Zyrtarët e Trumpit po e planifikojnë ndërtimin e një baze ushtarake për 5.000 trupa në Gaza
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, është duke planifikuar që të ndërtojë një bazë ushtarake për 5 mijë pjesëtarë personeli në Gaza, që do të shtrihen në një sipërfaqe prej më shumë se 140 hektarësh, sipas disa dokumenteve të Bordit të Paqes që janë analizuar nga gazeta “The Guardian”.
Zona parashihet si bazë ushtarake operuese për Forcën e Stabilizimit Ndërkombëtar (ISF) në të ardhmen, e planifikuar si forcë shumëkombëshe me ushtarë nga vende të ndryshme. ISF-ja është pjesë e Bordit të Paqes që synon ta qeverisë Gazën, shkruan gazeta britanike.
Në planin e analizuar nga gazeta bëhet thirrje për ndërtimin në faza të një pike ushtarake që në fund do të ketë sipërfaqe 1.400 me 1.100 metra, e rrethuar me kulla vrojtimi të blinduara, bunkerë e një depo për pajisje ushtarake për operacione. E tërë baza do të jetë e rrethuar me tela gjemborë.
Një burim i afërt me planin i tha gazetës “The Guardian” se një grupi të vogël të të interesuarve për ndërtimin e bazës – kompani ndërkombëtare të ndërtimtarisë me përvojë në zonat e luftës – tashmë u është treguar zona gjatë një vizite shtetërore.
Qeveria e Indonezisë disa herë ka bërë ofertë që të dërgojë deri në 8 mijë trupa në forcën ndërkombëtare. Presidenti i Indonezisë pritej të merrte pjesë në takimin inaugurues të Bordit të Paqes në Uashington të enjten.
Është e paqartë nëse ISF-ja do të angazhohet në rast luftimesh, në rast të bombardimeve të reja nga Izraeli apo sulmeve nga Hamasi. Nuk dihet as roli i kësaj force në çarmatosjen e Hamasit, kusht i Izraelit për të kaluar te rindërtimi i Gazës.
Edhe pse më shumë se 20 shtete janë nënshkruar si anëtare të Bordit të Paqes, një pjesë e madhe e botës ka qëndruar indiferente. Edhe pse është themeluar me miratimin e Kombeve të Bashkuara, karakteri i organizatës duket se është për t’i dhënë Trumpit lidership dhe kontroll të përhershëm, thekson gazeta britanike./Nacionale