Pjesëmarrja e Kosovës në Simpoziumin e Muzikës Tradicionale, vlerësohet e rëndësishme - NACIONALE

Pjesëmarrja e Kosovës në Simpoziumin e Muzikës Tradicionale, vlerësohet e rëndësishme

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Javën e kaluar, në Universitetin e Stambollit, u organizua simpoziumi i tetë i Këshillit Ndërkombëtar për Muzikën Tradicionale (ICTM) të grupit studimor për muzikën dhe vallet e Evropës juglindore.

Në këtë simpozium, për herë të parë mori pjesë edhe Kosova, duke u bërë pjesë e një ngjarjeje ku marrin pjesë mbi gjashtëdhjetë shtete. Kosova u prezantua nga një grup studiuesish nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, të cilët shpalosën aspekte të veçanta të traditave shqiptare.

Studiuesit nga Prishtina treguan gjërësisht për kulturën shqiptare, përfshirë ritet, muzikën e vallëve e të dasmës. Megjithatë, ata sqaruan për publikun edhe çështje të kodekseve familjare e sociale, të cilat shpërfaqin gjurmë të traditave orientale.

Krenar Doli, hulumtues në Institutin Albanologjik, thotë se temat që i prezantuan aty, ngjallën shumë kureshtje për audiencën.

“Në këtë simpozium që sivjet ishte i teti me radhë, prezantohen kulturat e popujve të ndryshëm të Ballkanit juglindor, me theks të veçantë te muzika dhe vallja. Ndikimi që ky simpozium i sjell Kosovës ishte sepse për herë të parë Kosova merr pjesë me studuiesit e Institutit Albanologjik - Prishtinë. Studiuesit prezantuan temat që për audiencen ngjallën tepër interes”, u përgjigj për Nacionalen Krenar Doli nga Instituti Albanologjik i Prishtinës.

Në panelin ku u diskutua për përvojat osmane në familje e ceremoni shoqërore, përfaqësuesit nga Kosova shpjeguan varietetet kosovare në këtë drejtim.

Arbnora Dushi nga Instituti Albanologjik, para të pranishmëve prezantoi traditën e njohur si “Dhjetësahatëshi”, që është ceremoni tradicionale e qytetit të Gjakovës, e ku pjesëmarrëse janë vetëm gratë. Gjatë prezantimit, siç njofton Simpoziumi, Dushi ka folur për kostumet e adaptuara nga tradita orientale e veçanërisht për ushqimet, muzikën e vallëzimet specifike të pjesëmarrëseve në ceremoni.

Ndërsa, etnologia Bubulinë Syla foli për vallet gjysmërrethore të dasmës shqiptare, duke shpjeguar instrumentet të cilat përdoren gjatë kësaj ceremonie. Instrumente si lodra, tupana, surle, def, me pjesëmarrje masive të dasmorëve të cilët të kapur dorë për dore e të prirë nga udhëheqësi i valles, vallëzojnë me hapa të harmonizuar e me takt – shpjegoi Syla gjatë Simpoziumit.

Syla gjatë fjalës së saj theksoi se këto tradita, me të tilla lëvizje ritmike, ngjasojnë me ato të vendeve të tjera të Evropës Juglindore, e që janë hapësira ku sundoi Perandoria Osmane për shekuj.

Etnomuzikologu Visar Munishi erdhi me një kumtesë e cila mbante një titull mjaft intrigues. “Hallallaku i nuses” ishte fusha për të cilën Munishi foli në takimin e studiuesve në Stamboll, duke shpjeguar se ajo përfshin momentin e përshëndetjes së nuses së ardhshme me anëtarët e familjes së saj. Madje, ai ofroi edhe video nga hapësira e fshatrave të Kamenicës, të cilat prezantuan para audiencës këtë ceremoni.

Alma Bejtullahu, studiuese shqiptare e etnomuzikologjisë nga Sllovenia, prezantoi imazhin e vigjëreshës së përbetuar në këngët aktuale në Kosovë. Në sesionin mbi “Gjininë dhe seksualitetin në muzikën dhe vallet e Evropës juglindore”, Bejtullahu analizoi disa këngë nga repertoari i këngëtareve nga Shkurte Fejza e Naxhije Bytyqi, krahas prezantimit të këtij fenomeni shoqëror në kulturën shqiptare.

Kjo pjesëmarrje u vlerësua e rëndësishme nga studiuesit e Institutit të Albanologjisë pasi që ishte hera e parë që Kosova mori ftesën për të prezantuar në Simpoziumin e Tetë të Këshillit Ndërkombëtar për Muzikën Tradicionale.

Lajme të ngjashme