Elton John-i largohet nga Twitter-i për shkak të ndryshimit të politikave rreth keqinformimit
Sir Elton Lohn është bërë figura më e re që largohet nga rrjeti i famshëm social, Twitter, që nga koha kur kompania u ble nga miliarderi amerikan, Elon Musk.
Këngëtari e fajësoi “ndryshimin në politika” rreth keqinformimit të platformës së njohur sociale për ndërmarrjen e këtij veprimi, pa dhënë hollësi.
Twitter-i e ndërpreu muajin e kaluar ndërmarrjen e masave kundër llogarive që shpërndajnë informata çorientuese për sëmundjen Covid-19, raporton televizioni BBC, përcjell gazeta Nacionale.
Duke reaguar për njoftimin e këngëtarit të famshëm, shefi i Twitter-it, Elon Musk, tha se shpreson që Elton John-i do të kthehet.
Në atë që mund të jetë shkrimi i tij i fundit në këtë rrjet, John-i shkroi: “Tërë jetën time jam munduar që ta përdor muzikën për t’i bërë njerëzit bashkë. Prapëseprapë pikëllohem, kur shoh se si keqinformimi tash po përdoret për ta ndarë botën.”
“Kam vendosur që të mos e përdor më Twitter-in, duke e marrë parasysh ndryshimin e tyre të ri në politikë, që do ta lejojë keqinformimin të lulëzojë i pakontrolluar”- shkroi më tutje këngëtari i famshëm.
All my life I’ve tried to use music to bring people together. Yet it saddens me to see how misinformation is now being used to divide our world.
— Elton John (@eltonofficial) December 9, 2022
I’ve decided to no longer use Twitter, given their recent change in policy which will allow misinformation to flourish unchecked.
Miliarderi Musk iu përgjigj: "E dua muzikën tënde. Shpresoj që të kthehesh. A ka ndonjë keqinformim në veçanti për të cilin je i shqetësuar?”
Musk-u e përmbylli procesin e blerjes së rrjetit me çmim prej 44 miliardë dollarësh në tetor. Që nga ajo kohë, ka pasur kundërthënie për ndryshimin e politikave të platformës në lidhje me keqinformimin rreth pandemisë së koronavirusit si dhe për disa masa të tjera si kthimi i disa llogarive të pezulluara e vendosja e çmimit për shenjën e kaltër të verifikimit të llogarisë.
Shumë fytyra të famshme vendosën që të largoheshin nga rrjeti pas këtyre masave, duke e përmendur shefin e ri të tij si arsye kryesore për largimin e tyre.
Sipas uebfaqes së Twitter-it, kompania e ndërpreu ndërmarrjen e masave kundër shkrimeve që i shkelin rregullat e vjetra për koronavirusin të mërkurën e 23 nëntorit.
Më parë, kompania ka raportuar për pezullimin e mbi 11 mijë llogarive për shkak të keqinformimit rreth koronavirusit deri në shtator të këtij viti.
