Zyra e Netanyahut e kritikon ashpër shefin e agjencisë Shin Bet: Dështoi tërësisht më 7 tetor
Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, të martën bëri një sulm të ashpër verbal ndaj drejtorit të agjencisë Shin Bet për siguri të brendshme, Ronen Bar, duke akuzuar se të gjeturat e një hetimi të brendshëm që ai e kishte urdhëruar për dështimin e agjencisë që ta parandalonte sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023 “nuk i japin përgjigje asnjë pyetjeje”.
Të gjeturat e Shin Bet-it, përderisa japin hollësi për dështimet dhe thonë se agjencia do të mund ta parandalonte sulmin, nëse do të kishte vepruar ndryshe, kryesisht e hedhin fajin jashtë saj, përfshirë sinjalin se qeveritë e njëpasnjëshme zbatuan politika sulmuese të pamjaftueshme në lidhje me Hamasin, përfshirë shmangien e shënjestrimit të udhëheqësve të grupit, raporton gazeta “The Times of Israel”.
“Konkluzionet e Shin Bet-it nuk përputhen me peshën e dështimit të pamasë të agjencisë dhe të kreut të saj” – thuhet në një deklaratë që i është atribuuar “rrethit” të kryeministrit Netanyahu.
Në deklaratë pretendohet se Ronen Bar “dështoi tërësisht” për t’iu kundërvënë rrezikut nga Hamasi dhe në rastin e sulmeve të 7 tetorit, “e hutoi peizazhin e inteligjencës” dhe kishte një ide të gabuar në lidhje me nivelin e rrezikut që e paraqiste grupi palestinez, duke argumentuar se Shin Bet-i kishte pretenduar deri para sulmit se Hamasi dëshironte ta mbante qetësinë.
Më tej, në deklaratë pretendohet se më 1 tetor, Bar kishte rekomanduar koncesione civile ndaj Hamasit në këmbim të qetësisë dhe kishte paralajmëruar kundër shënjestrimit të udhëheqësve të Hamasit. Në deklaratë gjithashtu thuhet se në një dokument të datës 3 tetor, Bar kishte shkruar se Hamasi synonte që të shmangte një rund luftimesh kundër Izraelit dhe se shihte potencial për stabilitet, nëse Gazës i jepet një horizont pozitiv ekonomik.
Ndaj deklaratës së zyrës së Netanyahut reagoi udhëheqësi i opozitës, Yair Lapid. Në rrjetin X, ai tha se kryeministri izraelit ende “po mundohet që fajin t’ua hedhë të tjerëve”./Nacionale