Adolescence - NACIONALE

Adolescence

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Jon Krasniqi

Netflix herë pas here sjell seri origjinale që lënë mbresa, por rrallëherë sjell diçka kaq të fuqishme dhe tronditëse si Adolescence.

Kjo mini-seri me 4 episode rrëfen historinë e një 13-vjeçari, i akuzuar për një vrasje të një klasoreje dhe pasojat e rënda që kjo sjell për familjen e tij dhe komunitetin. Adolescence vjen në një kohë kur dhuna dhe urrejtja gjinore në internet janë në rritje, duke e trajtuar në mënyrë të ndjeshme dhe të saktë se sa e vështirë është të kuptohet se çfarë ‘konsumojnë’ të rinjtë online. Seriali nxjerr në pah sesi narrativat përçarëse dhe radikalizimi po përhapen në rrjetet sociale dhe shërben si një paralajmërim për prindërit që të jenë më të kujdesshëm ndaj ndikimit të internetit tek fëmijët e tyre.

Regjisori Philip Barantini dhe skenaristët Stephen Graham e Jack Thorne kanë krijuar një vepër të fuqishme dhe të jashtëzakonshme. Dialogjet janë shumë të drejtpërdrejtë dhe emocionalisht të rëndë, ndërsa teknika me të cilën është bërë xhirimi (one-shot), i jep serialit një ndjesi autentike dhe speciale.

Një nga momentet më mbresëlënëse ndodh në fund të episodit të dytë, ku kamera lëviz për kilometra të tëra, duke përcjellë në mënyrë mjaft të bukur tensionin dhe emocionet e ngjarjes. Thorne dhe Graham (shkrimtarët e serisë) thanë se ata synojnë që Adolescence të jetë një vepër që shkakton diskutime dhe bën ndryshime", dhe unë mbetem me shpresë që kjo të ndodhë përtej

Britanisë së Madhe (vendi ku është xhiruar seria). Ky TV-show, besoj që i përket kurrikulave shkollore si një paralajmërim për rreziqet e ndikimeve të pakontrolluara në internet.

Aktrimi është i jashtëzakonshëm, me Owen Cooper duke dhënë një performancë me të vërtetë mbresëlënëse si Jaime Miller. Vështirë të besohet se ky ishte roli i tij i parë në televizion, megjithatë portretizimi i tij i një adoleshenti me mendje të trazuar ndihet jashtëzakonisht i vërtetë në ekran.

Një nga episodet më të fuqishëm është i treti me rend, ku një diskutim, qe duket si një lojë shahu mes Jaime (Owen Cooper) dhe psikologes Briony Ariston (Erin Doherty) shndërrohet në një eksplorim të thellë të ndjenjave të tij mbi veten dhe marrëdhënien me gjininë tjetër. Për më tepër, e gjithë kjo skenë 44-minutëshe është xhiruar pa asnjë prerje (one-shot), duke e bërë edhe më interesante mënyrën e sjelljes së emocioneve në ekranin tonë.

Vlerësimi: ⭐⭐⭐⭐⭐ (5/5 yje)

Adolescence është një reflektim brutal dhe i guximshëm mbi mënyrën se si maskuliniteti modern po formësohet dhe shpeshherë keqpërdoret në epokën dixhitale. Një seri që nuk do të harrohet lehtë dhe që duhet të shërbejë si një thirrje për reflektim, jo vetëm për prindërit, por për gjithë shoqërinë.

Lajme të ngjashme