Frankenstein – Regjia nga Guillermo del Toro - NACIONALE

Frankenstein – Regjia nga Guillermo del Toro

2 javë më parë

nga NACIONALE

Shkruan Jon Krasniqi

Guillermo del Toro kthehet me një tjetër film klasik. Frankenstein, tashmë në Netflix, e sjell romanin e njohur të Mary Shelley në ekranin e madh, me estetikën e tij karakteristike gotike dhe me një histori të ngarkuar emocionalisht. Jacob Elordi që luan “Krijesën”, interpreton në mënyrë brilante një rol që do ta përkufizojë karrierën e tij, ndërsa Oscar Isaac dominon çdo skenë si Victor Frankenstein, një njeri i konsumuar nga dhimbja, obsesioni dhe kërkimi i pamëshirshëm për pavdekësi.

Vizualisht, filmi është mahnitës. Kinematografia dhe efektet praktike krijojnë një botë aq interesante, sa edhe në ekranin e shtëpisë është e vështirë të largosh sytë nga ekrani. Regjisori del Toro nuk kap vetëm horrorin e krijesës, por edhe tragjedinë e tij. Është një dramë–horror që ndërthur mjeshtërisht spektaklin me thellësinë e rrëfimit.

Filmi zhytet thellë në traumat e Victorit, një njeri i formuar nga ambicia e ftohtë e të atit dhe përpjekja e tij e pafund për të sfiduar vdekjen. Ora e parë e filmit është dinamike, ndërsa gjysma e dytë ngadalësohet për t’i lënë hapësirë emocionit dhe peshës morale të historisë. Për del Toron, Frankenstein është projekt personal. Ai ka ëndërruar ta realizojë këtë film që nga fëmijëria, dhe pas 30 vitesh më në fund e ka sjellë në jetë. Ai e merr një libër nga Britania e Madhe e shekullit XIX, që ngjarjen e ka të bazuar në Zvicër, dhe e kthen në një film epik të Hollywood-it.

Del Toro mbetet një nga regjisorët e rrallë “klasikë” të kinemasë, që gjen më shumë magji në efektet reale dhe mjeshtërinë praktike sesa në efektet digjitale apo kompjuterike. Siç ka thënë vetë: do të “preferonte të vdiste” sesa të përdorte inteligjencë artificiale gjenerative në filmat e tij. Kjo vërehet, pasi që Frankenstein duket i prekshëm, i ndërtuar me duar njerëzore - një film për atë se çfarë do të thotë të jesh njeri.

Ashtu si vetë Krijesa, edhe imazhi ynë kolektiv për Frankenstein-in është i qepur nga qindra ripërpunime, vepra, filma, seriale, por ky film qëndron më vete, me identitet të plotë. Është filozofik, eksploron vetminë, moralin dhe pyet se çfarë vlere ka jeta pa një shoqërues. Ritmi dhe stërzgjatja e filmit nuk është perfekte, por zemra dhe vizioni i tij janë të padiskutueshëm.

Verdikti: (4.5 nga 5 yje)

Historia e Krijesës dhe mungesa e empatisë mbetet po aq relevante sot sa ishte në vitin 1818 dhe pak regjisorë do të kishin mundur t’i jepnin asaj një frymë të re si Guillermo del Toro. Një rikrijim emocional dhe vizualisht mahnitës. Duke u transmetuar në Netflix nga data 7 nëntor.

Lajme të ngjashme