Një lexim për vetminë – shqyrtim kritik për veprën ‘’Nudo’’ të Ridvan Dibrës - NACIONALE

Një lexim për vetminë – shqyrtim kritik për veprën ‘’Nudo’’ të Ridvan Dibrës

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Afërmendsh se leximi i letërsisë, sikur çdo lexim tjetër, ka tipat e vet. Kategorizime, nënkategorizime, debate, spekulime pafund janë bërë lidhur me këtë dhe këtu nuk është as vendi, as koha për t’i trajtuar. Ajo që do të themi, megjithatë, është se duke ndërruar tipi i lexuesit, ndërron edhe përshtypja që do të keni kur ta lexoni romanin ‘’Nudo’’ të Ridvan Dibrës.

Nëse jeni feminist – ju do të bërtisni fort. Nejse, një pjesë e mirë e feministëve bërtasin për pothuajse gjithçka. Pse? Në qendër të romanit është skulptori Alfred Boka, i cili emërohet drejtor i konviktit me njëmijë vajza. Bokës i lind ideja që ‘’t’i pushtojë të gjitha’’ (dhe kjo është arsyeja pse, siç shpjegon prof. Apolloni në parathënie, titull opsional për autorin ka qenë edhe ‘’Pushtimi i madh’’). Përjetimi i vetes si pushtues, dhe aktit seksual me një vajzë si pushtim, do t’ju lëvizë, patjetër. Por ky lexim ideologjik e moralist, sikur edhe një pjesë e madhe e leximeve të letërsisë që sugjerojnë bindje të caktuara politike, janë modele të pashëndetshme të leximit. Në shekullin tonë, dukshëm, kësaj i prijnë kjo pjesë e lexuesve. Sipas këtij lloji të leximit, ky libër do t’ju duket i pavlerë.

Por, libri s’është i tillë. Përkundrazi. Libri është një ‘’manifest letrar’’, i shkruar me një gjuhë të kulluar proze, që na e përfytyron në të shumtën e tij, manifestimin e dëshirave ‘’të nënvetëdijes’’. Njeriu, nënvetëdija Frojdiane e të cilit del në sipërfaqe, nuk e ka për dert t’ia shpallë vetes mision pushtimin e njëmijë femrave. Jo vetëm njëmijë femrave, por të njëmijë femrave banore të një konvikti të caktuar, të cilin e drejton ai vetë. Këtu marrin fytyrë etja për pushtet e dominim, keqpërdorimi i këtij pushteti (ose të paktën tentimi për të manovruar kësisoji me pushtetin) dhe në fund, më së rëndësishmi, vetmia.

Kur gjasat shkojnë duke rënë, njëmijëshi bëhet njëqind, njëqindëshi dhjetë e dhjetëshi një, dhe Alfred Boka, si një pjesë e madhe e ‘’të tillëve’’, e përfaqëson një njeri pushteti i të cilit është në fakt thjesht dhe vetëm përfaqësim brutal i vetmisë së tij.
Jo rastësisht, për leximin tim, libri mbyllet me
“Orët e para të mëngjesit kishin kaluar dhe njerëzit e shikonin me dyshim njëri-tjetrin. Alfredi ndjeu papritur një dëshirë gërryese për t’u mbyllur në studio e për të punuar’’.

Në anën tjetër, romani nxjerr në pah edhe manovra të shkathta me gojëdhëna, formate tekstesh e idesh të hershme, e plot të tjera të cilat lexuesi do t’i gjejë në libër e prandaj unë s’do t’i shpjegoj këtu.

Më së rëndësishmi, romani është manifest i vetmisë. Ajo vjen në shumë forma e, njëra prej tyre është edhe titulli ‘’Nudo’’. Çka nëse do të ishim ‘’Nudo’’ para vetes? ‘’A do të putheshim, apo kishim për t’u pështy’’, thotë një varg i Shkrelit. Këtë vetmim, më sublimin e vetmimeve, atë të ndërgjegjes, e përfaqëson mjaft mirë ky roman.

Lajme të ngjashme