Brendi i bukurisë që transformon mënyrën se si ndiheni për lëkurën tuaj - NACIONALE

Brendi i bukurisë që transformon mënyrën se si ndiheni për lëkurën tuaj

1 vit më parë

nga NACIONALE

Nga “grimi që mund ta mbani edhe kur flini” i Youthforia-s deri te “Half Magic” i ri, i krijuar nga Drejtoresha Kreative e Euphoria-s, Donni Davy, brendi më i fundit i specializuar i Gjeneratës Z po lëkund themelet e industrisë së kozmetikës që dikur ishte tradicionale. Në krye të kësaj lëvizje të re qëndron Topicals, një brend me një perspektivë të ndryshme pozitive për lëkurën që po riformulon idenë e “lëkurës së përsosur”.

E themeluar nga nigeriano-amerikania Olamide Olowe, Topicals kishte një mision të qartë: të reformonte mënyrën se si industria e kozmetikës i trajton problemet e lëkurës, si puçrrat, ekzema dhe hiperpigmentimi. Prezantimi i produkteve, si Faded, një xhel hiperpigmentimi dhe Like Butter, një krem për ekzemën, të paketuara në tubet pastel me grafikë të theksuar psikodelik, i ka ndihmuar fansat e saj të kujdesen për problemet e lëkurës pa pasur turp dhe që rezultuan shumë të suksesshme në TikTok.

Por ky rezultat nuk varej vetëm nga produktet: Me hedhjen në treg të Topicals në 2020, Olowe u bë gruaja më e re me ngjyrë që siguroi mbi 2 milionë dollarë investime. Megjithatë, për të arritur këtu u deshën dy vite të mundimshme. “Ka pasur njerëz që na kanë kuptuar me të vërtetë që nga fillimi, por përpara se ata të mbështetnin brendet me në qendër kulturën e njerëzve me ngjyrë, investitorët duan që ato të jenë ‘të absorbueshme'”, thotë Olowe.

“Por nëse ata nuk kalojnë kohë në komunitetet e njerëzve me ngjyrë, si mund të identifikojnë fenomene të reja të mundshme që shpalosen para syve të tyre, veçanërisht nëse ato janë koncepte shumë të veçanta ose përfshijnë mënyra të reja për të menduar se çfarë do të thotë të jesh me ngjyrë?”.

Rishfaqja e lëvizjes “Black Lives Matter” i nxiti konsumatorët dhe investitorët që të përpiqeshin të mbështesnin brendet në pronësi të njerëzve me ngjyrë. “Njerëzit e vërejnë suksesin e brendeve të tilla si Fenty Beauty dhe i vlerësojnë ato për sa i përket sipërmarrjes kapitaliste. Kështu që tani ata mendojnë se ia vlen të investosh në brendet e kozmetikës në pronësi të njerëzve me ngjyrë”, thotë më tej Olowe. Ndërsa ajo ndihet me shpresë (“Kur më shumë brende të drejtuara nga njerëzit me ngjyrë sigurojnë fonde dhe arrijnë sukses, kjo i ndihmon edhe të tjerët të sigurojnë fonde”), Olowe e vë në dyshim vërtetësinë e këtij trendi.

“Edhe sa kohë do të duhet para se “lëvizja” të shuhet dhe njerëzit të nxiten më pak për ndryshim? Historia na mëson se lëvizjet e njerëzve me ngjyrë kanë dëshmuar një trajektore uljesh dhe ngritjesh, por vetëm disa aspekte tërheqin vëmendjen e opinionit publik dhe më pas e interesi bie”. Shumë do të thoshin se kjo “rënie” tashmë ka filluar dhe se pjesa më e madhe e përfaqësimit që shohim sot është më shumë një fasadë. Megjithatë, Olowe nuk e humb shpresën, edhe pse e pranon: “Po ta dija se çfarë do të duhej të përjetoja për të krijuar këtë brend, nuk do t’i kisha hyrë kurrë kësaj rruge”. “Ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të parandaluar këtë rënie të interesit”.

Kështu që, frymëzimi është arsyeja pse shumë fushata të zhvilluara nga Topicals përpiqen të zënë hapësira ku “gratë me ngjyrë kanë qenë gjithmonë të përjashtuara”. Olowe thotë se ajo dhe ekipi i saj shikonin filmat e fillimviteve 2000, si She’s The Man and Confessions Of A Teenage Drama Queen dhe pyesnim veten “si do të ishin këto personazhe nëse do të kishin qenë gra me ngjyrë?”. Olowe ka për qëllim të vazhdojë me këtë lloj tregimi qesharak dhe të pazakontë rreth problemeve kronike të lëkurës (“Çdo fushatë tregon një histori që ka në qendër një komuniteti që zakonisht nuk i jepet asnjë meritë”). “Edhe nëse nuk gjenerojnë të ardhura në mënyrë të drejtpërdrejtë”, thotë ajo me një ton gazmor, “ato prapë përcjellin ndjesinë e mbushjes së hapësirës”.

Ava Welsing-Kitcher është redaktore e pavarur e kozmetikës shkrimet e së cilës janë botuar në revistat “Vogue USA”, “Refinery29”, “Popsugar” dhe “Grazia”, dhe ka qenë gjithashtu zëvendësedaktore e kozmetikës e “The Sunday Times Style”.

Lajme të ngjashme