Burri që s’luajti vendit në protestën e 1990-s, jetësohet me një skulpturë në Prishtinë
Skulptorja 20 vjeçare Eliza Shala ka befasuar të gjithtë në Sheshin “Zahir Pajaziti” kur me 28 nëntor prezantoi një skulpturë të një personaliteti që ishte bërë i njohur përmes një fotografie të famshme të marsit të vitit 1990.
Bëhet fjalë për Faik Rexhepin, i cili në protestën e asaj kohe kishte vendosur që të rrinte këmbëkryq para forcave ushtarake serbe që ushtronin dhunë të pashembullt ndaj kosovarëve që protestonin kundër shtypjes.
Zbulimi i bustit është bërë të hënën pasdite teksa ai titullohet “Këmbëkryq”.
"Këmbëkryq quhet skulptura e cila përfaqëson urtësinë, paqen dhe këmbëngulësinë, përmes ngjarjeve historike që mishërohen me këtë gjest”, ka shkruar skupltorja e re në profilin e saj në Facebook.
Ajo vazhdon duke thënë se “Në qëndresën paqësore në Kosovë të vitit 1990, në rrëmujën e ndjekjes nga policia e regjimit serb, protestuesi Faik Rexhepi ulet këmbëkryq duke peshuar kokën në dorë, me të vetmen shpresë e besim në mrekulli, se ai do të lihej i qetë në të drejtën e tij”.

“Një dritëshkronjë e shkrepur nga fotografi Hazir Reka do ta vuloste përgjithmonë këtë çast që përmblodhi gjithë pështjellimin e kohërave tona. Me anë të kësaj skulpture, këtë 28 Nëntor, ai, protestuesi, rikthehet, tashmë i papenguar dhe i mirëpritur, ta gëzojë të drejtën për t'u ulur këmbëkryq, në vendin e tij”, ka shkruar ajo.
Kush ishte Faiku?
Ka lindur në Preshevë, por me vite të tëra jeton në Prishtinë. Më 1974 punësohet në KEK. Në vitin 1981 merr pjesë në demonstratat e nisura nga studentët, e më vonë dërgohet për të punuar në Drenicë.
Në vitin 1990 Rexhepi ishte inxhinier i kimisë në “Ferronikel” të Drenasit. Në këtë moment ishin instaluar masat e dhunshme nga Serbia. Ndaj, si shumë kolegë të tjerë, nuk mundi të rrinte i qetë para sfidave historike: terrorit që në të gjitha sferat e ushtronte Serbia. Kështu, me të dëgjuar për vizitën e paralajmëruar të delegacionit amerikan në Prishtinë, Rexhepi me shokët vendosi të vinte në Prishtinë.
Delegacioni i Kongresit të SHBA-së në Kosovë, udhëheqej nga senatori Robert Joseph “Bob” Dole. Kjo vizitë e cila ishte organizuar nga veprimtarët e komunitetit shqiptar në SHBA, u bë në kohën më të vështirë të represionit dhe terrorit shtetëror serb, në vitin 1989 ku senatori Dole kishte ardhur për të parë gjendjen nga afër.
Fotografia ikonike e Hazir Rekës më 1990 e shkrepur përpara hotel Grand, Prishtinë u bë e famshme pasi të gjithë rreth tij shihen duke ikur nga policia serbe.
