Njerëzit po udhëtojnë anembanë botës në kërkim të ilaçit për pavdekësinë, pseudo-shkencëtarët po i shfrytëzojnë - NACIONALE

Njerëzit po udhëtojnë anembanë botës në kërkim të ilaçit për pavdekësinë, pseudo-shkencëtarët po i shfrytëzojnë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Çdo vit miliona njerëz kalojnë kufijtë për t'iu nënshtruar trajtimeve mjekësore që janë ose të padisponueshme në vendin e tyre ose shumë të shtrenjta. Për shumicën, kjo është zgjidhja e fundit për të lehtësuar dhimbjen e një sëmundjeje ose për të sfiduar një diagnozë përfundimtare; mirëpo, për disa të tjerët qëllimet janë thjesht kozmetike. Megjithatë, viteve të fundit është shfaqur një lloj i ri "turisti mjekësor": bëhet fjalë për ata që kërkojnë ta zgjasin jetëgjatësinë e tyre.

Ka më shumë njerëz të moshuar se kurrë më parë – dhe më shumë njerëz në kërkim të jetëgjatësisë. Në Mbretërinë e Bashkuar, njerëzit mbi 65 vjeç përbënin 19% të popullsisë në vitin 2019, një rritje prej 23% nga viti 2009, në një periudhë kur popullsia totale u rrit vetëm me 7%. Dhe përparimet e fundit në shkencën e plakjes u kanë dhënë atyre shpresë se në fund të fundit mbase ca ‘ndryshime’ janë të mundura.

Por derisa shkenca ka bërë disa përparime premtuese në studimin e shkaqeve dhe implikimeve të plakjes, zgjidhjet reale janë disi larg. Në hendekun mes ofertës dhe kërkesës, një mori mashtruesish janë gati të përfitojnë nga kushdo që është aq naiv sa të besojë se mund të paguajë pak më shumë për disa vite shtesë mes të gjallëve. Shumica ofrojnë shërbimet e tyre jashtë vendit, në vende ku ‘rregullimi’ është i lehtë.

Turizmi mjekësor ka prodhuar një rrjedhë të qëndrueshme historish horror që kur udhëtimet më të lira ajrore nisën një rritje të popullaritetit të tij, filluar nga operime të ‘devijuara’ të hundës dhe buzëqeshje ‘të thyera’ deri te një numër goxha i lartë vdekjesh. Pavarësisht kësaj, ajo vazhdon të mbetet një industri gjigante. Sipas Patients Beyond Borders, tregu global i turizmit mjekësor pati vlerë 74-92 miliardë dollarë në 2019-n.

Shembulli më i shpeshtë janë terapitë e qelizave staminale, trajtimet rigjeneruese që synojnë të përdorin qelizat e trupit për të rinovuar dhe rregulluar dëmtimin e shkaktuar nga sëmundja ose përkeqësimi – një fushë kërkimi me shumë potencial, por relativisht pak trajtime të vendosura dhe të miratuara në dispozicion të pacientëve.

Megjithatë, efektet e mundshme, më shpesh të ekzagjeruara ose të pabazuara, i joshin të dëshpëruarit që të udhëtojnë larg e e më larg për të kërkuar trajtime, ndonjëherë nga praktikues me reputacion të keq. Sipas hulumtimit të publikuar vitin e kaluar, vendet kryesore për turizmin e qelizave staminale janë SHBA, Kina, India, Tajlanda dhe Meksika. I njëjti raport thotë se “teknologjitë e qelizave staminale shpesh shoqërohen me pritshmëri të fryra për potencialin e tyre terapeutik”.

Terapitë e qelizave staminale mund të ndihmojnë gjithashtu në shërimin e kancerit dhe sëmundjeve të tjera, por në librin “Çmimi i pavdekësisë” nga Peter Ward thuhet: Në garën për të jetuar përgjithmonë, gjeta një numër shembujsh të kompanive të qelizave burimore me bazë në SHBA që ofrojnë kura dhe zgjidhje të mrekullueshme për plakjen. Një klinikë në Iowa u zbulua se kishte bërë pretendime të bazuara në prezantime për klientët e mundshëm. “Kundër plakjes: Infuzionet e qelizave staminale mezenkimale i kthyen duart e Father Time rreth tre vjet! Dëshironi të ktheheni tre vjet?” lexoi një reklamim të tillë, të mbledhur nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të shtetit që po paditte kompaninë për reklama të rreme.

Edhe kur ndiqen penalisht ose disiplinohen në një vend, praktikuesit e qelizave staminale kanë qenë të njohur për të vazhduar dhe vazhdojnë të ofrojnë të njëjtat shërbime diku tjetër. Një praktikuesi në Florida iu mor licenca mjekësore në vitin 2015, pasi dy nga pacientët e tij që iu nënshtruan terapisë me qeliza staminale kishin vdekur. Kur kërkova emrin e mjekut, ai u rendit si zyrtari kryesor i shkencës në një kompani tjetër të qelizave staminale. Një recepsionist i gëzuar më tha në një telefonatë se klinika ishte ende funksionale dhe po kryente procedura në Republikën Domenikane, një pikë e nxehtë e turizmit mjekësor.

Terapitë e qelizave staminale nuk janë ofertat e vetme kundër plakjes që joshin njerëzit jashtë vendit për trajtim. Fusha e sapolindur e terapive gjenetike është në një pozicion të ngjashëm, ku kërkimet premtuese ende nuk kanë rezultuar në ndërhyrje të arritshme. Kohët e fundit kam dëgjuar gjithashtu nga një entuziast i zgjatjes së jetës në SHBA, i cili planifikoi të udhëtonte në Francë për t'iu nënshtruar plazmaferezës, një procedurë që ai pretendonte se do t'i rinonte gjakun dhe do t'i jepte një shans më të mirë për të jetuar deri në moshën 500 vjeç.

Në disa raste, pacientët nuk kanë nevojë as të fluturojnë jashtë vendit për të hyrë në operime që kanë potencialin t'i bëjnë ata të jetojnë më gjatë. Shumë njerëz të moshuar në Londër blejnë ilaçe kundër kancerit nga faqe të ndryshme interneti në Indi dhe përmes tyre kanë shpresën se do të shkatërrojë qelizat e plakura, të cilat mendohet se luajnë një rol integral në procesin e plakjes.

Gerontologët dhe studiues të tjerë e shohin këtë praktikë zhgënjyese. Shumica e shkencëtarëve, veçanërisht ata në fushën e qelizave staminale, janë të shqetësuar se këto klinika po bëjnë një para në të shpejtën, pas zbulimeve të tyre – duke dëmtuar reputacionin e këtyre teknologjive mjekësore të sapolindura. Ata predikojnë durimin, një virtyt i rrallë për njerëzit që shohin fundin e jetës së tyre në horizont.

Turizmi mjekësor paraqet rreziqe të qarta. Pacientët mund të mos gjejnë të njëjtin standard të kujdesit me të cilin janë mësuar në shtëpi, dhe është më e vështirë të vërtetohet nëse mjeku ose klinika janë legjitime. Pacientët gjithashtu mund të vuajnë nga efektet anësore nëse fluturojnë në shtëpi shumë herët pas një procedure; vështirësitë në të komunikuar mund të shkaktojnë gjithashtu probleme.

Për dikë që kërkon trajtim që nuk mund ta përballojë në shtëpi ose një kurë të pamiratuar për një sëmundje vdekjeprurëse, këto rreziqe ia vlen të merren. Por për njerëzit që thjesht kërkojnë të përmirësojnë shanset e tyre për të jetuar një jetë ‘të gjatë’, më shumë gjasa kanë të fitojnë llotari, veçanërisht kur nuk ka prova që ndonjë ndërhyrje mjekësore mund të funksionojë. Në skenarin më të mirë, ata largohen me një portofol të zbrazur. Në rastin më të keq, kërkimi i tyre për të jetuar pak më gjatë – mund të ketë, ironikisht – efekt të kundërt.

Lajme të ngjashme