“Zero”: Favoriti për president të Rumanisë zotohet për përfundim të ndihmave për Ukrainën
Calin Georgescu, politikani nacionalist që po i prin garës për president të Rumanisë, i ka thënë televizionit BBC se ai do t’i japë fund tërë mbështetjes për Ukrainën, nëse zgjidhet në krye të vendit.
Ai do të ballafaqohet të dielën në balotazh me ish-prezantuesen televizive, Elena Lasconi, e cila është duke bërë fushatë në mënyrë të vendosur pro Bashkimit Evropian, raporton transmetuesi publik britanik.
Georgescu, i cili tërë fushatën e ka zhvilluar në rrjete sociale, tha se prioritet do ta bëjë popullin rumun.
Megjithatë, ai mohoi se suksesi i befasishëm i tij deri më tani është rezultat i një operacioni për ndikim, i mbështetur nga Rusia, duke thënë se nuk mërzitet për “gënjeshtrat” e agjencive rumune të inteligjencës, pasi ai ishte duke punuar me Zotin dhe me popullin.
Të mërkurën, si lëvizje shumë e pazakonshme, presidenti rumun në largim publikoi dokumente të deklasifikuara ku jepen hollësi për atë që u quajt fushatë masive dhe “shumë e organizuar” e Georgescu-t në rrjetin “TikTok”, e bashkërenduar nga një “aktor shtet”.
Në letra përfshihej një vlerësim i inteligjencës se Rusia ishte duke kryer sulme kibernetike ndaj Rumanisë, të cilën e sheh si “shtet armik”.
Gjykata Kushtetuese tani po “vërshohet” me kërkesa për t’i hetuar akuzat për ndërhyrje, me pikëpamjen drejt anulimit të mundshëm të zgjedhjeve.
Prokurorët kanë njoftuar se do të hapin një hetim penal, por nuk ka kornizë kohore se kur mund të vijë epilogu i tij.
Gjatë intervistës, Georgescu i vlerësoi lart presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, dhe kryeministrin popullist hungarez, Viktor Orban, por pati fjalë të mira edhe për presidentin rus, Vladimir Putin, të cilin e përshkroi si “patriot dhe lider”. Sidoqoftë, ai tha se nuk është tifoz i kreut të Kremlinit.
Kur u pyet se a pajtohet që Ukrainës t’i qëndrohet në krah, siç thotë BE-ja, “për aq gjatë sa të jetë e nevojshme”, Georgescu tha “jo”. Sipas tij, gjërat do të ndryshojnë.
“Unë pajtohem vetëm që duhet të përkujdesem për popullin tim. Nuk dua ta përfshij popullin tim” – shtoi ai, duke sqaruar se Rumania – anëtare e BE-së dhe e NATO-s – nuk do t’i ofronte më Ukrainës përkrahje ushtarake ose politike.
“Zero. Gjithçka ndalet. Unë duket të përkujdesem vetëm për popullin tim. Kemi vetë shumë probleme.” – paralajmëroi favoriti për ta fituar balotazhin e zgjedhjeve presidenciale.
Ky do të ishte ndryshim dramatik në pozicionin e Bukureshtit dhe do të mirëpritej nga Rusia. Presidenti në Rumani ka kompetenca të konsiderueshme, përfshirë politikën e jashtme. Ai është komandant suprem i ushtrisë dhe e cakton kryeministrin.
Rumania ka kufi të gjatë me Ukrainën dhe ka qenë përkrahëse e palëkundur e Kievit që nga fillimi i pushtimit rus në shkurtin e vitit 2022./Nacionale/Nasuf Abdyli