Zelensky thotë se Ukraina do të hapë zyra për eksportim armësh në Berlin dhe Kopenhagë - NACIONALE

Zelensky thotë se Ukraina do të hapë zyra për eksportim armësh në Berlin dhe Kopenhagë

1 javë më parë

nga NACIONALE

Ukraina do të hapë zyra për eksportimin e armëve dhe prodhimin e përbashkët të tyre në Berlin dhe Kopenhagë këtë vit, tha të hënën presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Kievi po e zgjeron industrinë e brendshme të mbrojtjes me ndihmën e partnerëve perëndimorë, përderisa po lufton kundër pushtimit rus tashmë në vitin e katërt, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Duke folur para gazetarëve në Kiev, Zelensky tha se dronët ujorë dhe sistemet e artilerisë janë në mesin e armëve që Kievi do të jetë në gjendje t’i eksportojë.

“Kjo ka të bëjë me prodhimin e përbashkët dhe eksportin... e armëve të cilat ne mund t’ia lejojmë vetes t’i shesim, me qëllim që të kemi më shumë para për prodhimin tonë të brendshëm të produkteve deficitare për të cilat nuk kemi të holla” –tha ai.

Ukraina ende është e varur nga aleatët e saj për armë si aeroplanët luftarakë dhe sistemet e mbrojtjes ajrore, por ka shënuar përparim në zhvillimin e programeve të veta të dronëve dhe raketave.

Zelensky tha më tej se vendi i tij planifikon që ta nisë prodhimin masiv të raketave të prodhimit vendës – “Flamingo” dhe “Ruta” – nga fundi i këtij viti.

Ai gjithashtu tha se një delegacion ukrainas do ta vizitojë Uashingtonin javën e ardhshme për bisedime të mëtejme rreth një marrëveshjeje ShBA – Ukrainë për dronët, për të cilën Kievi shpreson se do t’i fuqizojë marrëdhëniet me administratën e presidentit Donald Trump./Nacionale

Lajme të ngjashme