Karameta u bë Metë: Të gjithë deputetët që kanë 'telashe' me mbiemrat
Deputeti i Listës Vjosa – e që është pjesë e grupit Parlamentar të Vetëvendosjes - para disa javësh duket se ka vendosur që të ndryshojë mbiemrin e tij. Nga Burim Karameta siç quhej dikur, ai ka vendosur që t’i heqë katër shkronjat e para “Kara” për ta lënë vetëm “Meta”, siç quhet edhe kompania e platformës më popullore në Kosovë, Facebook.
Besohet që këtë ndryshim, ish-Karameta e ka bërë për shkak të fjalës që përshkruan organin gjenital mashkullor.
Në fjalorin e gjuhës shqipe, “Kara” ka definicionin e mëposhtëm:
- 1. Kalë me qime të zezë, vraç. I hipi karait.
- 2. Pëllumb me pendë të zeza.
Kujtojmë që Vetëvendosje i ishte kapur ish-kryeministrit Avdullah Hoti pikërisht për mbiemrin. Nga Hoti, deputetët e kësaj partie – përfshirë kryeministrin – ia bënë kryeministri “Koti”.
Sidoqoftë, ka edhe një varg deputetësh të Vetëvendosjes dhe partive tjera, e të cilët janë mjaft çorientues.
T’i përflasim disa prej tyre.
Faton P E C I
Nëse Faton Peci do të vendoste të hiqte nga mbiemri shkronjat që përshkruajnë organin gjenital mashkullor atëherë do të mbeste pa asnjë shkronjë në mbiemër. Pra, do të mbeste pa mbiemër fare.
Hajrulla Ç E K O
Nëpër medie, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS) vazhdimisht quhet Hajrulla Çeku. Sidoqoftë, emri i tij zyrtar – e që besohet se është regjistruar kësisoji edhe në KQZ – është Hajrulla Çeko.
Çeku është mbiemër shumë më i zakontë në Kosovë sesa Çeko dhe te mbiemri i tij mund të ketë pasur ndonjë lëshim teknik në çertifikatën e lindjes.
Vasfije B L A I R
Vasfije Krasniqi-Goodman është emri me të cilin është prezantuar në opinionin publik deputetja frymëzuese e Vetëvendosjes. Sidoqoftë, nëse marrim për bazë regjistrimin zyrtar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, mbiemri i saj duket se është Blair.
Blair quhej edhe një ndër liderët më dashur për Kosovën, ish-kryeministri Britanik Tony Blair.
Doarsa K I C A Xhelili
Deputetja e Listës Vjosa që po përflitet si kryetare e mundshme e partisë më të re parlamentare ka një mbiemër të çuditshëm.
Kica është mbiemri i deputetes në fjalë që në zgjedhjet e 14 shkurtit i mori mbi 10 mijë vota.
Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, ky është kuptimi i kësaj fjale:
KICA m. vet. fëm.
Dhëmbët e parë që i dalin fëmijës, dhëmbët e qumështit. I dolën kicat.
Salih Z Y B A
Salih Zyba nga Suhareka është një ndër themeluesit e Lëvizjes Vetëvendosje. Përkundër kthjelltësisë së pamohueshme, mbiemri i tij sipas fjalorit përshkruan Zybën si vijon:
ZYBË f. thjeshtligj., sha
Njeri i humbur e i pazoti; njeri i trashë nga mendja.
Vjosa O S M A N I Sadriu
Se si quhet zyrtarisht presidentja e Kosovës është e vështirë të thuhet. Dikush e quan Vjosa Osmani-Sadriu e dikush thjesht Vjosa Osmani.
Në KQZ ajo është regjistruar vetëm si Vjosa Osmani, ashtu siç quhet edhe në Facebook.
Por, ajo është e martuar me z. Prindon Sadriu dhe në shumë raste është quajtur Vjosa Osmani-Sadriu.
Labinotë D E M I Murtezi
Deputetja që kundërshtoi ashpër bashkësitë e regjistruara civile për personat e seksit të njëjtë në mbiemër ka demin, kafshën tonë të dashur.
DEM m.
- Viç dy-tre vjeç; ka i ri dhe i patredhur, që mbahet për ndërzim. Dem i fortë. Dem race (damazi). Demat e ndërzimit. Kokë demi. Ndeshje me dema. I fortë si dem. E ka qafën si të demit.
- Trari më i trashë që vendoset në dyshemenë e një shtëpie. U thye demi. Demi zgjidhet i trashë.
- fig. bised. Djalë i shëndoshë e i fortë. Është bërë dem.
Përveç deputetëve të Vetëvendosjes, të çuditshëm mbiemrat i kanë edhe shumë anëtarë të partive të tjera. Ta zëmë, Fikrim D A M K A (njollë e turpshme që i vihet dikujt a diçkaje për ta poshtëruar).
Ne inkurajojmë të gjithë qytetarët e Kosovës që nuk ndihen rehat me emrat apo mbiemrat e tyre që t'i bëjnë ndryshimet e nevojshme. Inkurajojmë edhe gratë që të mos marrin mbiemrat e burrave pas martesës nëse edhe burrat nuk e bëjnë të njëjtën gjë.