reagoi ishte Duda Balje, deri vonë kryetare e komisionit parlamentar për të drejta të njeriut.
“Mos e prekni frymën e Prizrenit tradicional dhe kulturor!” - bëri thirrje ajo, pa treguar se si po prekej një gjë e tillë.
Një reagim edhe më të ashpër e bëri edhe deputeti Erxhan Galushi.
“Mbrëmë, Prizreni dhe rinia e saj është turpëruar!” – tha ai.
Ai këtë performancë e quajti “me karakter degjenerues.”
Fatkeqësisht, shumë komente fyese pati edhe nga vetë qytetarët. Disa prej tyre e përmendnin kryetarin e Prizrenit apo edhe komunën për të ndërmarr ndonjë veprim kundër festivalit.
“Gërdi, tmerr!” - thoshte një koment.
“Phu, Zoti jau hupt faren bre felliqsira,” – thoshte një tjetër.
“Turp ky “festival” është tepër, sepse e lufton familjen.” – tha një tjetër.
Kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së fundi u bë pjesë për herë të parë në Marshin e Krenarisë në shenjë solidarizimi me komunitetin LGBTIQ. Edhe një gjë e tillë kishte shkaktuar revoltë te konservatorët në Kosovë.
Vlen të theksohet që Dokufest vazhdimisht ka marrë mbështetje të madhe nga institucionet e Kosovës, siç mori edhe sivjet.
Në një shkrim për atë natë, Blerina Kanxha, i tha këto fjalë:
“Mbrëmja e kaluar ishte e gjitha për të eksploruar se çka mund të bëhet brenda kufijve të muzikës. Thënia e Pablo Picassos është e vërtetë: mësoji rregullat si profesionist, në mënyrë që t’i shkelësh si artist dhe performuesit në Skenën Andrra e dëshmuan bash atë gjë.”