Noizy vs Cllevio: ‘Dramat’ e kahmotshme në internet kulmojnë me rrahje brutale - NACIONALE

Noizy vs Cllevio: ‘Dramat’ e kahmotshme në internet kulmojnë me rrahje brutale

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Pas shumë e shumë dramave e fjalëve në internet, dy reperët shqiptarë, Noizy dhe Cllevio më në fund janë përplasur me njëri-tjetrin sy më sy, me këtë të fundit që e pësoi nga rivali dhe grupi i tij në Durrës.

Noizy dhe ish-reperi i TBA (The Bloody Alboz) kanë shfaqur publikisht antipatinë për njëri-tjetrin tash e sa kohë, derisa Cllevio ka qenë shumë më i zëshëm përmes platformave të rrjeteve sociale, të cilat i shfrytëzonte vazhdimisht për ofendime e sulme verbale ndaj rivalit.

Për ta nënvizuar nivelin e debatit mes dyshes, ja një shkëmbim mes tyre në ‘WhatsApp’ ku Noizy qartazi merr rolin e të rriturit, ndërsa Cllevio preferon një qasje bullizuese. Realisht, me foton e mëposhtme, mund të përmblidhet komplet narrativa e fjalosjeve mes dyshes që ka filluar kohë më parë.

Pas presionit të vazhdueshëm nga Cllevio, Noizy publikoi një video në TikTok ku shihet duke grushtuar rivalin, pasi fillimisht konfrontohen para lokalit të reperit durrësak.

Video ishte fshirë fillimisht, për t’u ripublikuar e plotë, ku shihen pamje nga një kënd tjetër, teksa përfshihen persona të tjerë nga grupi i Noizyt të cilët hidhen në sulm ndaj Cllevios.

“Kur qeni ec në rrugën e vet, mos e nguc se qeni të han – ka thënë i moçmi. Leje të ec; në rrugë të vet”, ishte shprehur Noizy pastaj në një sesion live në Instagram, të martën.

Ndërkohë, sot ai ka reaguar sërish përmes një postimi në InstaStory, ku elaboroi në situatën dhe aludoi se është një person “me tradita dhe zakone shqiptare”, që nuk lejon të tjerët të ofendojnë familjarët e tij, të cilët – me gjasë – Cllevio i kishte pasur cak ofendimesh më herët.

“Mos ma merr mirësjelljen time për dobësi, gëzoj respekt nga e gjithë bota dhe shpeshherë anashkaloj njerëz pa tru dhe moral. Por kjo s’do të thotë asnjë moment që mund ta teprosh deri në pikën ku ti, kushdo qofsh, të ofendosh familjen time ose familjarët e rrethit tim, jam djalë me tradita dhe zakone shqiptari. Ju lutem mos e harroni kurrë këtë gjë. Jeta vazhdon”, shkroi Noizy. Ai gjithashtu potencoi se shokët e Cllevios e lanë në baltë reperin, pasi nuk reaguan fare ndaj sulmit – përveç dy personave – pavarësisht se ishin “katër vetura plot me çuna” që kishin ardhë me reperin para lokalit të tij.

Heshtja e Cllevios u thye sot, e mërkurë, kur ai publikoi fillimisht një video me lot në sy nga vetura në qarkullim, me maskë anti-Covid, derisa në sfond dëgjohet muzikë, me reperin që është i ulur në sediljen e pasagjerëve.

Pas videove të publikuara në InstaStory, ai ka publikuar një storie tjetër nga një vend ku shihet një pllakatë me shkrimin “Morgu”, derisa mbi të ai ka shkruar (e përmirësuar): “Pasoja fatale, nëqoftëse nuk ma heqin mpiksjen e gjakut në kokë, do vini këtu të më merrni për te banesa. Bravo Noizy. Do bëhesh vrasës.”

.

Një reper tjetër që u përfshi në debat sot ishte Stresi, i cili me anë të një live-sesioni në Instagram, paralajmëroi të gjithë ata “që shajnë me familje” se mund ta pësojnë keq.

“Unë e kam parashikuar çdo histori. Ju që ia shani motrën dikujt, familjen mbani mend nga ky live do të ndërrojë jetë dikush. Nëse ia shani familjen dikujt mbani mend do të dalë dikush që ka me ia fut plumb kokës. Mbajeni në mend këtë që po them”, u shpreh ai.

Ndërkohë, zhvillimi i fundit është se Noizy dhe babai i tij janë denoncuar nga Cllevio pas rrahjes së djeshme.

'ABCnews' raporton se policia ka hapur procedurë ndaj reperit dhe babait të tij, Bashkim Rajku.

Lajme të ngjashme