Filmi "Zgjoi" në Beograd, Petriq ndan përshtypjet e saj - NACIONALE

Filmi "Zgjoi" në Beograd, Petriq ndan përshtypjet e saj

1 vit më parë

nga NACIONALE

Në ditën e fundit të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, u shfaq edhe filmi i njohur “Zgjoi”, në Arkivin e filmit jugosllav.[1]

Ajo që doli në skenë për të përkujtuar se festivali “Mirëdita, dobar dan!” ka nisur si inspirim nga aktori shqiptar Bekim Fehmiu dhe se shfaqja e filmit “Zgjoi” është një rast i mrekullueshëm për ta kujtuar këtë fakt, ishte Fiona Jelići nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (Serbi).

Po ashtu ajo, nuk la pa përmendur edhe sukseset e shumta të cilat i ka arritur filmi “Zgjoi”.

Salla përplot njerëz, të pranishmit arritën të preknin të vërtetën e historisë së personazhit kryesor, Fahrije Hoti, tek e cila nën aktrimin mahnitës të aktores Yllka Gashi, në minutat e para të filmit, shohim konfrontimin për tu përballuar me një realitet patriarkal ku puna e grave nuk mund të kalojë përtej dyerve të shtëpisë, dhe vërehet dhimbja e madhe për zhdukjen e burrit të saj në luftën në Kosovë. Në përfundim e sipër, teksa filmi po shënonte edhe fundin, audienca ishte ajo që shpërtheu në lot e njëkohësisht ndjeu thellë edhe dhimbjen e atyre familjeve që ende mbajnë shpresë për personat e pagjetur.

Ishin duartrokitjet, brohoritjet, dhe fishkëllimat që e shoqëruan fundin e këtij filmi.

Filmi i vetëm nga Ballkani Perëndimor që hyri në listën e shkurtër për nominimin për ‘Oskar’ këtë vit është filmi “Zgjoi”. Ky film ka fituar çmime të shumta, përfshirë këtu edhe tri çmimet kryesore të “Sundance Film Festival”: Filmi më i mirë, Regjisorja më e mirë, dhe Çmimi i publikut. Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë: Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astrit Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Tërbunja, Shkëlqim Islami, etj.

Pas shfaqjes së filmit, në skenë për një fjalë rasti doli edhe aktorja Adriana Matoshi, e cila tha se vetëm me art dhe kulturë është e mundur që të shprehen ato se çfarë janë përjetuar me të vërtetë.

“Jam shumë e lumtur që regjisorja më ka përzgjedhur për të prezantuar një nga shumë historitë e luftës që ekzistojnë në Kosovë. Ne me fuqinë tonë, sadopak, jemi munduar të arrinim diçka që dikush e ka përjetuar gjatë luftës. Jam me të vërtetë e lumtur që jeni sonte këtu për të parë atë se çfarë kemi përjetuar ne si popull. Vetëm me art dhe kulturë ka mundësi që t’i shprehim ato që me të vërtetë i kemi përjetuar. Me artin tonë dhe kulturën tonë, duhet të tregojmë se çfarë kemi në zemra tona”, thotë Matoshi.

Për Nacionalen, foli aktorja dhe gruaja e aktorit shqiptar Bekim Fehmiu, Branka Petriq. Ajo e vlerësoi jashtëzakonisht shumë punën e mrekullueshme të aktores Yllka Gashi dhe regjisores Blerta Basholli.

“E pashë filmin dhe u gëzova shumë, sepse kjo hapësirë e kinotekës jugosllave ishte e mbushur plot. Filmi ishte aq i mirë, aq i sinqertë, aq i thjeshtë por në të njëjtën kohë edhe i ndërlikuar, për shkak të gjithçkaje që solli jetë në situatat e grave në film. Qysh në momentin e parë që e pashë Yllka Gashin thashë si po e bën atë. Është fantastike sepse në një anë kemi regjisoren Basholli, dhe në anën tjetër është aktorja Gashi. Ju mund të shihni qartë se si ato punojnë së bashku aq bukur. Mendoj se të gjithë ata që panë filmin, ishin të impresionuar shumë nga ai. Jam jashtëzakonisht e lumtur që isha këtu sonte. Urimet e mia shkojnë për kinematografinë kosovare dhe të gjithë njerëzit që janë të përfshirë në industrinë e filmit”, u shpreh Petriq.

Krejt në fund, edicioni i nëntë i “Mirëdita, dobar dan!” u përmbyll me një festë muzikore me DJ Genc Elezaj.

Festivali “Mirëdita, dobar dan!” është ngjarje unike që ka prezantuar skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës në Beograd që nga viti 2014. Qëllimi i festivalit është që përmes prezantimit të artistëve dhe performuesëve të cilët përfaqësojnë skenën kulturore e bashkëkohore të Kosovës, të bashkojnë komunitetet shoqërore e kulturore të Kosovës dhe Serbisë dhe të krijohet një traditë bashkëpunimi, që do të kontribuojë në arritjen e një normalizimi të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

[1] Për më shumë detaje rreth filmit lexoni: Qysh i përzë kosovarët filmi "Zgjoi"?

Lajme të ngjashme