Zelensky thotë se ShBA-ja do të jetë krahas përpjekjeve të Ukrainës për ta ndalur Rusinë - NACIONALE

Zelensky thotë se ShBA-ja do të jetë krahas përpjekjeve të Ukrainës për ta ndalur Rusinë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të martën vonë se askush nuk do t’ia japë paqen dhuratë vendit të tij, por se ai beson që Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë krahas Kievit gjatë luftës për ta ndalur pushtimin 34-mujor rus.

Në një video 21-minutëshe, në të cilën edhe i uroi ukrainasit për Vitin e Ri, Zelensky gjithashtu tha se vetëm një Ukrainë e fortë do të mund ta siguronte paqen dhe do ta fitonte respektin botëror, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ne e dimë se paqja nuk do të na jepet si dhuratë, por ne do të bëjmë gjithçka për ta ndalur Rusinë dhe për ta përfunduar këtë luftë, diçka që secili nga ne e dëshiron” – tha presidenti ukrainas, ndërsa në prapavijë shfaqeshin flamuri kaltër e verdhë dhe disa fotografi fëmijësh.

Ai i solli ndër mend bisedat me presidentin amerikan në largim, Joe Biden, me presidentin e zgjedhur, Donald Trump, dhe me “këdo që na përkrah ne në Shtetet e Bashkuara”.

“Unë nuk kam dyshim që presidenti i ri amerikan dëshiron dhe do të jetë në gjendje që të sjellë paqe dhe t’i japë fund agresionit të Putinit” – shtoi Zelensky.

“Ai e kupton që e para është e pamundshme pa të dytën, sepse kjo nuk është përleshje rruge, ku të dyja palët duhet të paqësohen. Ky është agresion i shkallës së plotë nga një shtet i çmendur kundër një shteti të civilizuar dhe unë besoj që, bashkë me Shtetet e Bashkuara, ne jemi e kemi forcën për ta detyruar Rusinë që të futet në një paqe të drejtë” – tha më tej presidenti ukrainas.

Sipas tij, Rusisë nuk i besohet as në betejë, as në bisedime. “Nëse Rusia sot ta shtrëngon dorën, kjo nuk do të thotë se dora e njëjtë nuk do të fillojë të të vrasë nesër. Rusët u frikësohen atyre që janë të lirë, i frikësohen asaj që nuk e kuptojnë. Ata kanë frikë nga liria” – shtoi Zelensky.

Ukraina është ballafaquar me një vit të vështirë, pasi forcat ruse kanë marrë nën kontroll fshat pas fshati në një avancim më të shpejtë në frontin lindor që nga fillimi i pushtimit.

Në fjalimin e tij urues, Zelensky tha se në vitin që shkoi, Ukraina kishte nisur një ofensivë në rajonin Kursk të Rusisë, kishte kryer sulme me dronë me rreze të gjatë kundër caqeve të largëta ruse dhe kishte zhvilluar dronë e armë të tjera të prodhuara brenda vendit./Nacionale

Lajme të ngjashme