“Prilli i thyer” i Kadaresë është reflektim real i kodeksit ligjor
Thënia e njohur e Immanuel Kantit se “Individi pa dinjitet s’mund të prodhojë vepra dinjitoze”, Kadare duket që u përket atyre postulateve që s’vjetrohen kurrë, pavarësisht konotacioneve që mund të fitojë fjala “dinjitet” në kohërat moderne apo postmoderne.
Duke lexuar “Prillin e thyer” kuptohet lehtësisht përse dhe me çfarë force Ismail Kadare është pasionuar për tragjedinë dhe për dy përfaqësuesit më të shquar të saj, Shekspirin dhe Eskilin. Miku, besa dhe gjakmarrja, janë rrotat e mekanizmit të tragjedisë antike, dhe të futesh në mekanizmin e tyre është të shikosh mundësinë e tragjedisë. I vetmi roman në qendër të të cilit shtjellohen ngjarje që lidhen me kodin zakonor shqiptar, një nga shenjat identifikuese më të moçme e të dallueshme të kombit, kjo vepër është një ndër më të njohurat e Kadaresë në planin botëror. “Prilli i thyer” është ekranizuar për film artistik tri herë. Versioni i parë ka qenë shqiptar, i dyti francez dhe i treti brazilian.
Nacionale jua sugjeron këtë libër të mrekullueshëm që të njiheni më afër me temat e lartcekura, të shtruara në mënyrë të jashtëzakonshme nga Ismail Kadare. Kritiku letrar amerikan, Herbert Mitgang, në gazetën “New York Times”, për romanin në fjalë ka thënë: “Me “Prilli i thyer”, Kadare vjen në pararojë si romancieri më i madh ndërkombëtar”.
“Sa herë që ndiente ftohtë nga këmbët, ai lëvizte pak gjunjët dhe atëherë diku poshtë vetes dëgjonte guralecët që zhurmonin ankueshëm. Në të vërtetë ankesa ishte brenda tij. Asnjëherë në jetë nuk i kishte qëlluar të rrinte kështu i ngulur, një kohë kaq të gjatë, pas një ledhi, tek udha e madhe, duke pritur të kalonte dikush.” (Kadare, 2003, fq. 9.)
Është paragrafi i parë, hyrës i romanit “Prilli i thyer”, njeriu që ndodhet në këtë situatë absurde, thuajse të pashpjegueshme për lexuesin perëndimor, është ai me të cilin ka nisur romani, Gjorgu, një i ri shqiptar, malësor i Veriut, 26 vjeç, i cili ka vrarë veten, por me pushkën e hasmit, si personazhi kryesor, Gjorgu detyrohet të hakmerret për shkak se këtë e kërkon kanuni i hekurt që është përdorur me shekuj në vendin ku ai jeton. Kadare na kujton në mënyrë proverbiale: “Kanuni nuk harronte kurrë asgjë”. Natyrisht, çështjet etike; të mirën dhe të keqen. Ai është reflektim real i kodeksit ligjor që u ka mbijetuar dekadave të njëpasnjëshme, pasqyrim i një jete të vrazhdë, duke tërhekur me vete edhe të pafajshmit e popullit. Gjakmarrja peshonte herë në njërën anë e herë në tjetrën, duke krijuar murana gjaku mbi tokë e frymë të shuara nën dhe. Peizazhi është rrënqethës, me pllangat e gjakut, shegët e egra që “shikonin çdo gjë”. Dhe puna u krye. Pasi kishte shtënë mbi hasmin duke e lënë atë të vdekur, Gjorgu “s’ishte në gjendje të mendonte asgjë të plotë e me vazhdimësi”, pasi truri i tij kishte ngrirë vetëm në një pikë, e kishte marrë gjakun, e që vetë ishte i tëri i përlyer në gjak. Gjakmarrja, besa, miku, janë ato elemente që ngrihen në piedestalet më të larta të jetës gjatë shtjellimit të kësaj jete sa të vrazhdë aq edhe të lavdishme. Autori ofron në mënyrë shumë direkte jetën në veriun e Shqipërisë, familjen, hakmarrjen, shtëpinë, (që sipas tij i takon mikut); nderin dhe mbi të gjitha, ngjyrat që i jep jetës Kanuni.
Kadare, me përshkrimet, karakteret e personazheve, mjetet shprehëse, me gjithçka mjeshtërore të mbrujtur nga jehonat e Rrafshit, krijon kozmosin e gjakmarrjes, njerëz që ecin me qefin në kokë, murana, mbledhës të taksës së gjakut, etj. Por një shkrimtar si ai nuk mund të mbetej në “kurthin” e gjakmarrjes. Përkundrazi ai e recepton estetikisht Kanunin, por çfarë është për të Kanuni? “Është një nga kushtetutat më monumentale të lindura mbi fytyrë të rruzullit tokësor, dhe ne shqiptarët duhet të jemi krenarë që e pollëm atë”. Nuk është e rastit që Kadare çdo referencë ndaj Kanunit e bën në qasje me botën, çka tregon përmasën ku ai e vendos ligjin e vjetër tokësor. Sipas tij, “Rrafshi është i vetmi truall në Europë, që, duke qenë pjesë e një shteti modern dhe jo e një tribuje primitive, i ka flakur ligjet, ngrehat juridike, policinë, gjyqet, krejt makinën shtetërore, për t’i zevendësuar me ligje të tjera, morale, të cilat janë kaq të plota sa i kanë detyruar zyrtaritë e huaja të pushtimit në shekuj dhe më pas administratën e vetë shtetit të pavarur shqiptar, t’i njohë ato dhe ta lënë Rrafshin, domethënë gati gjysmën e mbretërisë, jashtë mbikëqyrjes së shtetit”. (fq. 69.) Përndryshe, “në gjithë mendësinë dhe veprimet e Rrafshit ka diçka shtetërore”. (fq. 97.). Është magjepsja e mallkimit. Madje dhe vetë Besian Vorpsi që ka ardhur në Rrafsh me një shikim krejtësisht intelektual e fjalëmadh për gjakmarrjen, i duhet të lejë një taksë: i posamartuar, ai do të shohë shkëputjen e gruas së vet ditë pas dite. E tronditur heshturazi nga bota e rrafshnaltës, ku qeniet kthehen nganjëherë në gjysmëhyjni, por që nga ligjet e fatit mund të bien dhe në humnerë. Këtu, në këtë atelie të tragjedisë, shkrimtari ka përqendruar karakteristikat e kanunit të shumë krahinave të veriut e të lindjes, të marra nga përshtypjet e mbledhura gjatë qëndrimit të tij në veri në fund të viteve '70. Kështu personazhi i Ali Binakut, ishte një nga figurat e shquara të verilindjes së Shqipërisë në fund të shekullit XIX. Meqenëse ne kemi të bëjmë me një kanun të ngjeshur, të pasuruar, tragjedia ka të gjitha mjetet e mundshme për t'u shprehur. Romani ilustron nenet më të shquara zakonore të këtij kanuni të tmerrshëm. Kadare me mjeshtërinë e tij trajton psikologjinë e njeriut, se si Kanuni dorëhekurt e vë poshtë dhe i imponohet fëmijës që në djep, përshkruan bashkëjetesën e kanunit me jetën e malësorëve, se si ai depërton në mendjen tyre. Të mos pajtohesh me kanunin, me gjakmarrjen, por të mos kesh fuqi as ta kundërshtosh atë. Peizazhi në vend që të jetë në Mirditë, fare mirë mund të jetë në Kosovë, në jug të Malit të Zi, në Alpet shqiptare apo në rrafshnaltën e Dukagjinit. Në kalim të kohërave, gjesti i Orestit që merr gjakun e Agamemnonit nuk ka ndryshuar. Por Oresti i ka lënë pallatet. Gjakmarrja është demokratizuar. Kjo gjakmarrje shënon një epokë ku shteti nuk i detyronte ligjet e veta, ku drejtësia ishte ende çështje e secilit, e rridhte nga një kod shumë i përpiktë, që nuk linte asgjë në hije. Në vështrimin e sotëm ku gjakmarrja përpiqet të rivendoset në një formë të degraduar, duke i shërbyer si pretekst njërit apo tjetrit, “Prilli i thyer” është një leksion nderi dhe dinjiteti edhe pse kanuni është absurd e i gjakëshëm. Sepse romani tregon pa vështirësi absurditetin e kanunit. Në zonën e kanunit e drejta e vetëgjykimit nuk ekziston. Gjorgu është ilustrimi i kësaj të vërtete. Pyetjet ekzistenciale dalin në pah: “A jam unë i lirë?” Gjorgu pyet veten. Por ai nuk kërkon përgjigjen për këtë dhe si rrjedhim ai nuk është veçse një marionetë e manipuluar nga një forcë që e çon drejt vdekjes. I shenjuar për të vdekur Gjorgu mban një rrip të zi në krah.
“Dëgjonte ende hapat që po largoheshin dhe dy-tri herë pyeti veten: të kujt janë vallë? Iu dukën si hapa të njohur, ashtu si dhe duart që e kthyen mbarë... Janë të miat, tha me vete. Në shtatëmbëdhjetë mars, udha pranë Brezftohtit... Një grimë e humbi ndërgjegjen, pastaj prapë dëgjoi kumbimin e hapave dhe përsëri iu duk se ata ishin krejt hapat e tij dhe ishte ai vetë e askush tjetër, që po ngarendte kështu, duke lënë pas, të shtrirë mdis rrugës, trupin e vet, që porsa e kishte vrarë”.
(Kadare, 2003, fq. 198).
Është paragrafi i fundit, përmbyllës i romanit “Prilli i thyer”, pas të cilit shkruhet: “Tiranë 1978”, Gjorgu përfaqëson tashmë botën e përtejme, gjithnjë e pranishme në një mënyrë a në një tjetër në veprën e Kadaresë, sepse kjo botë ka një pushtet të magjishëm mbi të gjallët. E kryer në emër të nderit, por që gjakmarrja është vula e turpit dhe e krimit.
Nacionale jua sugjeron ta lexoni këtë roman të Ismail Kadaresë, që njëherë të fut në drithërimat e acarta nihiliste të jetës, pastaj t’i shpalos të bukurat e saj, shijojeni.