Zgjati shumë: Çka diskutuan Trumpi e Bideni gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë?
Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe presidenti amerikan në largim, Joe Biden, rivalë të vjetër politikë, biseduan të mërkurën për Ukrainën dhe Lindjen e Mesme në një takim të përzermërt, i planifikuar për ta dëshmuar tranzicionin e lehtë të pushtetit pavarësisht nga mosmarrëveshjet e thella rreth politikave.
Dy udhëheqësit amerikanë u ulën pranë njëri-tjetrit, para një zjarri në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, skenë paqësore që i përgënjeshtronte tensionet mes tyre, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ata diskutuan për çështje të rëndësishme të sigurisë kombëtare dhe politikave të brendshme me të cilat ballafaqohen vendi dhe bota. Ishte vërtet [takim] shumë i përzemërt, shumë i hirshëm dhe përmbajtësor” – u tha gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre. Sipas saj, takimi mes Trumpit e Bidenit zgjati rreth dy orë.
Bideni argumentoi se përkrahja për Ukrainën është e mirë për sigurinë kombëtare të ShBA-së, sepse një Evropë e fortë dhe e qëndrueshme do ta mbajë Amerikën larg tërheqjes në luftë, u tha gazetarëve këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për siguri kombëtare, Jake Sullivan.
Trumpi është zotuar se do t’i japë fund shpejt luftës në Ukrainë, pa treguar se si do ta arrijë këtë.
Republikani që i fitoi zgjedhjet presidenciale i tha mediumit “New York Post” se ai dhe Bideni “folën shumë për Lindjen e Mesme” gjatë bisedës. “Unë desha t’i dija pikëpamjet e tij për atë se ku jemi dhe ai m’i dha ato, ishte shumë zemërmirë” – tha presidenti i zgjedhur.
Të dy biseduan për tranzicionin e lehtë të pushtetit. “Pres që të kemi një, siç thamë, tranzicion të lehtë – të bëjmë gjithçka që mundemi për t’u siguruar që ju jeni të akomoduar, të keni çfarë ju nevojitet. Mirë se erdhe, mirë se u ktheve” – i tha Bideni Trumpit.