Nëse dëshironi ta kuptoni artin modern në Kosovë, ky është libri që duhet ta lexoni - NACIONALE

Nëse dëshironi ta kuptoni artin modern në Kosovë, ky është libri që duhet ta lexoni

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ishte viti 1997. Më saktësisht muaji maj i atij viti. Mes trazirave të kohës në ish-Jugosllavi, Shkelzen Maliqi, atëherë i fokusuar më shumë në filozofi dhe publicistikë, ishte ftuar ta kuronte një ekspozitë artistike në Beograd, me artistë kosovarë. Ndër ta ishin Sokol Beqiri dhe Mehmet Behluli. Qysh atë kohë, Shkelzen Maliqi do të merrte një vendim që më vonë do të shndërrohej në një profesion për të. Kritika e artit, më saktësisht, kritika e artit bashkëkohor.

Në atë periudhë, ky lloj arti më vonë do të njihej edhe si arti i rezistencës. Sidomos në vendet e një Jugosllavie që ishte gati të shpërbëhej. Gjithashtu gjatë asaj kohe arti do të bëhej gjjithashtu shumë politik. Pra, një mjet përmes së cilit jepej një mesazh politik.

Për ta dëgjuar të plotë rrëfimin e këtij udhëtimi, ju ftojmë ta dëgjoni këtë podcast me rrëfimin e Shkelzen Maliqit në vetën e parë.

“Pas 25 vitesh e shkrova këtë libër”

“Arti në Rezistencë - Shkrimet e Fundshekullit ‘20”, titullohet libri i Shkelzen Maliqit me botues “Koliqi”, që u promovua në ditën e dytë të Panairit të 22-të të Librit në Prishtinë. Në këtë libër, Maliqi thotë se përmblidhen të gjitha shkrimet që janë shkruar para shumë vitesh, e që gjenden shumë rrallë sepse janë të shpërndara nëpër revista të ndryshme.

“Kjo ka qenë edhe një kërkesë e shumë studentëve të artit”, tha Maliqi.

Teksa shpjegon fjalinë se “librin e ka shkruar para 25 viteve” Maliqi tregon se qysh në shkrimin e parë, kritikë artit, e kishte kuptuar rëndësinë e të shkruarit për art. Dhe më vonë ishte bërë i rëndësishëm për artistët e atij brezi. Një ndër ta, ishte edhe Mehmet Behluli, i cili atë kohë ishte i ri në moshë dhe karrierë. Po flasim për vitet e para të të ‘90-ave.

“Përderisa në ish-Jugosllavi kishin filluar të funksionalizohen disa institucione të artit që ishin edhe mundësi për ne nga Kosova që ne të jemi të barabartë me artistët e tjerë të ish-Jugosllavisë, Xeni e ka përcjellë krijimtarinë tonë qysh moti dhe ka një rëndësi të madhe në interpretimin e artit të asaj kohe”, tha Behluli.

Libri është një histori e artit bashkëkohor në Prishtinë

Shkrimet e Maliqit që janë botuar në 25 vitet e fundit nëpër revista të ndryshme të ish-Jugosllavisë e që janë përmbledhur në këtë libër, për kritikun Anton Berishaj, duhet të jenë pjesë e librave akademikë për artin.

“Tekstet në këtë libër përfaqësojnë një histori të artit bashkëkohor në Kosovë”, tha Berishaj, teksa i dha epitetin Maliqit si një nga autorët, kritikët më lucidë të arit.

“Falë kompetencës së tij teorike, të paprecedentë do të thosha në kulturën shqiptare, ai na sjell një libër me kritika parë ekselancë. Kur e sheh këtë libër, të vjen keq që nuk është pjesë e kolonave akademike. Meriton të jetë në dizpozicion të studentëve të artit”, tha Berishaj.

Për librin foli edhe profesoresha e Fakultetit të Arkitekturës, Florina Jerliu, e cila foli në promovim për dy sfonde.

“Sfondi i parë e ka emrin Shkelzen, ndërsa i dyti, sfondi i qytetarisë. Shkelzeni edhe kur ka qenë i ri, edhe tash, është një nga autorët e vetëm që e ka nxitë diskursin për rininë, edhe sot kur nuk është më i ri”, tha Jerliu.

Sipas saj, në këtë libër, me këtë përmledhje për vitet ‘90, nuk e shohim vetëm artin e viteve të asaj kohe, por edhe mendimet për artin që ka ndodhur në atë kohë. Librin e Maliqit mund ta gjeni në Panairin e Librit në Prishtinë te shtandi “Koliqi” dhe kushton 12 euro.

Lajme të ngjashme