Qe 10 vite Prishtina ka një festival feminist – sa ia pa hairin feminizmi festivalit “FemArt”? - NACIONALE

Qe 10 vite Prishtina ka një festival feminist – sa ia pa hairin feminizmi festivalit “FemArt”?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Melisa Lajqi

Dita është shumë e ngjeshur për të përcjellë të gjitha aktivitetet e festivalit “FemArt” që ka nisur edicionin e tij të 10-të. Mes shumë shfaqjeve, debateve, performancave e punëtorive, festivali këtë edicion ka sjellë një qasje më gjithëpërfshirëse me artistë që trajtojnë feminizmin. Por jo vetëm. Organizatorët e festivalit, i thanë Nacionales se këtë vit, festivali po feston edhe një audiencë të rritur shumë krahasim me vitet e tjera.

Kur Nacionale u takua me Venera Ismailin, një nga zërat e festivalit, ishte dita e dytë që kishte nisur të mbahej. Lokacionet e festivalit janë të ndryshme, gjithandej nëpër qytet. Tek Teatri Kombëtar, tek ai Oda, apo ne sheshet e Prishtinës. Ngjarjet janë të larmishme gjithashtu. Shfaqje teatri, performanca muzikore dhe argëtuese sikurse “Këmbëgjatet nga Shqipëria” që argëtuan njerëzit me performancat e tyre në sheshet e Prishtinës dhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës, apo koncerti i Christine Salem që çoi në një aventurë të paharruar publikun përmes energjisë dhe tingujve të muzikës së saj. Mbi të gjitha për organizatorët është me rëndësi fakti që festivali i jep një mundësi që të njihemi me artin feminist.

“Qëllimi i krejt festivalit, është me i dhanë hapsirë grave dhe vajzave me kriju art dhe me prezantu artin e vet, diçka që nuk ka qenë e mundshme në Kosovë sepse kryezisht burrat i kemi pasur në ekspozita, burrat kanë bo art, burrat kanë qenë drejtor të Galerive, drejtorë të Muzeuve dhe prandaj është kriju Fem’Arti, me ja jep këtë mundësi grave. Kryesorja është përmes artit me arrit qëllimin : me dhonë mësim, me dhonë edukim, me shpernda feminizmin, me tregu që patriarkati është shkatrrues i njerzimit tonë”, tha Venera Ismaili, zyrtare e projekteve në ArtPolis po edhe kordinatore e FemArt-it.

Kur Nacionale e pyeti se cili ka qenë ndikimi i “FemArt” për këto 10 vite, Ismaili fillon të numërojë disa.

“Fillimisht fakti që kur kemi nisur para 10 vitesh i kemi pasur vetëm 4 ose 5 aktivitete e tash i kemi deri në 25 aktivitete bile të mëdha, kallxon shumë”, thotë Ismaili.

Tjetër sukses i festivalit sipas saj është krijimi i një rrjetëzimi mes artisteve kosovare dhe atyre botërore.

“Ka pasur shumë raste kur pas festivalit, artistet e vendeve të ndryshme kanë vazhduar bashkëpunimin me artistet tona”, tha Ismaili.

Por mbi të gjitha, për organizatorët, me më rëndësi është eksperienca e njerëzve.

“Fakti që sallat e ngjarjeve tona janë të mbushura plot, tregon se ne kemi krijuar një audiencë tonën, dhe se po krijojmë çdo vit e më shumë, gjëra më të mira artistike dhe të bukura estetike. I kam parë fytyrat e publikut që janë të ngazëllyer dhe duke u kënaqur në ngjarjet tona, dhe kjo për neve është më me rëndësi”, tha Ismaili.

Festivali do të vazhdojë deri me 23 qershor në Prishtinë.

Lajme të ngjashme