“Gjiganti i letërsisë shqipe”: Mediat botërore raportojnë për shuarjen e Kadaresë - NACIONALE

“Gjiganti i letërsisë shqipe”: Mediat botërore raportojnë për shuarjen e Kadaresë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Mediat e njohura botërore, përfshirë agjencinë amerikane të lajmeve, “Associated Press” dhe gazetën franceze, “Le Monde”, raportuan të hënën për ndarjen nga jeta të shkrimtarit më të njohur shqiptar, Ismail Kadare.

“Romancieri i famshëm shqiptar, Ismail Kadare, ka vdekur pasi ishte dërguar me urgjencë në një spital në Tiranë, tha botuesi i tij të hënën. Ai ishte 88 vjeç. Kadareja për një kohë të gjatë është përmendur si pretendent i mundshëm për Çmimin Nobel për Letërsi” – raportoi agjencia “Associated Press”.

Gazeta e njohur franceze, “Le Monde”, mes tjerash shkroi: “Tregimi i sofistitikuar i rrëfimeve – shpesh i krahasuar me atë të George Orwell-it e Franz Kafkës – i përdorte metaforën dhe ironinë për ta zbuluar natyrën e tiranisë nën Enver Hoxhën, i cili e udhëhoqi Shqipërinë nga viti 1946 e deri në vdekje, më 1985.”

Ndërkohë, e përditshmja e njohur britanike, “The Guardian”, shkroi: “Duke shkruar nën hijen e diktatorit shqiptar, Enver Hoxha, Kadareja e ekzaminonte shoqërinë bashkëkohore përmes thjerrave të alegorisë dhe mitit në romanet si “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, “Kështjella” dhe “Pallati i Ëndrrave”.”

“Pas ikjes në Paris vetëm disa muaj para se qeveria komuniste e Shqipërisë të kolapsonte më 1990, reputacioni i tij vazhdoi të rritej, përderisa ai vazhdonte të rikthehej në rajon në fiksionin e tij. I përkthyer në më shumë se 40 gjuhë, ai fitoi një varg shpërblimesh, përfshirë çmimin “Man Booker International” – thuhet më tej në raportin e gazetës britanike.

Për shuarjen e Kadaresë raportuan edhe media të tjera, përfshirë gazetën e njohur amerikane, “The Washington Post”.

Lajme të ngjashme