Kryeqendra botërore e turizmit, Davosi, është ‘pushtuar’ nga shqiptari Esat Lika
Kemi parë me lakmi liderët e politikës dhe biznesit botërorë të mbledhur në kryeqendrën botërore të turizmit, Davos, përgjatë viteve. Nuk na ka shkuar ndërmend se një shqiptar nga Kosova mund të depërtonte deri aty. Por, kjo tashmë ka ndodhur.
Korporata LIKA Holding AG pritet të ndërtojë një hotel prestigjioz për samitin në Davos, dhe kjo bëhet në vendin ku ishte klinika e famshme e këtij vendi të vogël, një senatorium që ishte përshkruar gjerësisht në “Malin Magjik” të shkrimtarit famoz gjerman Thomas Mann.

Por, siç shpjegon gazetari Claudio de Pedrini, investitori shqiptar do ta ruajë ndërtesën edhe pse nuk është monument kulture i mbrojtur.
Investitori Lika Holding AG do ta ndërtojë kompleksin e ri në krah të ndërtesës ekzistuese në atë mënyrë diskrete që “ndërtesat e reja të mos e mbulojnë ndërtesën e vjetër”.
Siç tregon një nga anëtarët e parlamentit të qytetit Davos, Simi Valar, ishte hapur një konkurs arkitekturor kombëtar dhe ndërkombëtar për krijimin e një projekti të ri në harmoni me ndërtesën ekzistuese të klinikës.

“Qëllimi i qytetit të Davosit ishte të këshillonte investitorët Lika Holding AG në këtë rrugëtim dhe t’iu tregojë atyre se çfarë njerëzit e Davosit do të kishin dashur të kenë atje lart. Investitorët Lika Holding AG ishte bashkëpunuese dhe i mirëpritën këshillat tona,” – thotë ai.
Nga korporata kanë thënë se klinika ekzistuese do të shndërrohej në një hotel dinjitoz.

Punimet pritet të fillojnë në verë të këtij viti ndërsa dyert e hotelit do të hapen në vitin 2024.
Klinika ka shërbyer për dekada me radhë si burim i një atraksioni të madh turistësh e edhe pacientësh për shkak të popullaritetit të jashtëzakonshëm që e kishte pasur libri “Mali Magjik” nga Thomas Mann.