Zelensky: Ukraina ka marrë veç 10 për qind të ndihmave të miratuara nga ShBA-ja këtë vit - NACIONALE

Zelensky: Ukraina ka marrë veç 10 për qind të ndihmave të miratuara nga ShBA-ja këtë vit

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Ukraina ka pranuar vetëm 10 për qind të ndihmave ushtarake amerikane të miratuara nga Kongresi më herët këtë vit, tha presidenti Volodymyr Zelensky në një video të publikuar të mërkurën.

“Ju e bëni punën tuaj. Ju llogarisni në rezerva, llogarisni në brigada të posaçme, llogarisni në pajisje të tilla. Dhe merrni 10 për qind të tërë pakos që tashmë është votuar… nuk është qesharake” – tha Zelensky para gazetarëve të martën, komente që u publikuan si të plota të mërkurën në faqen e tij në “Telegram”, raporton agjencia “Reuters”.

Një pako ndihmash me vlerë të 61 miliardë dollarëve nga Shtetet e Bashkuara, që kishte ngecur në Kongres për shkak të republikanëve që nga dhjetori i vitit të kaluar, u miratua në prill.

Zelensky shtoi se ritmi i ngadalshëm i furnizimeve nuk është çështje financash.

“Është gjithmonë çështje e burokracisë ose e logjistikës, ideve ose skepticizmit… Këtë do t’jua japim, këtë jo” – tha presidenti ukrainas.

Ai gjithashtu u ankua se vendet e NATO-s ishin zotuar për t’i dhuruar Ukrainës gjashtë ose shtatë sisteme të mbrojtjes ajrore deri në fillim të shtatorit, por se Kievi nuk kishte pranuar akome asnjë prej tyre.

Lajme të ngjashme