Beteja mes muxhahedinëve dhe “revolucionarëve” në Iran eskalon në Panairin e Librit në Durrës
Panairi Veror i Librit në Durrës që nisi të mërkurën edicionin e tij të këtij viti, u shndërrua në një arenë përplasjesh mes dy grupacioneve politike dhe parapolitike të Iranit.
Siç shihet në pamjet e publikuara në mediat shqiptare, një grup iranianësh nga opozita në Iran kanë sulmuar shtandin e librave të shoqatës “Asila”, e cila mbron shtetasit iranianë që dezertojnë nga “opozita iraniane”, dhe që financohet nga Republika Islamike e Iranit.
Duke i quajtur ata terroristë të regjimit iranian, muxhahedinët e opozitës iraniane që janë duke u strehuar në Shqipëri, më saktësisht në Durrës, që disa vite, kërkuan largimin e tyre nga Panairi Veror i Librit. Videot shfaqin një grup qytetarësh iranianë të cilët demolojnë të gjithë librat që janë në shtandin e shoqatës së regjimit iranian.
Sipas muxhahedinëve iranianë, shoqata “Asila” është e financuar nga regjimi iranian që ka për qëllim të shpiunojë mbi “opozitarët” që strehohen në Shqipëri.
Kush janë muxhahedinët e Iranit dhe si përfunduan ata në Shqipëri?
Muxhahedinët iranianë, të cilësuar ndryshe edhe si opozita iraniane në emigrim ndodhen tashmë të strehuar në disa vende të botës, prej nga një pjesë e tyre edhe në Shqipëri.
Ky grupim, i cili nga regjimi aktual i Iranit njihet si grupim terrosit, u krijua në vitin 1965 dhe që në fillimet e tyre e deri në vitin 70’ kanë qenë në opozitë me ish-liderin e Iranit, Mohammad Reza Shah. Pas përmbysjes së regjimit të tij dhe triumfit të revolucionit islamik, kjo organizatë sërish mbeti në opozitë, pasi ishte kundër organizimit shtetëror që bëri lideri Ajetullahu Ruhollah Homeini.
Në këtë situatë ku u shpallën të padëshiruar në vendin e tyre, ata u larguan nga Irani. Pasi ushtria e SHBA-ve mori në kontroll gjithë territorin, ky grupim filloi zhvendosjen nga kampi i krijuar në Irak. Në vitin e fundit të mandatit të tij si Kryeministër, Sali Berisha ra dakord me Sekretaren e Jashtme të SHBA-ve në vitin 2013, Hillari Klinton, që nga Iraku të mbërrinin në Tiranë 270 muxhahedinë. Këta të fundit morën të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe u trajtuan me statusin e azilantit politik.
Ky hap i qeverisë Berisha u vazhdua edhe nga Kryeministri Edi Rama. Ai ra dakord me autoritetet amerikane që në Shqipëri të strehoheshin një numër prej rreth 3 mijë muxhahedinësh iranianë. Me ardhjen e këtij kontingjenti të dytë të opozitës iraniane, u ngrit edhe kampi “Ashraf” në zonën e Manzës në periferi të Tiranës.
Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta zyrtare, numri i muxhahedinëve që strehohen në kampin e Manzës shkon rreth 3500. Kampi është i organizuar mbi modelin e një qyteze të vogël ku ofrohen të gjitha shërbimet brenda.
Kush është shoqata Asila?
Me 27 nëntor 2021 u themelua Shoqata “Asila”që përbëhet nga ish-anëtarë të opozitës iranine. Shumë nga ta kanë qenë edhe ish-muxhahedinë të strehuar si opozitarë në Durrës. Dyshimet e shtetit shqiptar tregojnë se ky grupacion është i përkrahur nga Republika Islamike e Iranit.
Më 12 korrik 2022, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri, lëshoi një urdhër kërkimi për një rrjet spiun dhe terrorist të lidhur me Gardën Revolucionare Iraniane.
Sipas vendimit të gjykatës, këta persona, të cilët së fundmi kanë ngritur një fushatë dezinformimi kundër muxhahedinëve në vende të ndryshme në Shqipëri, janë një rrjet spiun dhe terrorist nën mbulimin e veprimtarisë kulturore; ata janë duke punuar si spiunazh, duke rekrutuar anëtarë dhe duke hapur terrenin për aktivitete të mëtejshme terroriste. Është një taktikë e njohur e Gardës Revolucionare, Forcave terroriste Quds dhe shërbimeve të inteligjencës të regjimit iranian.
Deri më tani, ky rrjet ka rekrutuar disa agjentë lokalë. Së fundmi tre prej tyre u dërguan në Iran dhe u justifikuan nga Ministria e Inteligjencës e regjimit iranian për të zgjeruar aktivitetin e tyre në Shqipëri.
Olsi jazxhi, Gjergji Thanasi dhe Dashmir Morsouli janë ndër agjentët vendas të Ministrisë së Inteligjencës dhe Gardës Revolucionare.