Oliver Kahn, trupat e KFOR-it dhe kuleçët e nënës: tregime të fëmijërisë naive në Drenicën e pasluftës - NACIONALE

Oliver Kahn, trupat e KFOR-it dhe kuleçët e nënës: tregime të fëmijërisë naive në Drenicën e pasluftës

4 vjet më parë

nga NACIONALE

1. Oliver Kahni dhe kuleçët e nënës

Nëna më kishte gatuar kulaçët me djathë për shkollë. Shkolla jonë ishte tipike e pasluftës në Kosovë. Mure të grisura, dysheme të lyera me vaj të djegur që ta ndalnin pluhurin, por që ishin më të dëmshme se pluhuri, e mbi të gjitha, banjot pa dyer, i jepnin qartë shënjat e një vendi që sapo ka kaluar një traumë. Ishte ditë e hënë dhe kjo do të thoshte që nëna ime nuk kishte nevojë të më gatuante, sepse KFORI gjerman do të na sillte ushqime në shkollë. Dy arsye pse unë e doja Gjermaninë: Kfori gjerman me sheqerkat e ushqimet, dhe Oliver Kahn me pritjet e mahnitshme në fushë. Në fund të fundit, për dallim prej uniformave paraprake, në mendjen time fëmijërore, KFORI dhe Oliver Kahn lidheshin mjaft mirë. Ashtu si Oliver Kahn, Kfori ishte forcë mbrojtëse, portieri më efektiv. Derisa ata të ishin këtu, ne nuk do të vriteshim. Kosovës nuk do t'i shënoheshin më gola me vrasje civilësh.

2. Botërori 2002 dhe trupat ruse: një histori e ankthit

Në RTK, një nga 3 kanalet e vetme televizive që mezi i kapte antena jonë e ndryshkur, kishte nisur Kampionati Botëror i Futbollit 2002. Gjermania ishte një skuadër futbollistike inferiore, me shumë pak lojtarë që mund të më bijnë në mend sot. Nëna ime gatuante kuleçët me djathë dhe trupat ruse ishin vendosur në pistën e gjysmë-aeroportit amator dy fshatra prej nesh. Kur i çonim bagëtitë në atë pjesë, siguroheshim që stema e KFORIT të ishte e duhura. Mundësisht, jo ajo ruse. Rrëfimet për ushtarët rusë që kishin maltretuar civilët shqiptarë, edhe pas luftës e lirisë, ishin tronditëse. Shpresat tona ishin që KFORI i vendosur në Marinë të Drenicës, të ishte i duhur. Ai që shpërndante çokolata, banane e konserva me ushqime, në vend të atij që shpërndante shuplaka.

Kështu, afërmendsh, ne vraponim vazhdimisht në dy drejtime të kundërta. Herë për t’u afruar, herë për të ikur. Thënë të drejtën, jodomosdo që trupat ruse do të na rrihnin. Unë vetë s’e kisha provuar asnjëherë. Por, kështu më kishin thënë që i ka ndodhur djemve të fshatit dhe, çuditërisht, edhe një vajze.

Në ndërkohë të kësaj frike, në RTK vazhdonte të luhej botërori i futbollit dhe, finalja i kishte takuar dy skuadra krejt të ndryshme nga fuqia. Brazilin me plot talentë e yje, dhe Gjermaninë me një skuadër inferiore por një portier kulminant: patjetër, Oliver Kahnin.

Nëna ime vazhdonte të gatuante kuleçët me djathë dhe, një ditë, ndonëse ishte e hënë dhe KFORI do të vinte për të na sjellë sheqerkat e ushqimet në shkollë, kuleçët e nënës i mora me vete.
Mëngjesi nuk ishte i njëjtë dhe shokët e mi filluan ngacmimet. WC-të më dukeshin më të këqija se ç’ishin dhe dyshemetë dukej sikur do të hapeshin për të më zënë përfund.

Është patetike, patjetër, por unë sa s’qaja nga mërzia. Gjermania një ditë më parë kishte humbur, dhe çdo sens i sigurisë brenda meje ishte rrënuar. Kështu nuk isha ndjerë që prej ditës kur drejtori i shkollës më jepte vërejtje në sy të babait tim dhe, ky i fundit, pothuajse i thyer, nuk e kundërshtonte fare.

Prapë e përjetova të njejtën ndjenjë. Me siguri ai ishte munduar, siç mundohej KFORI për ne. Por, armiku kishte ardhur me artileri të rëndë, nga të gjitha cepet e fushës, derisa e kishte marrë “kështjellën”. Për një çast m’u kujtuan posterët promovues skaj rrugëve të pashtruara “Kujdes minat!”. Ky ishte KFOR-i, që përpiqej të na mbronte, por çka nëse minat, ashtu si sulmuesit e Brazilit, do të vinin nga të gjitha cepet e fushës?
Çka nëse do të kishte një Brazil më të fuqishëm edhe për KFOR-in që, jo vetëm që s’do të na sillte ushqime e sheqerka, por s’do t’i lejonte as nënat të na gatuanin kuleçë me djathë dhe ne do të hanim shuplaka, derisa kokat tona të puthiteshin për dyshemenë e lyer me vaj të djegur?

A ishte kjo, në fakt, bota që ma bënte me shenjë se në këtë mjedis nuk ka kurrfarë sigurie?

Oliver Kahn ishte thyer. Babai im ishte thyer. Gjithçka po thyhej.

3. Jeta vazhdon

Në fshat bëheshin shaka të hidhura me mua. Emri Oliver Kahn, thuhej ashtuqë mbiemri i tij të asocionte me organin gjenital mashkullor. Më vinte t’u bërtisja e t’i shkundja: budallë, e kam për juve. Gati sa s’thosha “qysh s’po tuteni?”

Por, këtë nuk e thosha me zë. Askush s’duhet ta dinte që për mua, ai ishte shpëtimtar poaq sa trupat e KFOR-it. Përndryshe, do të plaste gazi edhe më tutje.

Me shpoti e me një zë që s’i shkonte fare me trupin, veshjen as qëndrimin, njëri prej çobanëve të fshatit, e mbylli duke më thënë “Jeta vazhdon.”

Po, jeta vazhdonte. Dhe kurrfarë katastrofe nuk kishte ndodhur, përveçse në kokën time.

4. Të jetosh si humbës

Ani çka? Veni i dytë është boll. – racionalizoja për t’u mbrojtur nga shpotitë. Këtu fillova ta zbuloja një fakt interesant mes shokëve të mi: shumica ishin me Brazilin, sepse Brazili kishte fituar.
Unë isha me humbësin. Kjo pozitë, më dukej disi më e ndershme. Të jesh me fituesin është e lehtë, të jesh me humbësin dhe të jetosh si humbës, është sfidë.

Nejse, boll me filozofira. Unë s'dija ç'ishte të kishe pozicione argumente. Duart e mia mezi e hapnin derën pak më të rëndë të oborrit dhe dëshirat e mia, mesa duket, aq i bënin botës. Po e mbyllim këtu këtë episod të një fëmijërie naive, që i shihte sportistët si uniforma mbrojtëse, sulmuesit si mina, e ne që, të pafuqishëm për të bërë gjë, rrinim në ulëset e stadiumit (apo të ulur në barë pranë rrugës), duke shpresuar që mbrojtja jonë do të funksiononte.

Natyrisht, e vërteta nuk ishte kështu. Por, kështu ishte e vërteta ime.

Lajme të ngjashme