Zelensky zotohet për kundërpërgjigje ndaj sulmeve ruse në Ukrainë
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është zotuar se vendi i tij do të kundërpërgjigjet pas një vale të re sulmesh gjatë natës nga forcat ruse.
Ai thotë se operacionet për shpëtim po vazhdojnë, por se të paktën katër persona janë vrarë dhe 16 të tjerë janë lënduar, raporton televizioni BBC.
Rusia përdori “mbi 90 caqe ajrore kundër civilëve dhe infrastrukturës”, tha ai, duke shtuar se gjatë sulmeve u përdorën 81 dronë e raketa balistike, me vetëdrejtim dhe raketa balistike të hedhura nga ajri.
“Ne pa dyshim se do t’i kundërpërgjigjemi Rusisë për këtë dhe për të gjitha sulmet e tjera. Krimet kundër njerëzimit nuk mund të kalojnë pa u ndëshkuar” – tha Zelensky në një shkrim të publikuar në rrjete sociale.
Drejtori i administratës ushtarake në Kiev tha se përmes mbrojtjes ajrore u rrëzuan rreth 15 dronë dhe disa raketa afër kryeqytetit gjatë sulmit më të ri nga forcat ruse.
“Gjithçka që fluturoi drejt kryeqytetit të Ukrainës u shkatërrua” – shkroi Serhiy Popko në rrjetin “Telegram”.
Ndërkohë, forca ajrore e Ukrainës tha se pesë raketa e 60 dronë ishin rrëzuar gjatë sulmit rus natën e kaluar. Në një deklaratë, kjo forcë tha se Rusia kishte hedhur 10 raketa e 81 dronë.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, e ka përsëritur thirrjen e vendit të tij ndaj aleatëve për ta lejuar Kievin që të kryejë sulme me rreze të gjatë brenda Rusisë pas sulmit të së hënës nga forcat pushtuese./Nacionale