Depp-Heard: Cili realisht po e thotë të vërtetën dhe cili po gënjen?
Pas një jave pushim, gjyqi i Johnny Depp dhe Amber Heard rifillon sot - me ekipin ligjor të aktorit që pritet të fillojë marrjen në pyetje të ish-gruas së tij, pas akuzave të saj për abuzim fizik dhe seksual.
Seancat po zhvillohen në Ferfax të Virgjinias para jurisë, e cila tash e katër javë ka dëgjuar deklarata të dëshimtarëve nga familja, miqtë, mjekët dhe pjesëtarë të stafit të Depp dhe Heard në të kaluarën dhe të tashmen.
Avokatët e Deppit e kanë pushuar çështjen e tyre pas përfundimit të marrjes në pyetje të dëshmitarëve të tij, me dëshmitarët e Heard tani të vendosur të japin anën e tyre të historisë në dy javët e mbetura të gjyqit.
Pas kësaj, do t'i mbetet jurisë të vendosë se kujt do t'i besojnë.
Në katër javët e para, ata kanë dëgjuar detaje shokuese rreth mosmarrëveshjeve të çiftit. Përveç akuzave për dhunë fizike, u dhanë komente tjera kundër Depp se ai kishte mbajtur qenin jashtë një dritareje të një makine që po lëvizte dhe se kishte shkruar mesazhe me gjak në murin e një shtëpie në Australi, pasi lëndoi gishtin. Ai nga ana e tij ka akuzuar Heard për kryerje të nevojës së madhe në shtratin e tyre dhe falsifikimin e lëndimeve me gjakderdhje duke përdorur manikyrin e thonjve.
"Të dy palët kanë bërë një punë të mirë për të ekspozuar momentet jo fort të mira të tjetrit", u shpreh ekspertja e shpifjeve, Kimberly Lau.
"Ajo që do ta bëjë këtë gjyq sfidues për një juri është fakti se të dy palët janë aktorë të trajnuar, puna e të cilëve është që ta bindin audiencën se ata realisht janë roli që e luajnë", ka shtuar ajo.
"Deklaratat e dëshmitarëve dhe provat e dokumentuara do të jenë edhe më esenciale për jurinë që ta përcaktojë kush njëmend po e thotë të vërtetën dhe kush po e luan rolin."
Depp paditi Heard për mashtrim rreth një artikulli të shkruar për 'Washington Post' në dhjetor të vitit 2018, në të cilin avokatët e tij thonë se ajo në mënyrë të falsifikuar implikon në abuzim fizik dhe seksual nga Depp, të cilin nuk e përmend me emër.
Ai kategorikisht mohon akuzat e abuzimit dhe përgjatë gjykimit i ka thënë trupit se është "i obsesionuar me të vërtetën" dhe e ka akuzuar Heard si person të dhunshëm gjatë marrëdhënies.
Gjykimi në SHBA vjen pasi ish-ylli i 'Piratët e Karaibeve' humbi një rast të ngjashëm për prishje të imazhit në Mbretërinë e Bashkuar, ku ai kishte ngritur padi kundër gazetave si 'The Sun' dhe 'News Group Newspapers' të cilat publikuan një artikull që i referohej atij si "rrahës i gruas" në kryetitull.
Pas një gjykimi 16-ditor, në korrik të vitit 2020, një gjykatës dha verdikti se kontenti i artikullit ishte "substancialisht i vërtetë", derisa më vonë iu refuzua Deppit kërkesa për apel kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.
Por ky rast në Amerikë po trajtohet para një jurie dhe verdikti nuk i takon vetëm një gjykatësi.
"Juritë vijnë me një paparashikueshmëri të natyrshme", thotë Lau.
"Të kesh një juri prej disa individësh - në këtë rast, shtatë - bën një ndryshim të madh në procesin e diskutimit.
"Mendimi i njërit nuk mjafton; të shtatë duhet të pajtohen. Dhe ndërsa gjyqtarët, ndryshe nga juritë, tashmë e kuptojnë ligjin, juria përbëhet nga disa individë, përvojat e jetës së të cilëve mund të kenë ndikim në mënyrën se si ata e shohin dhe peshojnë provat në gjyq”.
Sidoqoftë, ky rast është gjykim civil, jo kriminal; nëse Depp humb, nuk do të thotë se ai është fajtor për një krim.
Por si figurë publike, aktori ka një barrë të madhe për t'i dëshmuar akuzat për prishje të imazhit. Lau thotë se barra është mbi të "ta dëshmojë me prova të qarta dhe bindëse" se komentet e Heard në 'Washington Post' "janë bërë me keqdashje të njëmendtë".
Nëse Depp fiton, juria do të vendos për dëmet. Ai po kërkon 50 milionë dollarë, por juria mund të pretendojë se vlera e dëmit është më e vogël ose më e lart.
Heard, në anën tjetër, po e kundërpaditë Depp për 100 milionë dollarë - pasi ajo është më e re, dëmet në karrierën e saj mund të jenë më të mëdha se ato të Depp, sipas Lau.
Depp ka thënë në gjyq se pavarësisht verdiktit, ai ka humbur: "Në sekondin kur këto akuza u bën kundër meje... dhe u kthyen në lajm për medie... humba", ishte shprehur ai para jurisë në prill.