Zelensky thotë se udhëheqja e Rusisë është e ngujuar mendërisht në një shekull tjetër - NACIONALE

Zelensky thotë se udhëheqja e Rusisë është e ngujuar mendërisht në një shekull tjetër

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se udhëheqësit e Rusisë janë “mendërisht të ngujuar në një shekull tjetër”, duke e përmendur nevojën për ndryshimin e regjimit.

Duke folur në konferencën finlandeze “Helsinki+50”, Zelensky tha: “Rusia vazhdon të kryejë sulme të tilla, edhe kur tërë bota po i bën thirrje që ta ndalë luftën, një luftë që Rusia e filloi, një luftë që Rusia vazhdon ta zvarrisë, një luftë që vetëm udhëheqja ruse e dëshiron”, raporton gazeta “The Guardian”.

Më tej, presidenti ukrainas tha se udhëheqësit e Rusisë janë “mendërisht të ngujuar në një shekull tjetër, kohë e dhunës brutale... e shpërfilljes së plotë për të drejtat e njeriut dhe barazinë”.

“Ne dimë se ide të tilla dhe kohëra të tilla nuk duhet të kthehen kurrë në Evropë” – tha Zelensky.

Ai shtoi se “një refuzim i plotë i botës pas Luftës së Dytë Botërore... është themeli i regjimit të tanishëm në Rusi”, por se Moska “mund të shtyhet që ta ndalë këtë luftë”.

“Ne duhet që ta bllokojmë plotësisht makinën e luftës të Rusisë, ta ndalim industrinë e saj të armëve, t’i kufizojmë fitimet e saj nga energjia dhe, në fund, ta shfrytëzojmë secilën pasuri të ngrirë ruse.. në mbrojtje kundër agresionit rus” – tha presidenti ukrainas.

“Është koha që të konfiskohen asetet ruse, jo vetëm të ngrihen ato... të përdoren ato që t’i shërbejnë paqes, jo luftës” – shtoi ai.

Megjithatë, Zelensky pati një paralajmërim: “Nëse bota nuk synon që ta ndryshojë regjimin në Rusi, kjo nënkupton që edhe pasi të përfundojë lufta, Moska prapë do të mundohet që t’i destabilizojë shtetet fqinje.”

Presidenti ukrainas pati fjalë të mira për homologun amerikan. “Trumpi është vërtet i interesuar për t’i dhënë fund luftës dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për t’u siguruar që ShBA-ja dhe Evropa të veprojnë së bashku për sigurinë” – tha ai./Nacionale

Lajme të ngjashme