Kush ishte njeriu më i zgjuar në botë?
Një person vërtet i zgjuar nuk është vetëm inteligjent, por i ditur dhe krijues. Isaac Newton - një matematikan, fizikan, shpikës, ekonomist dhe teolog, ishte personi më i zgjuar që ka jetuar ndonjëherë. Shkëlqimi i tij i pashembullt, megjithatë, erdhi me një kosto shumë të lartë.
Kush ishte njeriu më i zgjuar në botë? Sigurisht që ka shumë pretendentë të denjë. Sot, vetë emri i “Einstein-it” është sinonim i gjeniut. Të tjerë mund të sugjerojnë Stephen Hawking-un. Ata që e vlerësojnë letërsinë dhe muzikën mund të lobojnë për William Shakespeare-n ose Ludwig van Beethoven-in. Historianët mund ta rekomandojnë Benjamin Franklin-in.
Çfarë kuptojmë me ‘i zgjuar’?
Përpara se të paraqes sugjerimin tim, së pari duhet të diskutojmë se çfarë nënkuptojmë me termin 'i zgjuar'. Në mënyrë rutinore, ne nuk bëjmë ndonjë diferencë mes fjalëve i zgjuar dhe inteligjent, megjithatë, ato nuk janë domosdoshmërisht e njëjta gjë. Ekziston një debat i vazhdueshëm mes psikologëve, neuroshkencëtarëve dhe ekspertëve të inteligjencës artificiale se çfarë është në të vërtetë inteligjenca, por për qëllimet tona këtu, do të mjaftojë një përkufizim i thjeshtë fjalori: “aftësia për të mësuar, arsyetuar, kuptuar dhe forma të ngjashme të aktivitetit mendor; aftësia për të kuptuar të vërtetat, marrëdhëniet, faktet dhe kuptimet.”
Ky përkufizim i inteligjencës nënkupton njohuri të përgjithshme. Një person inteligjent i aftë për të kuptuar mekanikën kuantike është i padobishëm për shoqërinë nëse ai është injorant. Pra, një person vërtet i zgjuar do të dijë shumë gjëra, mundësisht për shumë tema të ndryshme. Ai duhet të jetë një polimat, me fjalë të tjera.
Së fundi, ekziston elementi i krijimtarisë. Njerëzit krijues mendojnë në forma në të cilat shumica e njerëzve të tjerë nuk mendojnë. Aty ku shoqëria sheh një rrugë pa krye, një person krijues sheh një mundësi.
Cili person nga historia e njerëzimit ishte manifestimi i inteligjencës, diturisë dhe krijimtarisë?
- Pa dyshim, Isaac Newton-i.
Shkëlqimi i pashoq i Isaac Newton-it
Sa ishte IQ e Newton-it? Është e pamundur të thuhet. Testet e IQ-së nuk ekzistonin në shekullin e 17-të dhe nëse do të ekzistonin, zoti Newton me siguri nuk do të kishte denjuar të kalonte 90 minuta duke plotësuar një test me shumë zgjedhje. Për më tepër, ai ka të ngjarë ta kishte përfunduar testin herët dhe më pas do ta kalonte kohën e mbetur duke korrigjuar gabimet dhe duke hartuar pyetje më të vështira.
Askush nuk dyshon se Isaac Newton ishte një njeri inteligjent, por ai gjithashtu shfaqi edhe dy karakteristikat e tjera të përshkruara më lart: dijen dhe kreativitetin.
Newton-i ishte një polimat i vërtetë. Jo vetëm që zotëronte fizikën dhe matematikën, por ishte edhe teolog. Ai ishte i fiksuar pas eskatologjisë* dhe bazuar në interpretimin e tij të Biblës, llogariti se Jezu Krishti do të kthehej në Tokë në vitin 2060. Përkushtimi i tij ndaj fesë ishte aq i madh sa, sipas Nature, më shumë se gjysma e shkrimeve të tij të botuara ishin mbi teologjinë.
Ai gjithashtu ishte i dhënë edhe pas alkimisë. Por, ju mos e përdorni këtë kundër tij!
Shumë shkencëtarë të mëdhenj të kohës së tij besonin se çdo metal mund të shndërrohej në ar. The Economist shpjegon pse nocioni nuk ishte krejtësisht i paarsyeshëm në kohën e Newton-it:
“Teoritë alkimike nuk ishin marrëzi. Për shembull, minerali i plumbit shpesh përmban argjend dhe minerali i argjendit shpesh përmban ar, kështu që ideja që plumbi 'kthehet' në argjend dhe argjendi në ar, kishte njëfarë logjike. Alkimistët zbuluan gjithashtu disa elemente, të tilla si fosfori."
Për më tepër, në vitet e vonshme të jetës së tij, Njutoni u mor edhe me ekonomi. James Gleick, autor i biografisë se Newton-it, shkroi se "ai e luftoi çështjën e teorisë monetare dhe monedhës ndërkombëtare". Si Master i Mint**, Newton-it iu dha për detyrë të gjurmonte falsifikuesit e monedhave, gjë që ai e bëri, siç shkroi Gleick, "me zell dhe madje egërsi". Ai nuk tregoi aspak mëshirë gjatë rrugës së tij të pamëshirshme për drejtësi. Kur falsifikuesi famëkeq William Chaloner sulmoi integritetin personal të Newton-it, ai dyfishoi përpjekjet e tij për ta kapur atë. Mental Floss raporton:
“Duke vepruar më shumë si sherif i thinjur sesa një shkencëtar i nderuar, Newton-i u dha ryshfet hajdutëve për informacion. Filloi të kërcënonte. Ai kishte mbështetjen nga gratë dhe zonjat e bashkëpunëtorëve të Chaloner-it. Me pak fjalë, ai u bë Dirty Harry i Londrës së shekullit të 17-të."
Aftësia çkamufluese e Newton-it funksionoi. Chaloner u kap dhe u var.
Ajo që me të vërtetë e veçoi Newton-in nga mendjendriturit e tjerë ishte krijimtaria e tij e pashembullt. Ai krijoi mjete të shumta që thjesht nuk kanë ekzistuar kurrë më parë. Për shembull, për të studiuar nxitimin, ndryshimin e shpejtësisë, kërkohej diçka që shkonte përtej algjebrës bazë. Ky ‘mjet’, i quajtur derivat, është funksioni më themelor në llogaritje. Nuk ekzistonte në shekullin e 17-të. Njutoni e shpiku atë.
Për të gjetur zonën nën një kurbë, nevojitej po ashtu diçka tjetër, përtej algjebrës bazë. Ky ‘mjet’, i quajtur integral, është funksioni i dytë më themelor për llogaritje. Ashtu si derivati, integrali nuk ekzistonte në shekullin e 17-të. Pra, Njutoni e shpiku atë. Ai shpiku gjithashtu një teleskop reflektues dhe ‘kreshtat’ në monedha – të cilat shërbejnë si një masë kundër vjedhjes që parandalon "kopjimin e monedhave".
Zbulimet e Newton- it përmblidhen ndoshta më së miri nga epigrafi i biografisë nga Gleick-u, i cili u shkrua nga burri i mbesës së tij në 1726:
“E pyeta se kush e kishte bërë, ai tha se e bëri vetë, dhe kur e pyeta se ku i gjeti mjetet, tha se i bëri vetë dhe duke qeshur shtoi se nëse do kisha pritur që njerëzit e tjerë të krijonin veglat dhe gjërat e mia për mua, nuk kisha bërë kurrë asgjë…”
Kostoja e lartë e të qenit gjeni
Mjerisht, pavarësisht nga fama e tij, Isaac Newton bëri një jetë shumë të vetmuar. Shkëlqimi i tij i pakrahasueshëm erdhi me një kosto të lartë; natyra e tij e tërhequr dhe antisociale sugjeron fuqimisht se ai ishte autik dhe obsesiviteti që kishte sugjeron sëmundje mendore, ndoshta çrregullim obsesiv-kompulsiv. Mental Floss e përshkruan në një mënyrë mbase jo aq të përshtatshme, gjoja se Newton-i vuante nga "gjithçka":
“Historianët pajtohen se atij ‘i ndodhnin plot gjëra’. Njutoni vuante nga ngritje-zbritje të mëdha në disponimin e tij, duke treguar çrregullim bipolar, të kombinuar me tendenca psikotike. Paaftësia e tij për t'u lidhur me njerëzit mund ta vendosë atë në spektrin e autizmit. Ai gjithashtu kishte një tendencë për të shkruar letra të mbushura me iluzione 'të çmendura', të cilat disa historianë mjekësorë mendojnë se janë tregues të skizofrenisë."
"Sa më shumë që studioj Isaac Newton-in, aq më tërheqës bëhet ai. Për mendimin tim, gjenialiteti i djaloshit nga Woolsthorpe nuk është tejkaluar dhe as do të tejkalohet kurrë.”
Shkruar nga:
Alex Berezow
P.S. * Pjesë e teologjisë që merret me vdekjen, gjykimin dhe fatin përfundimtar të shpirtit të njeriut.
** Titull që jepet nga Royal Mint për personin më të përshtatshëm përgjegjës për funksionin e tij. [shënime nga përkthyesja]