Llafazanët, edhe nëse janë budallenj, bëhen liderë - thotë hulumtimi
Hulumtimet tregojnë se ata që kalojnë më shumë kohë duke folur priren të dalin si udhëheqës të grupeve, pavarësisht nga niveli i inteligjencës së tyre.
Një studim i ri propozon "hipotezën e llafazanit" për t'u bërë udhëheqës i një grupi. Studiuesit tregojnë se inteligjenca nuk është faktori më i rëndësishëm për udhëheqje. Ata që flasin më shumë priren të dalin si udhëheqës grupi.
Nëse dëshironi të bëheni lider, filloni që tani. Nuk është domosdoshmërisht e rëndësishme se çfarë thoni. Hulumtimet e reja tregojnë se grupet pa ndonjë drejtues mund ta gjejnë një të tillë nëse dikush fillon të flasë shumë.
Ky fenomen i njohur si "hipoteza e llafazanit", nuk varet as nga inteligjenca e anëtarëve të grupit dhe as nga tipi i personalitetit të tyre. Liderët zgjedhen në bazë të sasisë së të folurit, jo cilësisë.
Studiuesi Neil G. MacLaren, autori kryesor i studimit të botuar në The Leadership Quarterly, beson se puna e ekipit të tij mund të përmirësojë mënyrën se si organizohen grupet, si trajnohen dhe vlerësohen individët brenda tyre.
“Rezulton se përpjekjet e hershme për ta vlerësuar cilësinë e lidershipit janë shumë të lidhura me një gjë të thjeshtë - sasinë e kohës që anëtarët e grupit folën gjatë një diskutimi”, u shpreh MacLaren, i cili është një studiues në Universitetin Binghamton.
Derisa ne priremi t'i mendojmë liderët si njerëz që ndajnë ide të rëndësishme, lidershipi mund të ‘zbresë’ tek kushdo që "llafas" më shumë. Të kuptuarit e lidhjes ndërmjet numrit të njerëzve që flasin dhe mënyrës se si ata perceptohen si liderë është çelësi për rritjen e njohurive tona për dinamikën e grupit.
Fuqia e fjalëve
Hulumtimi përfshiu 256 studentë të universitetit, të ndarë në 33 grupe me nga katër deri në dhjetë persona secili. Atyre iu kërkua të bashkëpunonin ose në një lojë simulimi kompjuterik ushtarak (BCT Commander) ose një lojë të orientuar drejt biznesit (CleanStart). Lojtarët kishin dhjetë minuta për të planifikuar se si do ta kryenin një detyrë dhe 60 minuta për ta realizuar atë në grup. Një person në grup u caktua rastësisht si "operator", detyra e të cilit ishte të kontrollonte ndërfaqen e përdoruesit të lojës.
Për të përcaktuar se kush u bë udhëheqësi i secilit grup, studiuesit u kërkuan pjesëmarrësve para dhe pas lojës të emëronin një deri në pesë persona për këtë qëllim. Shkencëtarët zbuluan se ata që flisnin më shumë kishin gjithashtu më shumë gjasa të nominoheshin. Kjo mbeti e vërtetë pas kontrollit për një sërë variablash, si njohuritë e mëparshme të lojës, tipare të ndryshme të personalitetit ose inteligjencën.
Në një intervistë për PsyPost, MacLaren tha se "provat duken të qëndrueshme që njerëzit që flasin më shumë kanë më shumë gjasa të shihen si udhëheqës".
Një zbulim tjetër ishte se paragjykimi gjinor dukej se kishte një efekt të fortë se kush konsiderohej udhëheqës. “Nga të dhënat tona, meshkujt marrin mesatarisht një votë shtesë vetëm për faktin se janë meshkuj”, shpjegoi MacLaren.
"Efekti është edhe më ekstrem për individin me më shumë vota," përfundoi ai.