F1 – Regjia nga Joseph Kosinski
Shkruan: Jon Krasniqi
Nëse të ka pëlqyer Top Gun: Maverick, atëherë me siguri do të të pëlqej edhe F1. Me regji nga i njëjti person, Joseph Kosinski, F1 është një film i mbushur me adrenalinë, trashëgimi dhe shpagesë.
Filmi ndjek Sonny Hayes (Brad Pitt), dikur një nga yjet më premtues të Formula 1 në vitet ’90, derisa një aksident pothuajse ia ndërpreu karrierën. Tridhjetë vite më vonë, ai është një pilot i lirë që garon sa për të mbijetuar, derisa ish-shoku i tij i skuadrës, Ruben Cervantes (Javier Bardem), tani pronar i një ekipi të dështuar në kompeticionin F1, e bind të rikthehet për një përpjekje të fundit. Sonny do të garojë krah yllit në ngjitje të skuadrës, Joshua Pearce (Damson Idris), por në Formula 1, shoku i skuadrës shpesh mund të jetë kundërshtari yt më i fortë.
Skenat e garave janë thjesht mahnitëse. Me vizualet dhe zërimin e tyre, ndihesh sikur je vetë në garë, me motorrët e Formulave që gumëzhojnë, kthesat e rrezikshme dhe shpejtësinë marramendëse. Teknikisht, filmi është i përsosur. Ku bie shkurt, është në skenar. Historia ndonjëherë bie në klishe të njohura të filmave sportivë dhe parashikueshmëri. Por për shumicën e shikuesve, kjo nuk do të ketë rëndësi. Është një film që ndihet i njohur në kuptimin më të mirë të mundshëm, si Top Gun: Maverick apo Days of Thunder. Gjithashtu kur tregohet storia me ndjenjë, mjeshtëri dhe një energji, të mban të fokusuar deri në fund.
Ndryshe nga Rush apo Ford v Ferrari, F1 nuk bazohet në ngjarje të vërtetë, çka i jep pak më shumë liri krijuese, por në të njëjtën kohë e bën të ndihet pak më i lehtë në peshën dramatike. Megjithatë, filmi dallohet duke zhvendosur fokusin nga rivaliteti drejt bashkëpunimit, sidomos me një sport që shpesh duket si sport individual. Ky film trajton se si çdo individ në ekip ka rëndësinë e vet, duke filluar nga ekipa e gomave, inxhinierët, teknikët, e deri tek shoferi.
Brad Pitt është magnetik si gjithmonë, ndërsa Damson Idris është karizmatik dhe i mprehtë. Së bashku, ata sjellin një histori që na kujton pse na pëlqen të shohim njerëz që garojnë me gjithë shpirtin dhe rrezikojnë gjithçka.
Verdikti: ⭐⭐⭐½ (3.5 nga 5 yje)
Ta shohësh në kinema, të presësh për streaming apo ta anashkalosh? Shko ta shohësh në kinema!
Për më shumë shkrime si ky, ndiqni @a.film.vault në Instagram.