Me vallëzim si protestë, kërcimtarët profesionistë e informojnë ministrin Çeku
Nesër në orën 10:00 në sheshin Zahir Pajaziti para MKRS-së, koreografët e Kosovës do të mbajnë një protestë kundër shkeljes së dinjitetit profesional, ku shënojnë edhe Ditën Botërore të Vallëzimit.
Koreografi Robet Nuha ka thënë se kjo protestë organizohet nga koreografë e kërcimtarë profesionistë që jetojnë e veprojnë në Republikën e Kosovës. Qëllimi i gjithë kësaj është për t’u dëgjuar zëri i tyre dhe të mos injorohen si deri më tash nga institucioni i MKRS-së.
Para disa ditësh koreografi Robert Nuha ka reaguar për deklaratën e Ministrit Çeku, i cili gjatë një interviste të dhënë në kanalin 10 ka thënë që Kosova nuk ka profesionistë të kualifikuar në koreografi.
Nuha ka thënë se me këtë, ministri ka fyer shkollimin e gjithë koreografëve të Kosovës.
Nuha në Facebook tha se nga ana e koreografëve kjo është e papranueshme, dhe sipas tij, kjo deklaratë e ministrit ishte nga mosinformimi.
“Z. Hajrulla Çeku, ministri i Kulturës së Republikës së Kosovës, del në media me një prononcim të papranueshëm nga ana jonë si Koreografë e artistë të këtij vendi, duke folur dhe duke zhbërë me kaq lehtësi shkollimin tonë të lartë universitar. Gjithsesi ne nuk po e dimë a e ka bërë këtë prej mosinformimit, apo prej vendimit jo të përshtatshëm, duke zgjedhë një KLARINETIST në drejtimin e Baletit Kombëtar të Kosovës, Ministri shprehet se në Kosovë nuk ka kuadro me shkollim të lartë në fushën e koreografisë!”, ka shkruar Nuha.
Ai më tej bëri me dije rreth koreografëve Kosovarë që janë të dëshmuar e të shkolluar profesionalisht. Ai përmendi edhe drejtorin e BKK-së, i cili sipas tij kishte zhvlerësuar Akademinë e Arteve në Tiranë, duke e quajtur atë komuniste.
“Dua t’i bëj me dije ministrit që në Kosovë ka mjaftueshëm Koreografë të dëshmuar e me shkollim adekuat të Koreografisë në programet e studimit Bachelor dhe Master në Universitetin e Arteve në Tiranë, diplomën e të cilit kam nderin ta kem edhe unë, krahas kolegëve të nderuar Xhemajli Berisha, Dilaver Kryeziu, Haki Mulliqi, Driton Saqipi, Labinot Rexhepi, Luljeta Braha, Rreze Qerreti, Tringa Shala, Erëza Xheladini, Prek Memaj, Besnik Grajqevci, Mehmet Xhemajli, Krenare Daka. (sa për t’jua rikujtu qe drejtori juaj i BKK-së, në të kaluarën e afërt zhvlerësoi Akademinë e Arteve në Tiranë, duke e quajtur komuniste). Gjithsesi, disa prej kolegëve të lartpërmendur, pikërisht pse kanë këtë diplomë janë punësuar në institucione kulturore apo arsimore të Republikës së Kosovës, si p.sh. Dilaver Kryeziu - ish-drejtor i ansamblit Shota, Haki Mulliqi - profesor ne Universitetin e Arteve Prishtinë, Krenare Daka dhe Driton Saqipi - mësues të baletit në shkollën e muzikës në Prishtinë, Luljeta Braha dhe Erza Xheladini - mësuese baleti në shkollën e baletit në Prizren. Përveç kesaj tash e 3 vite është akredituar Fakulteti i Koreogeafisë pranë Kolegjit AAB - Arkitekturë dhe Arte në të cilën pikërisht ne edukojmë brezat e ardhshëm të kërcimtarëve profesionistë e gjithashtu Koreografëve!”, shkroi më tutje Nuha.
Përndryshe, e gjithë ky manifestim u provokua, siç e thamë më lart kur Ministri Çeku tha se Kosova nuk ka profesionistë të koreografisë.