Longlegs – Regjia nga Osgood Perkins
Shkruan: Jon Krasniqi
Longlegs nga Osgood Perkins është një nga filmat horror më të përfolur të vitit 2024, duke kombinuar një ngjarje shumë intriguese, me një narrativë të një vrasësi serial dhe një atmosferë demonizuese të mbushur me ankth. Me Nicolas Cage që luan antagonistin kryesor dhe Maika Monroe në rolin e agjentes së FBI-së (Lee Harker), filmi ndërton një horror psikologjik të zhvilluar mes reales dhe mbinatyrores.
Filmi që në minutat e parë, fillon me një skenë mjaft të parehatshme, që përcakton tonin e pjesës tjetër të tij, 101 minuta me ankth, një kohëzgjatje ideale për një film horror. Perkins (regjisori) përdor pamje gotike të errëta, në zhbërjen e një misteri të përqendruar rreth një seri vrasjesh të çuditshme.
Vendosja e ngjarjes së filmit (1970-90), e shkëputur nga teknologjitë moderne si celularët dhe kompjuterët, e shton ndjesinë klaustrofobike të filmit, duke e izoluar më tej protagonisten teksa ajo thellohet në hetimin e vrasjeve.
Performanca e Maika Monroe si Lee Harker spikatet për natyrën e saj. Në kontrast me klishetë e filmave me hetues apo detektiv, që zakonisht e kanë një rol të “fortë”, ajo sjell një natyralitet tek roli I saj. Ndërsa elementet mbinjerëzore intensifikohen në ngjarjen e filmit, frymëmarrja e saj bëhet më e rëndë, duke e zhytur publikun në frikën që ajo ndjen – jo për shkak të forcës së saj, por për shkak të humanitetit të rolit të saj.
Nicolas Cage, që shfaqet në ekran vetëm për një pjesë të shkurtër të filmit, ofron një performancë të paharrueshme si vrasësi serial satanik dhe i frikshëm. Fytyra e tij e bardhë dhe sjellja e tij mëse e çuditshme, e bëjnë të ketë një prani tmerruese, edhe pse ai mbetet më shumë një hije e zymtë në film. Dëgjimi i zërit të tij dhe performancës në përgjithësi, e bëjnë këtë një nga rolet më të paharrueshme të Cage në zhanrin horror.
Vetë skenari është një enigmë e menduar mirë, me Harker-in që heton vrasjet që ndodhin në ditëlindjet e viktimave, të gjitha të lidhura me shënime të koduara të lëna nga Longlegs (Nic Cage). Ndikimi satanik në film, i përzier me frymëzime nga vrasës të vërtetë serialë si Zodiac dhe Manson, shton nivele të realizmit në ngjarjen e filmit. Por filmi nuk është vetëm për frikën dhe ankthin që shkakton. Filmi lë hapësirë që audienca të plotësojë boshllëqet, me Perkins (regjisori) që sugjeron tmerre pa i treguar plotësisht, duke lejuar imagjinatën e shikuesit të paramendoj të tjerat.
Për adhuruesit e horrorit që kërkojnë diçka më mendjemprehtë dhe jo të mbështetur në ‘jumpscares’, Longlegs është një film që duhet parë. Kinematografia mjaft interesante, performancat e forta dhe atmosfera shqetësuese bashkohen për të krijuar një horror që do të mbetet me ju edhe pasi filmi të mbaroj.
Shikoni në kinema, shiko në shtëpi, apo injorojeni?
Shiko në shtëpi.
Vlerësimi: ★★★½ nga 5