Artistët e pavlerësuar: Ministria kthen përgjigje gjysmake - NACIONALE

Artistët e pavlerësuar: Ministria kthen përgjigje gjysmake

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Nacionalja e shikoi nga afër ekspozitën e mbajtur më 16 prill në Galerinë Kombëtare të Kosovës,“Muzeu i Fëmijërisë së Luftës” (War Childhood Museum). Gjithashtu kemi përcjellë edhe ekspozitën “Dialog në errësirë” të Driton Hajredinit. Ajo çfarë më ra në sy ishte se gjatë ekspozitës së 16 prillit ishin të pranishëm Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe figura tjera publike dhe politike, gjë kjo që nuk u vrejt tek ekspozita “Dialog në erresirë”.

Vendosa të pyesja ministrin, z. Hajrulla Çeku, rreth artistëve kosovarë dhe punës së tyre. Por, z. Çeku nuk kishe kohë. Ai e evitoi pyetjen, duke thënë “Tani kam takim, nuk kam kohë për intervistim. Po më vjen keq!”

I dërgova pyetje në emal-in e tij zyrtar, e edhe ministrisë në email-in e zyrës për informim. Nga kjo e fundit nuk mbetëm pa përgjigje.

Duke pasur parasysh që vetëm pëmes artit ushqehen brezat dhe trashëgohet kultura, a bëni ju mjaftueshëm si Ministri për artin dhe artistët?

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, formën e përkrahjes së artistëve dhe profesionistëve në fushën e trashëgimisë e realizon nëpërmjet subvencionimit. Mbeshtetja për artistët dhe organizatat kulturore në 2021 ka qenë 2.3 herë më e lartë se në 2020.”

Gjithmonë flitet për buxhetet e vogla, por artistët vazhdojnë të jenë më pak të paguarit. Pse ndodh kjo? Sa shqetësuese është për ju kjo?

“Në kuadër të thirrjes për këtë vit, individët (artistët) mund të aplikojnë në tri kategori:

- Projektet dhe ngjarjet në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore, ku mbështetja nuk është më e vogël se 10 mijë euro;

- Projektet e krijuesve (artistëve) të rinj, ku shkalla e përkrahjes është 3000 – 5000 euro; dhe

- Fondi i mobilitetit për promovim ndërkombëtar të artit dhe trashëgimisë kulturore të Kosovës, me një përkrahje në shumë prej 8 mijë euro.

Në fillim të vitit kemi bërë thirrjen për përkrahjen e botimit të revistave dhe librave, si dhe blerjen e librave. Gjatë muajit mars, Qeveria ka marrë vendim për ndarjen e mbi një milion eurove për blerjen e veprave të artit. Së shpejti do të hapet dhe thirrja për bursa për profilet deficitare në art dhe kulturë. Po ashtu, jemi në procesin e reformës së përgjithshme në kulturë, ku do të njihet statusi i artistit të pavarur dhe pritet të ndryshojë edhe forma e përkrahjes për artistët. Në vitin e kaluar OJQ-të dhe individët në fushat që mbulon MKRS-ja përmes subvencionimit ka pasur një përkrahje me një shumë të përgjithshme mbi 11 milionë euro, dhe vetëm për kulturë e trashëgimi, për individë, janë përkrahur mbi 300 artistë e profesionistë në trashëgimi me një shumë prej afër një milion euro.“

Megjithatë, Ministria nuk adresoi pyetjen se sa shqetësues është fakti që artistët mbeten kategoria me shpërblimet më të ulëta për punën e tyre.
Prandaj, nuk mbeta pa i pyetur artistët, dhe ndryshe nga Ministria, ata ishin të zhgënjyer dhe të pakënaqur nga kjo e fundit.

Kam kontaktuar me artistin Driton Hajredini, dhe si herën e kaluar, ai pranoi të përgjigjet për ne. Përgjigjjet e tij ishin mjaft të detajuara dhe qartazi shihet pakënaqësia e artistit lidhur me Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

  1. Hajredini, si po vijojnë planet në jetën artistike me projektet tuaja?

“Për momentin jam në një fazë, ta quaj "post ekspozitë", ku e mbylla ekspozitën time personale "Dialog në errësirë" në GKK dhe jam duke reflektuar mbi të. Njëkohësisht jam duke pritur të nënshkruaj kontratën me Manifesta 14 për të realizuar videon e re "Sin 2", të cilën doemos do ta realizoj në Münster të Gjermanisë, pra në të njëjtin vend ku është realizuar edhe videoja e parë e këtij cikli më 2004 sa isha student në Akademine e Arteve ne Münster.”

Si është të jetosh si artist në Kosovë?

“Nga ana e inspirimit apo akumulimit nuk qëndrojmë keq si artistë në Kosovë, por të tjerat lënë shumë për të dëshiruar.”

Sa jeni të kënaqur me kushtet e punës ju si artist, sa i përket aspektit financiar?

“Sa i përket aspektit financiar si komunitet jemi shumë keq dhe kjo për shumë arsye. Ndër arsyet kryesore janë hallkat e shumta që mungojnë në zinxhirin e sistemit tonë artistik, e ndër to kryesoret janë hallka e koleksionuesve të artit dhe ndërmjetësuesve të artit nëpër panaire të ndryshme jashtë vendit. Artisti ka mbetë në meshirën e vetvetes, pra duhet të gjindet vetë si mundet që të mund të mbijetojë.”

Sa është e vetëdijshme Ministria ose shteti rreth punës së artistve në Kosovë?

“Ministria dhe shteti janë aq të vetëdijshme sa madje as në hapje nuk na vijnë, e këtu e kam fjalën konkretisht për ministrin e kulturës dhe kryetarin e qytetit, të cilët lëre që nuk erdhën në hapje, por as nuk e panë ekspozitën fare, e cila qëndroi e hapur 21 ditë. Kjo është zhgënjyese në aspektin e frymëzimit të vizitorëve të tjerë për të shkuar nëpër Galeri. E pafalshme.”

A vlerësohet puna e artistit në Kosovë?

“Unë mendoj që vleresohet me aq "takat" sa kemi ne si shoqëri.”

Gjithashtu për Nacionalen lidhur me këtë problematikë është përgjigjur shkurtimisht Pranvera Sylejmani (piktore):

Sa mendoni që artistat munden me shfaqë veten ne Kosovë? A jeni të kënaqur me kushtet e punës ju si artistë?

“Nuk jemi të kënaqur, se gjitha aktivitetet dhe qendrat e artit janë vetëm në Prishtinë. Qytetet përreth janë më të thata, mungojnë Galeritë dhe qendrat e artit. Unë vij nga qyteti Ferizaj dhe gjithmonë, që me pa një eveniment të llojit të tillë si ky sot, më duhet të vij deri në Prishtinë.”

A mendoni se Ministria është e vetëdijshme rreth kësaj çështje?

“Unë mendoj se investimet duhet të jenë nga Qeveria dhe Ministria edhe qytetet e tjera. Mos të ketë Galeri vetëm kryeqyteti.”

A është e lehtë me jetu si artiste në Kosovë?

“Këtu defenitivisht punohet vetëm për mbijetesë, e jo për jetesë. Unë si piktore më duhet ta gjej një punë tjetër për me i siguru të ardhurat. Përmes pikturës është e pamundur me jetu.”

Nacionalia gjithashtu nuk la pa e pyetur edhe Drejtorin e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Naim Sapihun. Ai është përgjigjjur për ne:

Sa janë të kënaqur artistët me kushtet e punës, sa i përket aspektit financiar?

“Nëse flasim prej këndit të një artisti, unë vetë jam artist, jam piktor, dhe kjo pjesa menaxheriale si ushtrus detyre nuk është për artista, sepse të merr shumicën e kohës. Nuk ki kohë për veten tënde në aspektin profesional, që jam duke vuajtur në këtë aspekt. Ajo çfarë vlen për t’u theksuar është se ne si institucion i kriojmë hapësirë artistëve. Artistat janë përzgjedhë nga kërkesat që i kemi ose nga konkursi që e bëjmë. Nuk është e lehtë për artistin, për shkak të gjendjes financiare apo ekonomike, ata patjetër duhet të bëjnë një punë tjetër sepse e kanë të vështirë të jetojnë prej punës së tyre profesionale, thjesht të mbijetojnë. Ne e dimë si e kemi tregun, kemi një numër të madh të artistave të cilët kanë vlera. Por këto aktivitete i bëjmë si motivim i artistëve, pavarësisht rrethanave, artisti/ja duhet të krijojë, të punojë dhe duhet të dëshmojë që një ditë, del në pah puna e tij ose e saj.”

Sot ekspozita ishte në partneritet nga Ministrisë Kulturës Rinisë dhe Sportit, sa po kemi mbështetje?

“Ne jemi si institucion varës i Ministrisë së Kulturës, mirë që kemi një kordinim mjaft të mirë me ministrin dhe kabinetin e ministrisë. Jemi mjaft konstruktiv në shumicën e rasteve dhe shumicën e aktivitetve. Në çdo prezantim që e bëjmë mundohemi të ruajmë rejtingun e institucionit dhe vetë Ministrisë së Kulturës, sepse këtu është një çerdhe e komunitetit artistik. Ne si shtëpi e komunitetit artistik duhet të krijojmë kushte, më pas prezantime të mirëfillta me qenë shembulli më i mirë i kulturës.

Pas përgjigjeve të artistëve, përsëri i adresova pyetje Ministrisë për pakënaqësitë e artistëve: Pse nuk shkojnë të vizitojnë ekspozitat e artistëve Kosovarë? Pse ka Galeri vetëm në kryeqytet?

Këtë herë, Ministria nuk denjoi të përgjigjej.

Lajme të ngjashme