Zjarr masiv në natyrë në Qipro, dy të vdekur e shtëpi të shkatërruara
Dy njerëz vdiqën dhe qindra të tjerë u evakuuan për shkak të një zjarri masiv në natyrë që ka shpërthyer në pjesën jugore të Qipros, duke shkatërruar shtëpi e duke rrezikuar komunitete në kohën e një vale intensive të vapës.
Të paktën 100 kilometra katrorë sipërfaqe u dogjën në një rajon të kultivimit të verës në veri të qytetit Miassol, pasi zjarri shpërtheu të mërkurën rreth mesditës. Disa fronte ishin ende aktive të enjten në mëngjes, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Dy persona u gjetën të vdekur në një veturë të djegur, që kishte mbetur e ngujuar nga zjarri. Të paktën dhjetë njerëz të tjerë u lënduan, dy prej tyre seriozisht, tha policia qipriote.
Aeroplanë për fikjen e flakëve u dislokuan herët në mëngjes, pasi errësira e kishte detyruar uljen e tyre. Autoritetet thanë se ishte shumë herët për të dhënë vlerësim të saktë të dëmit ose të flitet për shkaktarin e zjarrit.
“Po flasim për erëra shumë të forta, me furi, të cilat vazhdimisht po ndryshonin” – tha zëdhënësi i brigadës së zjarrfikësve, Andreas Kettis.
Temperaturat në ishull arritën në 43 gradë Celsius të mërkurën, duke i nxitur autoritetet që ta aktivizonin alarmin me ngjyrë të portokalltë për mot ekstrem. Alarmi me këtë ngjyrë ishte në fuqi edhe të enjten, kur temperatura maksimale pritet të arrijë në 44 gradë – më e larta deri më tani këtë vit.
Qiproja ka kërkuar ndihmë përmes mekanizmit të Bashkimit Evropian për mbrojtje civile. Spanja pritet të dërgojë të enjten dy aeroplanë kundër zjarreve, tha zëdhënësi qeveritar, Konstantinos Letymbiotis. Edhe Jordania ka premtuar asistencë.
Shteti ishullor është ballafaquar me thatësi të gjatë, duke i çuar në nivel të ulët kritik rezervat e ujit./Nacionale