Nosferatu (2024) – Regjia nga Robert Eggers - NACIONALE

Nosferatu (2024) – Regjia nga Robert Eggers

2 javë më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Jon Krasniqi

Ribërja e tretë e Nosferatu-s më në fund erdhi në ekranin e madh, mbi 100 vjet pas filmit klasik të parë. E kush tjetër përveç Robert Eggers do të ishte më i përshtatshmi për të sjellë këtë histori gotike në jetë? Siç pritej, Eggers triumfon sërish, pasi filmi shkëlqen në shumë mënyra të ndryshme, duke kombinuar kinematografinë e mahnitshme, produksionin e shkëlqyer dhe performanca të jashtëzakonshme. Lily-Rose Depp është mbresëlënëse si Ellen. Ajo mishëron me mjeshtëri një grua të re të përhumbur nga ndjekja paranormale që e ka përfshirë thuajse gjatë gjithë jetës. Si shikues, mund te ndjesh çdo fije frike, trishtimi dhe dëshpërimi të saj – kjo performancë është lehtësisht më e mira e karrierës së saj.

Ndërkohë, Bill Skarsgård shkëlqen si Konti Orlok (Nosferatu), duke mishëruar në mënyrë të përsosur këtë figurë të errët dhe legjendare. Ndërveprimi mes Ellen dhe Orlok në këtë film është i veçantë, duke sjellë një tension të freskët që e ngre Nosferatu-n e Eggers mbi paraardhësit e tij. Historia eksploron tematika komplekse si fiksimi, pushteti dhe turpi, ndërsa eksploron lidhjen e çuditshme të Ellen me Orlok, e cila përfaqëson obsesionin–elementi i cili e ka mbajtur legjendën e Nosferatus të gjallë për kaq shumë vite.

Ngjarjet zhvillohen pas epokës së Iluminizmit, një periudhë kur shkenca dhe arsyeja po zinin vend gjithnjë e më shumë. Personazhi i Aaron Taylor-Johnson e përfaqëson këtë skepticizëm, duke refuzuar të besojë në të mbinatyrshmen - që mundëson një empati me shikuesin e filmit.

Edhe nëse nuk jeni adhurues i filmave horror, ky film ofron diçka për të gjithë. Nuk ka skena të papritura (‘jumpscares’) të kota, si shumë filma horror bashkëkohorë, por mbështetet në atmosferën e rëndë dhe tensionin e ngulitur në çdo skenë. Frika që ndieni në këtë film është e menduar mirë dhe e thellë, duke e bërë përvojën të kënaqshme dhe autentike.

Nga ana teknike, produksioni triumfon sërish. Kinematografi Jarin Blaschke përdori dritën e qirinjve në shumicën e skenave, duke sjellë një ndriçim natyral që shton ndjesinë autentike të filmit, gjithashtu, lokacionet gotike të Pragës dhe kështjella e Hunedoarës në Rumani kontribuojnë në atmosferën unike të filmit. Filmi shihet të jetë prodhuar me kujdes të jashtëzakonshëm, duke përplasur frikën dhe bukurinë në mënyrë të balancuar.

Pasioni i Eggers për detajet është më i dukshëm se kurrë në këtë projekt, që mund të quhet fare mire vepra e tij më e mirë pas The Northman.

Për të gjithë ata që adhurojnë filma me ritëm të ngadaltë, por kuptimplotë, horror të përpunuar dhe një kinematografi mahnitëse, Nosferatu është një film që nuk duhet ta humbisni. Eggers e ringjall këtë legjendë me një mjeshtëri të rrallë, duke dëshmuar se edhe pas një shekulli, hija e Orlokut mbetet e fuqishme mbi historinë e kinematografisë botërore.

Vlerësimi: ★★★★☆ (4.5/5)

Lajme të ngjashme