Është koha për panik: Netflix zyrtarisht sjell sezonin e dytë të ‘Squid Game’ - NACIONALE

Është koha për panik: Netflix zyrtarisht sjell sezonin e dytë të ‘Squid Game’

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Nga fjalët gojë më gojë - nga fjalët e të tmerruarve, të intriguarve dhe të ngazëllyerve - seriali 'Squid Game' u shndërrua në një prej serialeve më të suksesshme në historinë e Netflixit.

Ngërthen horrore mbijetese në të cilat jemi dashuruar ndër vite. Drejtori i 'Squid Game', Hwang Dong-hyuk, ka thënë se filloi të shkruante storien shumë kohë më parë.

Hwang shpjegon si filloi ta zhvillonte idenë e hit-serialit të Netflixit.

"Pasi xhirova materialin me të cilin debutova më 2008, vizitova shumë dyqane librash. Pashë shumë storie mbijetese kështu që mendova se do të ishte interesante nëse ky zhanër do të rikrijohej në versionin korean. Kompletova skriptën më 2009, por më thanë se nuk do të ketë sukses pasi storia është e vrazhdë dhe zhanri ishte i panjohur për publikun atë kohë. Nuk mund të gjeja investime ose kast aktorësh pasi projekti ishte i vështirë të kuptohej. Kështu që ndalova së përpunuari atë."

Zhanri, natyrisht, tash është më i popullarizuar. Dhe për shkak se vrazhdësia është zbavitje, 'Suqid Game' gjeti një shtëpi të ngrohtë te Netflixi.

Por, prej kur bota e Hwang u zgjerua në këtë garë mbijetese - lojërat kanë përjetuar shumë ndryshime për dekada - kanë mbetur shumë gjëra të paeksploruara pas sezonit të parë.

Ja çka dimë deri tash për sezonin e dytë të 'Squid Game'.

A do të kemi sezon të dytë të 'Squid Game'?

Po, këtë javë, Netflixi zyrtarizoi gjithçka. 'Squid Game' do të rikthehet për sezonin e dytë. Uebsajti i gjigantit transmetues postoi një video të syrit të kukullës së famshme duke regjistruar shikuesin. Numërimi filloi nga këtu.

Netflix gjithashtu publikoi një mesazh nga Hwang, i cili na dha pak indikacione rreth zhvillimit të ngjarjes në sezonin e ri.

"Dhe tash, Gi-hun rikthehet. Sezoni i dytë po vjen. Burri me kostum dhe me zarf mund të rikthehet. Gjithashtu do të njoftoheni me të dashurin e Young-hee, Cheol-su."

Madje edhe para konfirmimit zyrtar, Hwang kishte lënë të nënkuptohet se po bëhet gati sezoni i dytë. Në një intervistë për 'Associated Press' në Los Anxhelos, Hwang shpjegoi: "Ka pasur kaq shumë presion, kaq shumë kërkesa dhe kaq shumë dashuri për sezonin e dytë. Kështu që ndjehem se nuk po na jepni zgjidhje tjetër!"

Në një intervistë për 'The Times', Hwang dha shenja rreth planeve që ka për sezonet e ardhshme të serialit: "Një ide do të jetë storia e Front Man", shpjegoi Hwang.

'Front Man' u zbulua të jetë ish-pjesmarrës dhe fitues i lojërave. Identiteti real i tij: vëllai që ishte zhdukur i detektivit nga Seuli, Hwang Jun-ho.

Në një intervistë të ndarë, Wi Ha-joon, i cili luan Hwang, tha se shpresonte që drejtori Hwang do ta rikthente në aksion karakterin e tij: "Shpresoj që të dalë sezoni i dytë dhe Jun Ho të rikthehet i gjallë, dhe storia me vëllain e Jun Ho të kuptohet mirë", tha Wi.

Kur mund ta presim sezonin e dytë të 'Squid Game'?

Edhe pse skripta ishte kompletuar më 2009, seriali nuk filloi të xhirohej deri në shtator të vitit 2020. Dhe produksioni ishte... madhështor. Ekipi xhiroi në një set real, duke përdorur efekte praktike, përfshirë kukullën gjigante në episodin e parë. Ata gjithashtu angazhuan 456 aktorë për të luajtur si garues.

Mund të presim një ekip edhe më të madh produksioni për sezonin e dytë - por, shpresojmë, kësaj here me ecuri më të shpejtë. Nëse xhirimet fillojnë më herët këtë vit, mund të shohim episodet e reja në vjeshtë të vitit 2022.

Duart kryq.

Për çka bëhet fjalë në sezonin e dytë të 'Squid Game'?

Në fund të sezonit të parë, kemi mësuar shumë gjëra rreth lojërave. E para është se lojërat kanë vazhduar për më shumë se një dekadë dhe se 'Front Man' është një ish-fitues i lojërave - dhe vëllai i detektivit Hwang Jun-ho. Gjithashtu mësuam se lojërat ishin dizajnuar fillimisht nga Oh II-nam (Numri 0001) përkrah shumë miqve të tij të pasur, si nënkuptim për të shijuar pasurinë.

Në episodin e fundit, Seong Gi-hun (0456) kupton këtë të vërtetë dhe, pasi siguroi një zarf për lojërat e vitit të ardhshëm, vendos të konfrontohet me përgjegjësin e organizatës.

Sezonet e ardhshme mund të ecin para ose prapa në kohë - nëse ecin para sigurisht do të vazhdohet ndjekja për të zënë përgjegjësit e organizatës, ose prapa tek origjina dhe vitet e para të lojës.

Pyetjet që kanë nevojë për përgjigje janë si zgjidhen rojet dhe me kë tjetër janë të lidhur VIP-të.

Gjithashtu nuk dihet nëse detektivi Hwang i ka mbijetuar të shtënave.

Lajme të ngjashme