“Dyshova në vete”: Çka pashë në Paradën e Krenarisë që më bëri krenar?
Mimoza Kusari-Lila po ia bënte me dorë dikujt, Hajrulla Çeku po qëndronte pak metra më larg dhe po diskutonte me dy bashkëfolëse në disponim pozitiv, ndërsa ambasadori Jeffrey Hovenier po shkëmbente llafe me Arbërie Nagavcin dhe Fitore Pacollin.

Të gjithë po rrinin aty, derisa në pjesën tjetër, pjesëtarë të Komunitetit LGBTIQ+ po përgatiteshin për ecjen e krenarisë rreth e qark Grandit e Katedrales për të përfunduar mbi Pallatin e Rinisë dhe Sporteve.
Realisht, të gjithë i shihje aty dhe dukeshin të qasshëm e njerëz normalë si gjithë të tjerët. E kam fjalën për figurat publike si ato të lartpërmendurat, të cilat shumica prej nesh i shohim veç nëpër paraqitje televizive.
Edhe gazetarë pati me bollëk, por forcave të sigurisë ndoshta mund t'ia kalonin vetëm populli që po merrte pjesë në paradë... ishin kudo dhe të vëmendshëm për ndodhitë në mes.

E drejtë të themi se është një prej eventeve të vetme, nëse jo i vetmi, ky i Paradës së Krenarisë ku mund t'i shihje të gjithë mbi pllakat modeste të sheshit "Nënë Tereza", pa foltore glamuroze të përfshira e rrethoja për t'i ndarë "të parëndësishmit" nga ata "të rëndësishmit".
Dorën në zemër, nga eksperiencat personale sa kam pasur deri tash në terren me figurat politike aktive... këta të Vetëvendosjes të japin njëfarë ndjesie më mishëruese si persona që mund t'u flasësh e madje edhe t'i prekësh nga afër, ndryshe nga pushtetet e kaluara.

Vetëm shihni sa afër e kisha ambasadorin amerikan - me pak guxim edhe mund t'i afrohesha për ta pyetur cili është qëndrimi i shtetit amerikan për qeverinë Kurti, apo ndonjë pyetje tjetër rëndom, jashtë kuadrove politike.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Ramaj, po e puthte në të dy faqet Sibel Halimin, zëdhënëse politike në LDK, njëjtë siç bëj unë kur takohem rastësisht me të mitë - besimi im për skenë politike pak më rekreative dhe jotoksike filloi të ndërtohet në atë moment, në Paradën e Krenarisë.
Halimi i reagoi redaksisë më vonë duke thënë se përqafej kështu me kryetarin e Prishtinës, gjithmonë.

Derisa Parada kishte filluar marshin, kjo grua me mbulesë po xhironte me entuziazëm eventet. Nuk kaloi shumë kohë dhe dikush nga marshi paradues u nda për pak momente dhe po bënte foto me gruan, e cila dukej e ngazëllyer të ndërvepronte dhe të ishte pjesë e asaj që po ndodhte.

"Nuk e kam ditë", tha ajo kur një gazetare iu afrua dhe ia shpjegoi çka përfaqësonte Parada e Krenarisë.

Sytë e saj gati sa nuk filluan të përloteshin, ishte viktimë e pafajësisë së vet. Zonjës së respektuar po i silleshin njëqind mendime në kokë përnjëherë nga ai informacion, dhe unë po e shihja direkt ndryshimin në gjuhën trupore. E pamundur të mos ndieje empati - nuk të jepte përshtypjen se është dikush që realisht është kundër një të drejte të garantuar globalisht, ajo ishte thjesht tjetër produkt i sistemit shoqëror që ende po përballet me probleme vetëdijësuese.
"Pse me maska?", e pyeta dikë që po mbante bexh dhe dukej si figurë e rëndësishme në organizim, duke iu referuar një grupi njerëzish që po merrnin pjesë në paradë me maska.
"Se nuk dojnë me u identifiku", ma ktheu, duke aluduar se dëshirojnë ta mbajnë sekret orientimin e tyre seksual për shkak të frikës nga stigmatizimi.

Berat Buzhalën e pashë në qarkullim e sipër. Më kishte vënë re më herët dhe po më buzëqeshte... e përshëndeta me ulje-ngritje koke - pak m'u bë qejfi... edhe unë tash po përfshihesha në ndërveprime me figura të rëndësishme.

Furgoni që po i printe turmës i ishte afruar 'Grandit', kur dëgjova një prekje nga prapa dhe një zë. "Hej, paja qitu... çele qantën", ishte një polic i cili po më tërhiqte në një qoshe. "Ditën e mirë, kalo mirë", ma ktheu kur i tregova kartën e identitit prej gazetari.
Siguria po merrej jashtëzakonisht seriozisht nga të gjithë të përfshirit. Pak metra tutje, dy policë të tjerë në rroba civile më ndalën.
"I dyshimt po dokesh me këtë çantë".
"O, gazetar jom", ia ktheva.
"Aa, aha, ok."
Në kriza mendimesh pse po bija në sy si i dyshuar, fillova ta sforcoja veten të sillesha "më normal", ashtu që nuk do të dukesha si i dyshimtë.
Në kthim e sipër, nga pjesa e "Tre Sheshirave", një mjet piroteknik shpërtheu para furgonit ku një DJ po lëshonte muzikë me këngë si "Dude Dudie", dhe ajo që këndohet nga Adelina e Zanfina Ismajli, e që flet për dy motra që dashurohen në një burrë - për të alarmuar çdo polic të gjallë në rrethinë. Njëri po shikonte lart, e tjetri po shikonte në ndërtesa përreth prej nga erdhi ai mjet, të tjerët filluan të vraponin në drejtime të çorientuara.
Parada po vazhdonte, por policët tash ishin qartazi të stresuar dhe po i sillnin sytë në të katër anët, aq sa mund t'ua mbërrinte shtrirja vizuale.
Shpejt mbeti prapa edhe ajo pjesë, derisa të gjithë u grumbulluan mbi Pallatin e Rinisë dhe Sporteve ku ishte vendosur një banak dhe po shërbente pije për të interesuarit.
Kaq për një Paradë Krenarie të një dite.