Zvicra zotohet për 200 miliardë dollarë investime në ShBA, siguron ulje të ndjeshme të taksave - NACIONALE

Zvicra zotohet për 200 miliardë dollarë investime në ShBA, siguron ulje të ndjeshme të taksave

3 javë më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara dhe Zvicra të premten njoftuan një kornizë të marrëveshjes tregtare me të cilën Uashingtoni do t’ia ulë taksat e importit shtetit të pasur evropian nga 39 në 15 për qind, ndërsa kompanitë e shtetit helvet zotohen për të investuar 200 miliardë dollar në ShBA deri në fund të vitit 2028.

Shtetet e Bashkuara e Zvicra, bashkë me Lihtenshtajnin, synojnë që t’i përmbyllin bisedimet për finalizimin e marrëveshjes tregtare deri në çerekun e parë të vitit të ardhshëm, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Përfaqësuesi tregtar i Shteteve të Bashkuara, Jamieson Greer, tha se marrëveshja rrëzon pengesa të vjetra tregtare dhe hap tregje të reja për mallrat amerikane. Ai e mirëpriti “investimin masiv zviceran për ta ndihmuar zvogëlimin e deficitit tonë në produkte farmaceutike dhe në sektorë të tjerë kyçë” që do të hapin mijëra vende pune në mbarë ShBA-në.

Së paku 67 miliardë nga 200 miliardët e zotuar nga investimet zvicerane në Shtetet e Bashkuara do të vijnë më 2026, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Në shifrën e përgjithshme përfshihen zotime të mëhershme për investime në ShBA, përfshirë 50 miliardë dollarë nga kompania farmaceutike “Roche” dhe 23 miliardë dollarë nga kompania “Novartis”.

“Kjo marrëveshje e vë Zvicrën në nivel të barabartë me Bashkimin Evropian dhe e ul shkallën e taksave nga 39 në 15 për qind” – tha ministri i Ekonomisë i Zvicrës, Guy Parmelin, duke e njoftuar marrëveshjen që prek rreth 40 për qind të eksporteve zvicerane.

Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë thuhet se Zvicra është pajtuar që të heqë një varg taksash në sektorët e bujqësisë dhe industrisë, përfshirë pemë të caktuara të freskëta e të thata, ushqime deti dhe lëndë kimike./Nacionale

Lajme të ngjashme