Në të vërtetë, bora nuk është e bardhë! - NACIONALE

Në të vërtetë, bora nuk është e bardhë!

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Nëse në mëngjes pas një natë me reshje të mëdha dëbore, ju hapni dritarën e dhomës tuaj – para jush do të shfaqet një botë e mbuluar me një pëlhurë të bardhë. Megjithatë, në qoftë se ju hapni rubinetin apo frigoriferin tuaj, do të vini re se në fakt, uji i rrjedhshëm, por edhe akulli, që të dy janë të tejdukshëm. Po atëherë, pse bora është e bardhë?

- Është e gjitha çështje optike!

Për ta shpjeguar se si një substancë transparente, siç është uji, mund të shndërrohet në diçka të bardhë, profesori i fizikës në Institutin e Teknologjisë në Kaliforni – Kenneth Libbrecht, njëherazi edhe autor i snowcrystals.com (një faqe në lidhje me fizikën e dëborës), përdori një analogji interesante: “Nëse e merrni një copë qelqi, ta zëmë një copë xhami, e cila siç e dini është e tejdukshme dhe e copëtoni në copëza akoma më të vogla… bëhet e bardhë!”

Sipas Libbrecht, arsyeja pse ndodh kjo është se mënyra se si drita vepron në një shtresë të vetme – sipërfaqja e copës së qelqit në këtë rast, është e ndryshme me atë se si drita vepron në copëzat tashmë të shumëfishta të qelqit, dhe se e njëjëta gjë vlen edhe për borën.

Bazuar në shkencën e optikës, kur drita bie në një objekt, tri janë veprimet që mund të ngjajnë:

1. Drita mund të depërtojë, pra, kalon nëpërmjet trupit
2. Drita mund të absorbohet, pra, “thithet” nga trupi
3. Drita mund të reflektojë, pra, tupi “e kthen” dritën prapë

Kur drita bie në një sipërfaqe të lëmuar e të sheshtë siç është xhami ose akulli, rrezet e saj zakonisht kalojnë drejt, pa devijuar drejtimin fillestar. Dhe meqë sytë tuaj arrijnë t’i shohin trupat vetëm duke përpunuar valët e reflektuara apo të absorbuara të dritës, atëherë, kjo është arsyeja pse qelqi dhe akulli zakonisht duken të tejdukshëm.

Megjithatë, në rastin e copëzave të xhamit, që mund të supozohet se ekzistojnë sipërfaqe të panumërta e të pabarabarta – kur drita bie në to, ajo shpërndahet dhe reflektohet në të gjitha drejtimet. E njëjta gjë vlen edhe për fjollat e borës, të cilat, sipas Korporatës Universitare për Kërkime Atmosferike, përbëhen nga qindra kristale akulli të vogla, të ndryshme në formë dhe strukturë.

Meqenëse drita që bie në copat e xhamit ose fjollat ​​e borës, reflektohet në mënyrë të barabartë, këto rreze përfshijnë të gjitha ngjyrat e dritës së dukshme: të kuqen, portokallin, të verdhën, jeshilen, të kaltrën, indigon dhe vjollcën – të cilat së bashku duken të bardha. Kjo është arsyeja pse syri ynë "sheh" bardh kur vështron borën.

Edhe pse tradicionalisht ngjyra e borës mbetet e bardha, ajo mund të marrë edhe ngjyra të tjera magjepsëse.

Sipas Libbrecht, ajsbergët dhe akullnajat ndonjëherë mund të duken blu, kjo ndodh kur drita hyn në to përmes çarjeve dhe në vend se të reflektojë, ajo ‘bllokohet’. Sa më thellë të ketë arritur drita, aq më shumë shmanget nga drejtimi fillestar. Duke qenë se uji dhe akulli “më shumë preferojnë të absorbojnë dritën e kuqe sesa të kaltrën”, kur më në fund rrezet e dritës arrijnë të depërtojnë nga shtresat e dëborës, për shkak të ndryshimit të gjatësisë valore ndërmjet ngjyrës së kaltër dhe të kuqe, e kaltra do të reflektohet më shumë në sytë tonë. Sa më thellë të arrijë të depërtojë drita nëpër akullnaja, aq më të kaltra do të duken ato.

Sipas Qendrës Kombëtare të të Dhënave për Dëborë dhe Akull, thellësia e borës duhet të jetë të paktën disa feet (1 feet = 3 m) për t’u arritur ky ngjyrim.

Ngjyrimet e borës me pink dhe të kuqe – të njohura si “borë shalqi” janë hulumtuar, po ashtu.

Këto ngjyra vijnë nga një lloji i veçantë i algave që jetojnë ujërat e ëmbla, e që arrijnë të mbijetojnë, edhe pse janë mbuluar me akuj.

Në mënyrë të ngjashme, grimcat dhe organizmat e tjerë gjithashtu mund ta ngjyrosin borën. Si rezultat i kësaj, Libbrecht pranon që, në mënyrë hipotetike, bora mund të marrë çdo ngjyrë të ylberit.

E natyrisht, nuk ka ndonjë gjë misterioze në atë se prej nga vjen një ngjyrim tjetër i borës – nëse shihni dëborë të verdhë vende-vende, është një bast i sigurtë që janë gjurmët e ndonjë kafshe vërdallë.

Lajme të ngjashme