Intervistë me Fitim Ukën: Qysh ta arrijmë lumturinë? Profesori merr pranim ndërkombëtar për teorinë e tij - NACIONALE

Intervistë me Fitim Ukën: Qysh ta arrijmë lumturinë? Profesori merr pranim ndërkombëtar për teorinë e tij

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Në një intervistë për Nacionale, profesori Fitim Uka është përgjigjur në lidhje me librin e tij të ri “Teoria dhe Psikoterapia e Kohezionit të Brendshëm”. Libri është promovuar në muajin mars të këtij viti dhe po gëzon sukses të madh.

Ekskluzivisht për këtë intervistë, profesori universitar dhe deputeti i Vetëvendosjes ndan lajmin që më 15 maj 2022, American Psychological Association (APA) do ta publikojë një artikull të plotë për teorinë dhe psikoterapinë e kohezionit të brendshëm. Teoria e profesorit Uka është komentuar edhe nga editorja e APA - Zoe Ross-Nash, e cila i ka cilësuar teknikat e teorisë jashtëzakonisht praktike dhe të mbështetura në dimensionin real të jetës.

Ky cilësohet lajm i rëndësishëm për komunitetin shkencor kosovar, pasi më në fund teoritë shkencore nga Kosova po arrijnë të depërtojnë e madje edhe të pranohen edhe në mjedise ndërkombëtare.
Teknikat e teorisë, tashmë të përdorura të pacientë të ndryshëm - janë treguar shumë efektive, veçanërisht në trajtimin e ankthit dhe depresionit.

NACIONALE:

Profesor, siç e keni cekur në librin tuaj, tendencat e teorisë janë: për t’i dhënë kuptim mënyrës se si (keq)funksionon njeriu në aspektin psikologjik (1), për t’i dhënë shpjegim dhe për t’i ofruar trajtim çrregullimeve (2), dhe për t’i dhënë shtysë përpjekjeve që ndihmojnë njeriun modern që ta (ri)gjejë kohezionin e brendshëm (3). A mund ta ndani me ne një shpjegim më të hollësishëm se çka është kohezioni?

FITIM UKA:

Në radhë të parë të gjitha ato që ju i thatë janë përpjekje, tendenca të psikoterapisë së kohezionit të brendshëm. E para, teoria e kohezionit të brendshëm tenton që të të bëjë të qartë se çka është psikopatologjia, dhe e dyta ofron një formë të re trajtimi që ka për synim ta ndihmojmë personin që ta gjejë kohezionin e brendshëm – që është një lloj gjendjeje, në të cilën individi e përpunon të kaluarën e tij, pajtohet me të, merr përgjegjësinë që i takon, bën paqe me të kaluarën dhe pastaj lëviz në projektim të asaj që është e ardhme, e gjithmonë ai lloj projektimi duhet të jetë në përputhje me potencialin që e ka individi. Dhe, e tëra kjo si parakusht që në të tashmen të ndihet mirë dhe të përjetojë kohezionin e brendshëm. Pra, vetëm atëherë kur një individ është i gatshëm të gjitha konflikteve nga e kaluara t’u bëjë zgjidhje dhe të projektojë një lloj plani racional për të ardhmn – e arrin kohezionin e brendshëm.

NACIONALE:

“Teoria ka qasje krejtësisht humane dhe përmblidhet në dëshirën për t’i ndihmuar njerëzit që të kalojnë nëpër një periudhë të vështirë jetësore.” - thuhet në një fragment të librit. Tani, një pyetje që pos që ka të bëjë me ‘një periudhë të vështirë jetësore’, i dedikohet edhe një pike të vështirë, që për fat të keq besoj secilit prej nesh i ka rënë të takojë njerëz “që s’duan t’i ndihmojnë vetes”, çka për ata?

FITIM UKA:

Po, është e vërtetë. Në rrethin që jetojmë ballafaqohemi shpeshherë me klientë që nuk e kanë dëshirën për t’i ndihmuar vetes. Megjithatë, roli i psikologut duhet të shtrihet përtej trajtimit dhe besoj që ne si komunitet, e kemi për obligim që jo vetëm të trajtojmë klientët të cilët e kanë dëshirën për të ardhë dhe për të parë një ndryshim të mirëfilltë të vetja, por edhe ata të cilët janë skeptikë në psikoterapi. Prandaj, ne duhet të bëjmë kampanja të ndryshme të intervenimit – që e promovojnë rolin e psikologut dhe psikoterapetutit, dhe ta zhveshim këtë profesion prej paragjykimeve që kanë jetuar për një kohë të gjatë, jo vetëm në vendin tonë – por përgjithësisht gjithandej nëpër botë. Në momentin kur arrijmë që të krijojmë një lloj perceptimi të atillë që komponenta e shëndetit psikologjik është po aq e rëndësishme sa edhe ajo fizike, atëherë njerëzit nuk do të hezitojnë t’i kërkojnë shërbimet tona ashtu siç i kërkojnë shërbimet e një mjeku familjar, apo çfarëdo profesionisti tjetër.

NACIONALE:

“Koha është elementi kryesor dhe teoria shpjegon dhe argumenton rëndësinë që ka ky dimension për shëndetin psikologjik.” – thotë një fragment tjetër i librit. Çka është koha në psikologji?

FITIM UKA:

Sa herë që i referohemi kohës, unë them që është një prej fenomeneve më absurde që ekziston në fushën e psikologjisë, sepse në fusha tjera ekzakte përpjekja është të kuantifikohet koha, përderisa kur ajo shkrihet në perceptimin e njerëzve, nuk është madje as perceptim, është një lloj iluzioni. Kjo na ndodh secilit në përjetimet tona të përditshme, ta zëmë, majfton ta largojmë orën prej fushës tonë perceptive dhe të qëndrojmë në një ambient të caktuar, dhe pothuajse asnjëherë nuk jemi në gjendje të tregojmë saktë se sa kohë ka kaluar. Përherë ka përvoja që në i përjetojmë dhe fizikisht të zgjasin vetëm 30 sekonda, por në perceptimet tona duken që kanë zgjatë tepër shumë, apo edhe anasjelltas. Prandaj po them që është fenomen absurd, jashtëzakonisht i rëndësishëm, e besa shumë i neglizhuar në fushën e psikoterapisë. Sepse siç kam bërë përpjekje ta sqaroj edhe në libër, ekzistojnë shumë teori dhe psikoterapi të famshme që e kanë injoruar elementin kohë dhe e kanë tendecën të fokusohen vetëm në të kaluarën apo të shohin vetëm në drejtim të së ardhmes, e disa të tjera që e specifikojnë vetëm të tashmen, pa e kuptuar që praktikisht asnjëra prej kohëve nuk mund të ekzistojë pa tjetrën. Pra ato kohë ekzistojnë dhe qenia jonë sot i falet asaj që ka qenë dje, dhe asaj që mund të jetë nesër. Prandaj, nuk mund të shkoqitet asnjë lloj perspektive kohore nga ky kordon i kohës, që është e kaluara, e tashmja dhe ardhmja.

NACIONALE:

Nëse termin “çrregullim mendor” do ta ‘trajtonim’ si ekuacion, cilat të panjohura do të ishin pjesë e tij, për ta determinuar si të tillë?

FITIM UKA:

Çrregullimet mendore kanë një etimologji, pra kanë një lloj prejardhje – një proces të formësimit. Përpjekja e teorisë se kohezionit të brendshëm është të tregojë edhe si vijnë ato. Besoj kjo ka qenë e panjohura e psikologjisë se anormalitetit për një kohë të gjatë, dhe përgjegjësisht në psikologji nuk ekziston asnjëlloj përgjigje që i reziston përherë kohës, pra mbështetë këtu edhe në epistimologji (shkencën mbi njohjen), njohjet që kemi sot mund të jenë jorelevante për një realitet që na vjen nesër. Pra e vërteta është fluide, por gjithashtu është edhe dinamike. Pëherë ke argumente që janë në favor të një teorie apo një shpjegimi dhe të tjera që e kundërshtojnë atë. Por nga kjo përplasje, pra edhe atëherë kur ka mendime totalisht antagoniste – përfiton psikologjia. Megjithatë, matematika elementare nuk funksionin për çrregullimet mendore, përherë e ke tendencën që dy plus dy – të mos bëjnë katër, por pesë, shtatë, tri e kështu me radhë...
Prandaj, unë them që ekuacioni i çrregullimeve mendore eshtë sa i njohur aq edhe i panjohur. Ne e dimë që është një shumësi faktorësh të cilët e ndikojnë secilin çrregullim mendor, dhe qasja më e pranueshme është ajo biopsikosociale. Ekzistojnë faktorët gjenetikë që determinojnë çrregullime të caktuara, pastaj faktorë socialë të cilët e ndikojnë jashtë mase zhvillimin dhe mbajtjen peng të atyre çrregullimeve, dhe në fund janë edhe faktorët psikologjikë të cilët u kontribojnë faktorëve individualë, e që në rrafshin e psikologjisë klinike ata janë goxha mirë të elaboruar, por vazhdon të mungojë edhe një, po i referohem: hap final i këtij ekuacioni, e që është zgjidhja. Pra ende nuk e kemi plotësisht të qartë se cila është zgjidhja më e mirë për çrregullimet patologjike që na vijnë në mjediset tona klinike.

NACIONALE:

Me një ‘gjuhë të lehtë’ – të kuptueshme për të gjithë, a mund të na jepni një shpjegim çka janë psikofarmakologjia dhe psikoterapia dhe cili është dallim ndërmjet tyre?

FITIM UKA:

Që të dyja qasjet janë forma të trajtimit të çrregullimve mendore. Çuditërisht është krijuar një lloj ambienti i atillë që njëra e lufton tjetrën, dhe unë mendoj që njëra nuk bën kurrsesi pa tjetrën. Në veçanti, në komunikimin që e kam unë me studentë, me ata që nesër do të jenë profesionistë të shëndetit mendor - përpiqem ta bëj të qartë se potenciali që e kemi ne si psikologë, në raste të caktuara është i limituar dhe vetëm atëherë vjen në shprehje psikofarmakologjia – që është fushë që u takon psikiatërve. Prandaj, në këtë dimension konsideroj që bashkëpunimi psikolog – psikiatër është i domosdoshëm, në veçanti në trajtimin e çregullimve të rënda të sistemit nervor dhe veçanërisht në trajtimin e çrregullimeve psikotke, sepse vetëm atëherë kur psikiatri reagon me medikamente dhe i zbeh simptomat e qarta dhe shenjat e rënda të shëndetit mendor, mund të vijë në shprehje psikoterapia. Ndonjëherë në përpjekje për ta shpjeguar dinamizmin e psikofarmakologjisë dhe psikoterapisë, unë them që psikofarmakologjia i trajton simptomat, përderisa psikoterapia gjenezën. E ndonjëherë është e kotë të trajtohen simptomat nëse nuk trajtohet gjeneza, e me raste është e kotë të tentohet të trajtohet gjeneza, kur simptomat janë prezente dhe e bëjnë të pamundshme arritjen në cak.

NACIONALE:

Cilat janë strukturat e sistemeve të kohezionit të brendshëm…?

FITIM UKA:

Unë edhe në libër jam përpjekur që ta shpreh qartazi pse kemi nevojë për struktura. Mes tjerash kam thënë që është ide utopike të mendohet që faktorët e njëjtë i bëjnë njerëz të ndryshëm pa dallim të ndihen të lumtur, se dihet që përmbushja e qëllimeve të njëjta nuk sjell lumturi te personat e ndryshëm. Janë katër sisteme në të cilat unë besoj që shpërndahet e gjithë ajo që është domosdoshme për realizim më të mirë të vetes. Pra, në radhë të parë është një dimension intrapersonal – që është raporti që e ka individi me veten e tij. Ekziston një zë i bredshëm që na flet në vazhdimësi, dhe neve pa trajtimin e atij zëri të brendshëm në mënyrë adaptive edhe efektive, nuk mund të themi që kemi një raport të shëndoshë mandej me sisteme tjera. Pra, sistemi i parë është ai intrapersonal – dhe në të unë kam thënë që shkrihen tri shkathësi kryesore: vetërregullimi – mënyra se si ne i menaxhojmë emocionet, ndjenjat, mendimet, veprimet; pastaj është vetëbesimi – forma se si ne e shohim dhe vlerësojmë veten tonë, dhe dimensioi tjetër është motivimi – që është motori i sjelljes sonë. Në anën tjetër, ekziston një sistem i dytë pa të cilin besoj se jeta nuk do të kishte kurrfarë kuptimi – që është sistemi ndërpersonal, pra tendenca e komunikimit dhe bashkëveprimit që ne e kemi me të tjerët. Pra, ne bashkëjetojmë me njerëzit e tjerë, qoftë ajo edhe nën nivelin e mendimeve dhe përshtypjeve që kemi për ta. Prandaj, këtu hyjnë të gjitha figurat e rëndësishme me të cilat personi ka kontakt, përfshirë familjen, kolegët e punës, shoqërinë, partnerin – dhe secila prej këtyre raporteve mandej e ndikon raportin që ne kemi me veten tonë; e pikërisht këtu qëndron escenca e atij dinamizmit për të cilin unë flas, pra dydrejtimshmëria e raporteve. Nuk mund ta ndikojë vetëm njëra-tjetrën, por edhe ndikohet nga tjetra. Pra, një raport i mirë intrapersonal ndikohet nga raporti ndërpersonal dhe anasjelltas. Në sistemin e tretë, sistemin profesional – unë kam thënë që bëjnë pjesë qëllimet jetësore, ato të cilat personi i vendos si qëllime finale të jetës së tij, pra, që është: puna, zhvillimi akademik dhe eventualisht çfarëdo lloj përpjekjeje tjetër që e realizon individi për të gjetur kohezionin e brendshëm, por që punon në atë drejtim. Dhe e fundit është sistemi spiritual, që edhe nga kritika që kam marrë, është një inovacion në vete – në formën se si unë përpiqem ta sjell në psikoterapi. Kjo për faktin e thjeshtë se unë besoj që qenia njeri nuk duhet asnjëherë të reduktohet vetëm në funksionin fizik, por besoj që duhet të shihet edhe në dimensionin e tij shpirtëror, prandaj për mua është e rëndësishme dhe po besoj që edhe për shumicën absolute të klientëve të mi është tepër i rëndësishëm edhe kuptimi i jetës. Pra të dhënit kuptim jetës dhe asaj që ne e njohim si realitet. Vetëm atëherë kur individi arrin t’i koordinojë këto katër sisteme në të trija kohët – ai arrin atë që e konsideroj që është kohezion i brendshëm.

NACIONALE:

Kjo teori ndërtohet mbi trekëndëshin: mendim racional, evidencë shkencore dhe përvojë klinike, pika e dytë e trekëndëshit: evidenca shkencore… Çka ka nën ombrellën e kësaj evidence dhe sa ka qenë e vështirë të krijohet një bazament i fortë shkencor për një teori të tillë, me qëllim kaq kolosal?

FITIM UKA:

Ideja fillestare ka qenë shpjegimi logjik i çrregullimeve mendore. Fillimisht kam gjetur një lloj shpjegimi me të cilin jam ndarë i kënaqur me veten, se si ia dal të argumetoj krijimin e çrregullimeve mendore. Megjithatë, të pasurit e një ideje apo një shpjegimi logjik nuk është i mjaftueshëm për ta dëshmuar që është i saktë, apo i vërtetë. Prandaj, duhet që përherë ta kemi një mbështetje në evidencë. Këtë mbështetje në evidencë e kam gjetë duke realizu një hulumtim me mbi 800 respondentë, të cilët i kam pyetur për secilin prej sistemeve dhe të trija kohët, e prej aty ka dalë pastaj mbështetja se sistemet janë të ndërvarura me njëra-tjetrën. E atëherë kur e kemi parë që personat të cilët e arrijnë kohezionin e brendshëm rezultojnë në rezultate më të mira të shëndetit mendor – kemi thënë që ky është një projekt, është një produkt që duhet të shtyhet përpara dhe të përkthehet në një libër dhe në një qasje të re terapeutike.

NACIONALE:

Çka i dallon teknikat terapeutike të psikoterapisë së kohezionit të brendshëm nga teknikat tjera terapeutike?

FITIM UKA:

Nuk e besoj që teknikat e propozuara në terapinë e kohezionit të brendshëm dhe teknikat që përdoren në qasjet e tjera kanë dallime substanciale. Me këtë nuk dua të tingëlloj modest, por e besoj që kjo është e vërteta që transmetohet edhe në libër. E kam bindjen që disa prej teknikave terapeutike të propozuara në këtë libër janë të frymëzuara prej teknikave paraprake, sepse siç e kam thënë disa herë – kjo është qasje eklektike, dhe nuk ka më asgjë të re në psikologji. Aq shumë është konsumuar debati në psikologji, sa sot mund të jetë thjesht një ripërtrirje e dilemave dhe njohjeve që i kemi prej më herët. Por për mua personalisht, ka qenë i jashtëzakonshëm një vlerësim që kam marrë nga një kolege ndërkombëtare, më saktësisht nga editroja e zhurnalit të Psikoterapisë dhe Asosacionit të Psikologëve amerikanë Zoe Ross-Nash, që teknikat që i kemi në libër i ka cilësuar si jashtëzakonisht pratike dhe të mbështetura në dimensionin real të jetës. Këtë lajm të mirë, po e ndaj me juve, me datën 15 maj APA do ta publikojë një artikull të plotë për teorinë dhe psikoterapinë e kohezionit të brendshëm, që kjo përbën një përmbushje të synimit tim final: promovimin e terapisë edhe në mjedise ndërkombëtare. Andaj, mezi e pres 15 majin për të festuar këtë lloj suksesi.

NACIONALE:

Profesor, sa kohë ju është dashur për ta finalizuar librin tuaj deri në pikën kur keni konsideruar që është i gatshëm për ‘të dalë’, dhe çka ka qenë më sfiduese gjatë këtij procesi?

FITIM UKA:

Në krejt këtë proces, sfida më e madhe jam unë, është vetja ime. Kjo për shkak se nëse i tregoj dikujt që kam punuar katër vjet në këtë libër, bindja krijohet sikur nuk mjaftojnë faqet për ta arsyetuar kohën. Por në anën tjetër, dilemat që kanë derivuar si rezultat i këtij procesi më kanë bërë që në kohë të ndryshme të tërhiqem edhe qëllimshëm prej idesë; të lexoj e të rilexoj, të ndryshoj e të kritikoj – sa që besoj se po të ishin nxjerrë secili version draft i librit që kam shkruar deri në botim, do dilnin edhe katër-pesë libra tjerë për nga volumi. Megjithatë, ky botim që ju sot e shihni e përmbledh punën e katër viteve – që nënkuptojnë shumë ndryshime, shumë ndërhyrje. Dy vite më parë, kjo ka qenë një ide e etabluar që do mund të përkthehej në libër brenda një apo dy muajve, por prapë po them që sfidën me të madhe unë e kam me veten – më është dashtë kohë deri në momentin kur kam arritë me bindë veten që kjo lloj njohje është e vlefshme dhe duhet ta ndaj me të tjerët. E po ashtu, më është dashtë kohë derisa bindjen e kam përforcu me efikasitetin e qasjes në raport me klientët. Sot jam krenar të tregoj që jemi në përpunim të një hulumtimi të ri, i cili flet për efektivitetin e teorisë se kohezionit të brendshëm në trajtimin e depresionit dhe çrregullimeve të ankthit, e që do të botohet në një zhurnal prestigjioz ndërkombëtar “Frontiers in Psychology” dhe që do ta ketë një lloj sqarimi të thukët të asaj se si teknika terapueutike dhe se si qasja e re terapueutike e ndikon drejtpërsëdrejti shëndetin mendor të klientëve. Prandaj, konstatoj që rrugëtimi prej katër vjetëve ia ka vlejtë dhe besoj që po ta kisha nxjerrë më herët, nuk do ta kisha pasë të njëjtin pasion për ta promovuar dhe të njëjtën xhelozi për ta mbrojtur në raport me kritikat që vijnë nga jashtë.

NACIONALE:

Pika e tretë e trekëndëshit ishte ‘përvoja klinike’ andaj, krejt në fund, duke qenë se keni përvojë të gjatë si psikolog dhe psikoterapeut, prej kujt më mirë se prej jush do t’i pranonim disa këshilla, në këto kohë dinamike, ç’na thoni, si mund të jemi të lumtur?

FITIM UKA:

Kjo tendenca për të gjetë lumturinë është njësoj sikur tendenca për të studiuar terrin duke e ndezë dritën. Pra, është një lloj fenomeni pothuajse i paarritshëm, përderisa kthehet në një cak e nuk është proces. Unë them përherë që lumturia është shumë e lëvizshme, aq sa kur ju e projektoni lumturinë në arritjen e një caku specifik – mendoj që zhgënjimi është më i madh se lumturia në raste të tilla. Ngase kur arrin në cakun e synuar, lumturia është shumë e përkohëshme dhe lëviz në drejtime tjera. Prandaj, lumturinë duhet parë si një lloj procesi – vetë ecja nëpër caqet që i përcaktojmë në jetë – duhet të jetë jetëshkrim lumturie. Andaj, këshilla më e mirë që mund të jap unë për njerëzit është që të mos luftojnë detyrimisht për përmbushje të qëllimeve sa të luftojnë për ta shijuar secilin hap në drejtim të qëllimit. Në momentin kur mbërrin aty pastaj, e kupton mandej që ne si qenie jemi e pamjaftueshme – që asnjëlloj qëllimi nuk e përmbush qenien tonë – mirëpo, ne duhet të gjejmë një lloj qasjeje, strategjie e cila na mundëson që qoftë më rrugëtim ne të gjejmë një lloj vetaktualizimi.

Fitim Uka është psikolog, psikoterapeut, hulumtues dhe ligjërues i psikologjisë. Studimet bazike për psikologji i ka mbaruar në Universitetin e Prishtinës, studimet master në Universitetin Ludvig Maximilian të Mynihut, ndrërkaq studimet e doktoratës në Universitetin Albert-Ludvig të Freiburgut në Gjermani. Gjithashtu, ai ka ndjekur studimet e postdoktoratës në Universitetin e Illionis në Çikago - ShBA.
Aktualisht, ai udhëheq klinikën "Empatia", ku praktikon psikoterapinë e kohezionit të brendshëm, si dhe është ligjërues në departamentin e psikologjisë në Universitetin e Prishtinës dhe pjesë e grupit ndërkombëtar të studiuesve për shëndetin pozitiv të të rinjve. "Teoria dhe psikoterapia e kohezionit të brendshëm" është libri i tij i dytë, teksa numëron mbi 30 publikime në revista të ndryshme shkencore dhe mbi 60 prezantime në konferenca shkencore dhe ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme