Pesë fotot më mahnitëse të Gjithësisë të shkrepura ndonjëherë
Të shkrepura me një teleskop të ri në horizont, ne i sjellim pesë fotot më të mrekullueshme të nxjerra ndonjëherë.
Astronomët rrallë përdorin teleskopët e tyre për të bërë thjesht fotografi. Fotografitë në astrofizikë zakonisht krijohen nga një sërë procese konkluzionesh dhe imagjinatash shkencore, ndonjëherë të vizualizuara nga artistët për atë që sugjerojnë të dhënat.
Zgjedhja e vetëm një grushti imazhesh nuk ishte aq e lehtë. Megjithatë, përzgjedhja e imazheve u kufizua në marrjen e tyre nga teleskopët me të njohur, me të cilët janë zbuluar gjëra interesante në shkencë. Po ashtu, fotografitë e mëposhtme janë “të reja” dhe jo aq të njohura për masën e gjerë.
1. Polet e Jupiterit
Fotografia parë e përzgjedhur është shkrepur nga misioni Juno i NASA-s, i cili ende është duke u rrotulluar rreth Jupiterit. Ky imazh është marrë në tetor të vitit 2017 kur anija kozmike ishte 18906 kilometra larg reve të Jupiterit. Këtu shihet një sistem reshë në hemisferën veriore të planetit dhe na jep pamjen e parë të poleve të Jupiterit (poli i veriut).
Imazhet në të cilat bazohet kjo foto zbulojnë modele komplekse të rrjedhës, të ngjashme me ciklonet në atmosferën e Tokës, dhe efekte të habitshme të shkaktuara nga shumëllojshmëria e reve në lartësi të ndryshme, ndonjëherë duke hedhur hije në shtresat e reve më poshtë.
Është zgjedhur pikërisht ky imazh për shkak të bukurisë së tij por edhe për habinë që shkakton: pjesët e planetit pranë polit të tij verior duken shumë të ndryshme nga pjesët që kishim parë më afër ekuatorit. Duke parë polet e Jupiterit, Juno na tregoi një pamje të ndryshme të një planeti që e mendonim të njohur.

Gerald Eichstädt and Sean Doran (CC BY-NC-SA) based
on images provided Courtesy of NASA/JPL-Caltech/SwRI/MSSS
2. Nebula Shqiponja
Astronomët mund të marrin informacione unike duke ndërtuar teleskopë të cilët janë të ndjeshëm ndaj dritës së "ngjyrave" përtej atyre që mund të shohin sytë tanë. Ylberi i njohur i ngjyrave është vetëm një pjesë e vogël e asaj që fizikanët e quajnë spektri elektromagnetik.
Përtej të kuqes është infra e kuqja, e cila mbart më pak energji se drita optike. Një aparat fotografik me rreze infra të kuqe mund të shohë objekte shumë të zbehta për t'u dalluar nga syri i njeriut. Në hapësirë, ai mund të shohë edhe përmes ‘pluhurit’, i cili përndryshe na errëson plotësisht pamjen.
Teleskopi Hapësinor James Webb do të jetë observatori më i madh i dritës infra të kuqe i lëshuar ndonjëherë. Deri më tani, Observatori Hapësinor Herschel i Agjencisë Evropiane të Hapësirës ka qenë më i madhi. Imazhi tjetër që është përzgjedhur është pamja e ofruar nga Herschel-i e formimit të yjeve në nebulën Shqiponja, e njohur gjithashtu si M16.
 G. Li Causi, IAPS/INAF, Italy, CC BY 4.0
Nebulat janë re gazi në hapësirë. Nebula Shqiponja është 6500 vitë-dritë larg nga Toka, e cila për standardet astronomike është mjaft afër. Kjo nebulë është ‘fole’ e formimit të yjeve.
3. Qendra e galaktikës
Ky imazh ofron një pamje më të thellë të qendrës së galaktikës tonë – Rruga e Qumështit. Për t’u shkrepur kjo fotografi janë përdorur edhe këtë herë rrezet infra të kuqe, por kësaj radhe duke kombinuar të dhënat nga dy teleskopët e NASA-s, Hubble dhe Spitzer.
Zona e bardhë e ndritshme në pjesën e poshtme të djathtë të imazhit është qendra e galaktikës sonë. Ajo përmban një vrimë të zezë masive të quajtur Shigjetari A, një grumbull yjesh dhe mbetjet e një ylli masiv që shpërtheu si një supernova rreth 10000 vjet më parë.
Grupe të tjera yjore janë gjithashtu të dukshme. Është grupi pesëfishësh në pjesën e poshtme të majtë të imazhit brenda një flluske ku erërat e yjeve kanë pastruar gazin dhe pluhurin lokal. Në pjesën e sipërme të majtë ka një grup të quajtur Harqe, i cili u emërua për shkak të harqeve ndriçuara të gazit që shtrihen mbi të dhe jashtë tij. Këto dy grupime përfshijnë disa nga yjet më masivë të njohur.

Hubble: NASA, ESA, and Q.D. Wang
(University of Massachusetts, Amherst);
Spitzer: NASA, Jet Propulsion Laboratory, and
S. Stolovy (Spitzer Science Center/Caltech)
4. Abell 370
Në shkallë shumë më të mëdha se galaktikat individuale, universi është i strukturuar si një rrjetë filamentesh të materies së errët. Disa nga objektet më dramatike të dukshme janë grupime galaktikash që formohen në kryqëzimin e fijeve.
Nëse shikojmë grupimet e galaktikave aty pranë (duke folur relativisht, sigurisht), mund të shohim prova dramatike se Einstein-i kishte të drejtë kur pohoi se masa e përkulë hapësirën. Një nga shembujt më të bukur që zbulon këtë ‘shtrembërim’ të hapësirës mund të shihet në imazhin e Hubble të Abell 370, të lëshuar në vitin 2017.
Abell 370 është një grumbull me qindra galaktika rreth pesë miliardë vitë-dritë larg nesh. Në foto mund të shihni harqe të zgjatura drite. Këto janë imazhe të galaktikave shumë më të largëta. Masa e grumbullimit shtrembëron hapësirë-kohën dhe përkul dritën nga objektet më të largëta, duke i zmadhuar ato dhe në disa raste duke krijuar imazhe të shumta të së njëjtës galaktikë të largët. Ky fenomen quhet thjerrëzim gravitacional, sepse hapësira e përkulur në kohë vepron si një lente optike.
Më e spikatura nga këto imazhe të zmadhuara është harku më i trashë i ndritshëm sipër dhe në të majtë të qendrës së fotografisë. I quajtur "Dragoi", ky hark përbëhet nga dy imazhe të së njëjtës galaktikë.
Këto imazhe të zmadhuara gravitacionale janë të dobishme për astronomët, sepse zmadhimi zbulon më shumë detaje të objektit të largët sesa po të shihej ndryshe. Në këtë rast, yjet ‘banorë’ të galaktikës mund të shqyrtohet më në detaje.

NASA, ESA, and J. Lotz and the HFF Team (STScI)
5. Fusha ultra e thellë Hubble
Astronomët vendosën ta drejtojnë teleskopin Hubble në një pjesë të zbrazët të qiellit për disa ditë, për të zbuluar se cilat objekte jashtëzakonisht të largëta mund të shihen në skajin e universit të vëzhgueshëm.
Fusha Ultra e Thellë e Hubble përmban rreth 10000 objekte, pothuajse të gjitha janë galaktika shumë të largëta. Drita nga disa prej këtyre galaktikave ka udhëtuar për më shumë se 13 miliardë vjet, pasi universi ishte vetëm rreth gjysmë miliard vjet i vjetër.
Disa nga këto objekte janë ndër më të vjetrat dhe më të largëtat që është arritur ‘të njihen’. Këtu shihet dritë nga yjet e lashtë, bashkëkohësit lokalë të të cilëve janë shuar prej kohësh.
Galaktikat më të vjetra u formuan gjatë epokës së reionisationit, kur filloi ndarja e elektroneve nga hidrogjeni. Ky ishte ndryshimi i fundit i madh në vetitë e universit në tërësi.
Fakti që drita mbart kaq shumë informacion, duke na lejuar të bashkojmë historinë e universit, është i jashtëzakonshëm. Nisja e teleskopit hapësinor James Webb do të na japë disa imazhe infra të kuqe shumë të përmirësuara dhe në mënyrë të pashmangshme do të ngrejë pyetje të reja për të sfiduar brezat e ardhshëm të shkencëtarëve.
