Zyrtarët e Hamasit takohen për ta diskutuar propozimin për armëpushim në Gaza
Udhëheqësit e Hamasit janë afër pranimit të një propozimi për marrëveshje armëpushimi në Gaza, por duan garanci më të forta se çfarëdo ndërprerje e armiqësive do të çojë në përfundim të përhershëm të luftës 20-mujore, kanë thënë disa burime të afërta me këtë organizatë.
Zyrtarët e Hamasit u takuan të enjten në Stamboll për t’i diskutuar propozimet e reja për armëpushim dhe më vonë lëshuan një deklaratë me të cilën konfirmuan se po bisedonin me “fraksione (të tjera) palestineze” para se të japin përgjigje formale, raporton gazeta “The Guardian”.
Grupi militant është vënë nën presion të madh muajve të fundit, pasi një pjesë e udhëheqësisë ushtarake i është eliminuar dhe ushtria izraelite po i detyron luftëtarët e tij që të tërhiqen nga ish-bastionet në pjesët jugore e qendrore të Gazës.
Fraksionet e linjës së ashpër brenda Hamasit tani e kanë pranuar me ngurrim nevojën për armëpushim që grupit t’i mundësohen rigrupimi dhe planifikimi i një strategjie të re, tha një burim i afërt me debatin e brendshëm.
Që nga prishja e armëpushimit të mëparshëm në mars, më shumë se 6.000 njerëz janë vrarë në Gaza dhe kriza humanitare akute është përkeqësuar.
Përpjekjet për arritjen e një armëpushimi të ri në enklavën palestineze fituan momentum, pasi Shtetet e Bashkuara siguruan një armëpushim në konfliktin 12-ditor mes Izraelit dhe Iranit muajin e kaluar.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, pritet të udhëtojë në Uashington të dielën për të biseduar me presidentin amerikan, Donald Trump, rreth luftës në Gaza, konfliktit mes Izraelit e Iranit dhe çështjeve të tjera rajonale.
Netanyahu për një kohë të gjatë i ka rezistuar përfundimit të përhershëm të luftës në Gaza, pjesërisht për ta ruajtur mbështetjen e aleatëve të së djathtës ekstreme në koalicionin e tij qeveritar. Megjithatë, sukseset e Izraelit në luftën me Iranin e kanë forcuar pozicionin e tij politik dhe sondazhet në Izrael tregojnë mbështetje të fuqishme për arritjen e një marrëveshjeje./Nacionale