Zgjedhjet në Çeki: Opozita e lidhur me të djathtën ekstreme prin bindshëm në sondazh - NACIONALE

Zgjedhjet në Çeki: Opozita e lidhur me të djathtën ekstreme prin bindshëm në sondazh

1 vit më parë

nga NACIONALE

Çekia do të mbajë zgjedhje parlamentare më 3 dhe 4 tetor, tha të martën presidenti Petr Pavel, duke e ndërtuar skenën për një garë mes koalicionit qeverisës të qendrës së djathtë dhe opozitës populiste të lidhur me të djathtën ekstreme evropiane.

Partia opozitare ANO, e udhëhequr nga ish-kryeministri Andrej Babis, po prin në sondazhe me dallim të madh para koalicionit Spolu (Bashkë) të kryeministrit Petr Fiala, i cili e ka mbështetur fuqishëm Ukrainën, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Formimi i shumicës parlamentare që nevojitet për qeverinë e re do të varet nga performanca e partive më të vogla, përfshirë grupet në pushtet dhe në opozitë, të cilat nuk janë të sigurta nëse do të fitojnë ndonjë ulëse në Kuvend.

Sipas një sondazhi të agjencisë “Kantar” për televizionit çek, e cila u publikua të dielën, partia ANO e opozitës prin me 35 për qind të përkrahjes, dukshëm para koalicionit Spolu në pushtet, i cili ka vetëm 19,5 për qind.

Nën pushtetin e Fialas, Çekia ka dërguar armë të rënda në Ukrainë për ta ndihmuar Kievin kundër pushtimit rus pak pas fillimit të luftës më 2022 dhe ka udhëhequr një nismë për ta financuar municionin e artilerisë për mbrojtjen e Ukrainës. Partia ANO i ka kritikuar këto përpjekje.

Në anën tjetër, ish-kryeministri Babis ka premtuar kufizime më të ashpra ndaj emigrantëve dhe e paraqet veten si përkrahës i presidentit amerikan, Donald Trump, edhe pse e ka kritikuar rritjen e taksave.

Partia ANO është pjesë e grupit të së djathtës ekstreme, Patriotët për Evropën, në Parlamentin Evropian, krahas partisë Fidesz të kryeministrit hungarez, Viktor Orban, dhe Tubimit Kombëtar të zonjës Marine Le Pen të Francës.

Zgjedhjet e tetorit do të mbahen për dhomën e ulët të Kuvendit, e cila do të ketë përbërje të re katërvjeçare dhe i miraton kryeministrin dhe kabinetin qeveritar./Nacionale

Lajme të ngjashme