Zgjidhen pesë anëtare të reja të Këshillit të Sigurimit, Gjermania mbetet jashtë - NACIONALE

Zgjidhen pesë anëtare të reja të Këshillit të Sigurimit, Gjermania mbetet jashtë

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara të mërkurën i zgjodhi Austrinë, Kirgizinë, Portugalinë, Zimbamvenë dhe Trinidad-Tobagon në Këshillin e Sigurimit për mandat dyvjeçar duke filluar nga 1 janari i vitit 2027.

Gjermania, e cila kishte lobuar fort për të siguruar një ulëse, doli e treta në garën për dy vende nga Evropa Perëndimore dhe të Tjerët. Gjermania mori 104 vota, Portugalia 134 e Austria 131, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Gara mes Filipineve e Kirgizisë për ulësen nga Grupi i Azisë-Paqësorit shkoi në katër runde votimi, ndërsa Kirgizia në fund e arriti shumicën e nevojshme prej dy të tretat e votave, duke e siguruar për herë të parë ulësen në Këshillin e Sigurimit. Shteti i Azisë Qendrore mori 142 vota, ndërsa ai i Azisë Juglindore vetëm 49.

Këshilli i Sigurimit është organi i vetëm i OKB-së që mund të marrë vendime ligjërisht të detyrueshme si vendosja e sanksioneve dhe autorizimi i përdorimit të forcës. Këshilli ka pesë anëtare të përhershme: Britania, Kina, Franca, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia.

Dhjetë anëtare të tjera zgjidhen me vota. Pesë anëtare të reja zgjidhen për çdo vit. Këtë vit, një shtet do të jetë nga Grupi i Afrikës, një nga Amerika Latine dhe Karaibet, një nga Azia e Paqësori dhe dy nga Evropa Perëndimore e të Tjerët.

Zimbabveja do ta zëvendësojë Somalinë dhe Trinidad-Tobago do ta zëvendësojë Panamanë. Portugalia e Austria do t’i zëvendësojnë Danimarkën e Greqinë, ndërsa Kirgizia Pakistanin.

Bahreini, Kolumbia, Republika Demokratike e Kongos, Letonia dhe Liberia do të vazhdojnë që të shërbejnë si anëtare të përkohshme të Këshillit të Sigurimit deri në fund të vitit 2027./Nacionale

Lajme të ngjashme