Zjarri në Kanada arrin në qytezën Jasper, synohet mbrojtja e naftësjellësit - NACIONALE

Zjarri në Kanada arrin në qytezën Jasper, synohet mbrojtja e naftësjellësit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një zjarr në natyrë arriti të mërkurën në qytezën Jasper në Alberta të Kanadasë. Ky është njëri nga qindra zjarret që janë përhapur në provincat perëndimore, Alberta e Kolumbia Britanike, përderisa zjarrfikësit po bëjnë përpjekje që të mbrojnë objekte kyçe si Naftësjellësi Trans-malor, thanë autoritetet.

Në mesin e zjarreve që po përhapen në mënyrë të pakontrolluar në rajon përfshihen 433 në Kolumbinë Britanike dhe 176 në Alberta, ndërsa mbi 20 janë në zonën Fort McMurray, qendër e naftës së papërpunuar, raporton agjencia “Reuters”.

Naftësjellësi, përmes së cilit mund të transportohen 890 mijë fuçi nafte në ditë nga Edmontoni në Vancouver, kalon nëpër një park kombëtar afër qytezës piktoreske, nga e cila rreth 25 mijë njerëz u detyruan të largoheshin të martën.

“Zjarrfikësit... janë duke punuar për të shpëtuar sa më shumë struktura që është e mundshme për ta mbrojtur infrastrukturën kritike, përfshirë fabrikën për përpunimin e ujërave të zeza, objektet e komunikimit, Naftësjellësin Trans-malor” – thanë autoritetet kanadeze të parqeve.

Operatori i naftësjellësit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të agjencisë “Reuters” për koment, por më herët tha se ishte duke e menaxhuar naftësjellësin dhe kishte nisur të përdorte mbrojtës me spërkatës si masë parandaluese.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, tha se qeveria e tij e ka miratuar kërkesën e provincës Alberta për asistencë federale.

Lajme të ngjashme