Momentet kur Rita Ora dhe Dua Lipa sollën Kosovën në qendër të vëmendjes botërore
Vajzat shqiptare me prejardhje nga Kosova kanë pushtuar industrinë ndërkombëtare të muzikës. Bëhet fjalë për yjet botërore Rita Ora dhe Dua Lipa, të cilat përpos që vazhdimisht na bëjnë krenarë të gjithë shqiptarëve, ato shpesh edhe nuk hezituan ta përdorin famën e tyre që Kosovës t’i japin vëmendje botërore.
Rita Ora ishte shqiptarja e parë që preku famën në nivel të fuqishëm ndërkombëtar. Pas suksesit të këngëve “How We Do (Party)” dhe “R.I.P.”, Rita vendosi që videoklipin e këngës së saj të tretë “Shine Ya Light” ta xhirojë në Prishtinë. Me mijëra qytetarë u mblodhën përballë Pallatit të Rinisë për ta pritur Ritën të shfaqet, e cila më në fund doli para publikut me vallëtarët e saj, me një koreografi të cilën e performuan mbi shkronjat e skulpturuara të monumentit të Newborn-it. Videoklipi i cili tani ka 22 milionë klikime në YouTube, u lansua në tetor të vitit 2012, dhe përpos skenës së xhiruar te Newborn, në të shihen edhe pamje të ndryshme nga Prishtina, dhe pos të tjerash, shfaqet edhe flamuri i Kosovës.

Në një intervistë për Channel 4 në Ambasadën e Kosovës në Londër, pasi Rita Ora u emërua ambasadore nderi e Kosovës nga presidentja e atëhershme Atifete Jahjaga dhe ish-kryeministri Tony Blair, ajo flet haptazi për eksperiencat e saj si refugjate në Londër, dhe vazhdimisht tregon se ndihet krenare që është nga Kosova. Flamuri i shtetit të Kosovës shfaqet në ekran përgjatë të gjithë intervistës.

Në shkurt të vitit 2018, Rita Ora u rikthye përsëri në Kosovë, kësaj here për ta festuar 10 vjetorin e pavarësisë të Republikës së Kosovës. Ajo performoi para një audience të madhe që ishin mbledhur për të kremtuar pavarësinë së bashku. Rita, në veshjet e saj skenike kishte edhe motive kombëtare. Ajo luajti edhe vallen e Shotës bashkë me vallëtarët e saj. Më vonë, Rita postoi foto e video nga kjo natë në profilin e saj në Instagram, duke marrë me qindra-mijëra pëlqime nga fansat e saj nga e gjithë bota.

Dua Lipa dhe babai i saj Dukagjin Lipa, inaguruan festivalin muzikor Sunny Hill në gusht të vitit 2018, në të njëjtin vit kur Dua ishte ylli i parë me famë botërore që performoi aty. Edicioni i parë i festivalit rezultoi në një sukses të madh, dhe në vitin 2019 këtë sukses e vazhdoi këngëtarja ikonike amerikane Miley Cyrus, e cila disa herë e theksoi që ishte e mahnitur me Kosovën. Festivali mblodhi njerëz jo vetëm nga shtetet fqinje, por nga i tërë Ballkani.

Dua Lipa dhe Rita Ora në vitin 2020 kërkuan publikisht nga kompania Apple që Kosova të njihej si shtet i pavarur në hartën e tyre dixhitale. Dua Lipa e vazhdoi bisedën rreth kësaj teme edhe më tutje, duke e postuar në profilin e saj në Instagram një hartë që përfshinte Kosovën, Shqipërinë, dhe disa pjesë të disa shteteve fqinje. Ky post shkaktoi frustrim te një pjesë e publikut, të cilët pretendonin se Dua po e përkrahte idenë e zgjerimit të Shqipërisë. Më vonë, ajo e quajti “keqinterpretim” të gjithë bujën që u bë, dhe tha që sa herë që ajo poston në lidhje me Kosovën, qoftë edhe për diçka të gëzueshme si për ushqim tradicional ose muzikë, njerëzit shkaktojnë drama të panevojshme.
Në një video prezentuese për Akademinë e Regjistrimeve Grammy në 2021, Dua Lipa flet për prejardhjen e saj nga Kosova dhe na rikujton që ndihet krenare për rrënjët e saj. Po në të njëjtin edicion, ajo fiton çmimin Grammy për albumin pop me vokalin më të mirë.

Së fundmi, qendra e mendimit për çështje ndërkombëtare, Atlantic Council, nderoi Dua Lipën me Çmimin për Lidership Artistik të Shquar në nëntor 2021. Në fjalimin e saj, sigurisht që Dua foli për Kosovën, dhe e adresoi çështjen e liberalizimit të vizave. Gjatë fjalimit të saj, në audiencë ishin prezente edhe figura politike si Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, dhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.
Këto ishin vetëm disa nga momentet kryesore të viteve të fundit kur shqiptaret me famë botërore Rita Ora dhe Dua Lipa i dhanë Kosovës vëmendje të jashtëzakonshme dhe publicitet pozitiv botëror.