Dua Lipa me një porosi: Le të dëgjohet zëri i grave sepse...
Mirë se vini në atë që do të jetë e dyta e një serie të veçantë njëmujore kushtuar shëndetit dhe mirëqenies. Në artikullin e gjatë të kësaj jave, shkrimtarja akademike Jamie Brooks Robertson shqyrton mënyrat e shumta të ndikimit të pandemisë së Covid-19 te shëndeti riprodhues i grave dhe se si kjo nuk është raportuar kryesisht nga bota mjekësore, e cila, për fat të keq, është përdorur si një argument në retorikën anti-vaksinë. Çështja këtu është se gratë ende vazhdojnë të mos kenë gjithmonë vendin e duhur në mjekësi dhe kërkime mjekësore. Shpresoj se duke i trajtuar këto çështje hapur dhe sinqerisht, do të fillojmë të sjellim ndryshimin e nevojshëm global në kujdesin shëndetësor për gratë.
Dua x
Në fillim të vitit 2020, ndërsa Covid-19 u përhap në mbarë planetin dhe njerëzimi përgatitej të përballej me të panjohurën, disa mjekë në Itali filluan të vërenin një fenomen alarmues. Një numër i madh vajzash, të gjitha nën moshën tetë vjeç, patën zhvillim të gjoksit ose menstruacione – çrregullime të veçanta mjekësore të njohura si pubertet dhe menarkë e parakohshme. Tani, gati tre vjet pas pandemisë, hulumtimi i ri po eksploron ndikime të ndryshme misterioze në ciklet riprodhuese të femrave, transgjinoreve dhe jogjinoreve në mbarë botën, nga rastet e vajzave që përjetojnë menstruacionet e para vite përpara se të mbarojnë shkollën fillore, deri te parregullsitë e ndryshme në shpeshtësinë e ciklit menstrual.
Për shkak se disa nga efektet e vaksinës nuk u identifikuan që në fillim nga komuniteti mjekësor, njerëzit që janë kundër përdorin shembuj të ndikimeve nga vaksinat kundër Covid-19 për të thënë se ato janë të rrezikshme ose shkaktojnë infertilitet, por këto pretendime nuk mbështeten nga kërkime të besueshme. Në fakt, shkencëtarët që eksplorojnë ndikimet e Covid-19 në shëndetin e riprodhimit theksojnë se studimet e reja në këtë fushë nuk e vënë në dyshim efektin e vaksinave kundër Covid-19 dhe as nuk janë kundër marrjes së tyre.
Në ditët e para të pandemisë, qyteti verior i Bergamos e shndërroi Italinë në epiqendrën e dytë të Covid-19 pas Kinës. Mjekët, të demoralizuar dhe të rraskapitur, luftuan për të shpëtuar pacientët e Covid-19 ndërsa reanimacionet e spitaleve u mbushën përtej kapaciteteve. Për të përballuar situatën, Italia ishte vendi i parë që zbatoi një izolim mbarëkombëtar.
Menjëherë pas kësaj, studiuesit në Spitalin e fëmijëve “Meyer” në Firence, një nga më të vjetrit në vend, filluan të ndiqnin rastet e vajzave që referoheshin për pubertet të parakohshëm ose të hershëm. Në dekadat e fundit, mbizotërimi i kësaj patologjie është rritur, veçanërisht në vendet e industrializuara për shkak të një morie faktorësh kompleksë dhe të keqkuptuar. Por shkalla e raportimit ishte mjaft e lartë për të tërhequr vëmendjen e tyre.
Pas kryerjes së një studimi retrospektiv që krahasonte normat e diagnostikimit në pesë vitet para pandemisë, studiuesit publikuan një studim shkencor në Revistën italiane të pediatrisë në nëntor të 2020. Studimi konfirmoi një rritje të incidencës së rasteve të pubertetit të parakohshëm te vajzat gjatë dhe pas izolimit të vitit 2020 në Itali. Midis marsit dhe korrikut 2020, 49 vajza të reja përjetuan fillimin e pubertetit të parakohshëm ose përshpejtimin e problemit, që do të thotë se për ato që tashmë përjetojnë simptomat e lidhura me fillimin e hershëm të pubertetit, ato simptoma u zhvilluan më shpejt se sa pritej, krahasuar me numrin total të 89 vajzave së bashku në pesë vitet e mëparshme.
Legjitimiteti i këtij studimi u rikonfirmua në Itali në shkurt 2022 në bazë të hulumtimeve shtesë të botuara në Endocrine Connections. Për më tepër ky trend është vënë re në të gjithë botën. Studime të ngjashme u kryen gjithashtu në Kinë, Turqi dhe Indi, siç u raportua nga The Washington Post dhe The Fuller Project pranverën e kaluar.
Një studim identifikoi lidhjen e dukshme midis pandemisë dhe ritmeve të shpejta të fillimit të hershëm të pubertetit si një “urgjencë e mundshme”. Por është e vështirë të gjendet shkaku i vetëm ose parësor për këtë fenomen, duke patur parasysh se fillimi i pubertetit ndikohet nga një kombinim i faktorëve gjenetikë, psikologjikë, mjedisorë dhe metabolikë. Pandemia e ndërlikon më tej situatën. Studiuesit spekulojnë se shkaqet e mundshme mund të përfshijnë stresin, mungesën e aktivitetit fizik, dietën, përdorimin e dezinfektuesve të duarve dhe shtimin e ekspozimit ndaj pajisjeve elektronike.
Në fund të fundit, çdo studim thekson nevojën për kërkime shtesë që përfshijnë popullata më të mëdha. Sipas Dr. Katie Larson Ode, një endokrinologe pediatrike dhe profesoreshë e asociuar klinike e pediatrisë pranë Stead Family Children’s Hospital të Universitetit të Iowa-s, komuniteti mjekësor duhet të përcaktojë “nëse këto rritje po ndodhin atje dhe, nëse po, cilat mund të jenë shkaqet”.